NË KOPSHTIN RUSTIK TË BESNIK MUSTAFAJT

FESTA E RRUSHIT, VERA DHE GJITHË GËZIMET PRISKË« E VJESHTËS NË

Living - - PËRMBAJTJA - NGA: ANI JAUPAJ FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Qetësia e gjelbëruar e oborrit të Besnik Mustafajt, në shtëpinë e tij në Priskë, është pothuajse ashtu siç e pret. Nëse do të shkoje në shtëpinë e një fshatari të zonës, do të prisje diçka tjetër, por në shtëpinë e një shkrimtari e di që do ta shohësh krijimin aty ku është e ku nuk është. Aty nuk ka forma të kuruara, bar të njëtrajtshëm apo lule që u krekosen dy qenve të Mustafajt. Gjelbërimi është i harlisur, dhe pulpat nuk do ta hedhin aq lehtë për të kaluar nga ullinjtë te vreshtat e rrushit të zi e të bardhë. Besnikut i pëlqen kështu. Të tillë e përfytyronte që njëzet vite shkuar, kur mbolli pemët e para që sot i dendësojnë hijen në oborrin e pasmë, aty ku është tryeza që shtrohet çdo të shtunë, kur i vijnë miqtë. Për çfarë do të shpërngulej autori, nëse jo për këtë? Besnik Mustafaj nuk u sforcua e as nxitoi për t’i dhënë pamjen rustike

kopshtit përreth shtëpisë. Cvajgu ka përshkruar kaq shumë shpenzime, skica e projekte piktorësh, arkitektësh e kopshtarësh, për të bërë që shtëpia tekanjoze në fshat e Maria Antuanetës të ngjante kaq e natyrshme, pasi Versaja nuk e kënaqte më. Piktorët jepnin e merrnin njëri me tjetrin që edhe plasaritjet e mureve të ngjanin romantike. Këtu, në Priskë, nuk ka ardhur asnjë ekip kuratorësh për ta bërë shtëpinë frymëzuese dhe të vërtetë. Ditët e Besnikut janë pa surpriza. Aty nuk vjen askush pa lajmëruar. Përveç së shtunës, që tradita disavjeçare do që të jetë përherë një tryezë miqsh, ditët e tjera janë më të heshtura se gjethet. Në shtëpi nuk ka as televizor dhe as internet. Jo, nuk është rasti për ndonjë interpretim poetiko-indiferent ndaj botës, përkundrazi: Besniku druhet se do të ngacmohet më shumë se ç’duhet nga kurioziteti për të parë lajme dhe e ka zgjidhur prerazi këtë punë. Çdo ditë, ora e edicionit qendror të lajmeve e zë në kafenenë e fshatit, bashkë me banorët e tjerë me të cilët jo domosdoshmërisht mund të shkëmbehet ndonjë mendim. Priska është kaq afër Surrelit saqë edhe mendimet mund të jenë të ndikuara... Besniku bën humor, kur e pyesim nëse rastësia do që të takohet me kryeministrin, atyre anëve, për shkak të afërsisë së shtëpisë. “Është më e thjeshtë për mua të zbres poshtë, sesa për të, të ngjitet lart, prandaj nuk takohemi.” Dy herë në javë, Besnik Mustafaj zbret në Tiranë. Lexon postën, bën ndonjë takim që ka lënë gjatë javës dhe kthehet sërish në gjelbërimin e tij: në tokën, për të cilën dikur miqtë qeshën me të kur e bleu, ndërsa tani numërojnë ditët derisa të vijë e shtuna e gostisë...

VRESHTAT PËRRETH SHTËPISË DHE FESTA E RRUSHIT

Që kur bleu tokën, Besniku e kishte të qartë se çfarë donte të bënte. Krijoi rreth shtëpisë një vresht me 350 rrënjë hardhi e mes tyre mbolli edhe plot pemë të tjera: dhjetë rrënjë ullinj 50-vjeçarë, një ulli 300-vjeçar e një tjetër 700-vjeçar, mollë, qershi, mana, shegë, hurma, gështenja, palma, lule… Gjithçka e mbjellë nga duart e tij. Në ato vitet e para, kur toka ku tani ngrihet shtëpia ishte thjesht një djerrinë, Besniku ka gjetur përherë pak kohë mes impenjimeve të politikës, udhëtimeve e shkrimeve, për të punuar në kopshtin e shtëpisë e për të ngritur pastaj një qoshe të gjelbër gjithë ajër e freski. Por nuk është thjesht një copë tokë e mbjellë dhe aq. Për Besnik Mustafajn është një pasion më vete, ndaj, që në fillim fare ka mbjellë në atë tokë gjithë pemët e fëmijërisë, një pjesë të mirë të të cilave i ka sjellë nga Tropoja. Me kohë, njohu e solli në atë oborr edhe pemë të tjera, siç janë dafinat apo fiqtë, për t’u ndalur te hardhitë. Mes degëzave të gjelbra dhe varieteteve të ndryshme gjendet edhe një varietet rrushi që mendohet të jetë që nga koha e Skënderbeut e që rritet vetëm në atë zonë. Lloji i hardhisë që nuk gjendet në masë, pasi në kohën e kooperativës u shkul, meqë nuk jepte prodhim, nuk i shpëtoi nuhatjes së hollë të Besnikut, i cili zbuloi që një fshatar në Shkozë e kishte akoma. E mori dhe e mbolli në një ditë marsi, kur u

sigurua që toka nuk kishte më ngricë. Ngricë pas ngrice e pranverë pas pranvere, vreshti e rrethoi gjithë shtëpinë me degëza të njoma dhe kokrra gjithë lëng. Një vresht i gjithi nga duart e Besnikut. Kur shkuam ta takonim, rrushi ishte thuajse për t’u këputur. “Këtë vit nuk ka pasur fare prodhim, jo vetëm për mua, por për të gjithë vreshtat e zonës”, - tregon Besniku, duke shprehur keqardhjen për fshatarët që kanë prodhim më të paktë. Ditën e vjeljes së rrushit, në shtëpinë e tij e dinë dhe e presin të gjithë, të rritur, nipër e mbesa. Ai i angazhon të gjithë dhe në 2-3 orë e kanë mbledhur të gjithin. Për t’iu gëzuar prodhimit, shtrohet më pas një drekë që bën bashkë tridhjetë vetë. Ushqimet janë gjithnjë tradicionale. Me gjithë udhëtimet e shijet e reja që ka provuar gjatë tyre, Besniku e ka të vështirë t’i largohet traditës dhe as nuk do ta bëjë. “Si malësor që jam, bulmeti e mishi janë të preferuarat e mia dhe kjo besoj duket, apo jo?!” Megjithatë, çfarëdo të ketë zgjedhur për të shtruar në tryezë, vera nuk mungon asnjëherë. Është e preferuara e tij! Ç’kuptim do të kishte bukuria e kopshtit pa të?! As nuk do të shijohej. Ndryshe nga çfarë mund të mendoni, Besniku nuk ka provuar ndonjëherë të bëjë verë. I gjithë rrushi bëhet raki, shpërndahet te miqtë dhe pak qëndron në shtëpi, për ata që duan të pinë raki në vend të verës. “Unë e respektoj shumë verën, nuk mund ta bëj vetë!”

RUTINA E FSHATIT

“Një ditë imja fillon me zgjimin e vonë, rreth orës 8:30. Gjatë tri stinëve, pranverë, verë e vjeshtë, rreth orës 9:30 dal në kopsht, ku, për afro dy orë kujdesem për pemët dhe punoj tokën. Pastaj, ulem dhe shkruaj dy deri në tri orë. Drekën e kam rreth orës 15:00. Për dy orë pushoj dhe lexoj. Pastaj i kthehem përsëri shkrimit për afro dy orë. Darkën më pëlqen ta zgjas. Pastaj kthehem përsëri në tryezën time të punës, deri në dy të mëngjesit. Ditët e mia këtu në Priskë janë shumë të ngjashme. Pra, e tillë është pak a shumë dhe java, edhe muaji.” Tani që i kushtohet vetëm shkrimit, nuk do asgjë më shumë se kaq. Nuk do të donte as të lëvizte për pak ditë, mirëpo nuk e diskuton më dëshirën e fëmijëve për ta shoqëruar në plazh, kështu që shkon me ta për sa ditë që të vendosin ata. “Unë do të doja që fëmijët të vinin të pushonin këtu, por ata kanë dëshirat e tyre dhe herë pas here më duhet t’iu shkoj pas.” Pas iu shkon edhe në kohë si këto, mes shtatori, kur mollët, hurmat e shegët nuk mbajnë më në pemë e Besniku duhet t’i shpërndajë nëpër Tiranë. Familjarët e tij rrallë vijnë për këto “angari”, por nuk harrojnë ta porosisin që t’u çojë ca shegë, kur të zbresë... Në fund, edhe ky është lezeti i fshatit, të kënaqësh të tjerët, edhe nëse bëhen pak tekanjozë...

Ditën e vjeljes së rrushit, në shtëpinë e tij e dinë dhe e presin të gjithë, të rritur, nipër e mbesa. Ai i angazhon të gjithë dhe në 2-3 orë e kanë mbledhur të gjithin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.