ETNIK SHALA - STILISTI QË UDHËTON NË KOHË

Kur pasioni lind që në emër

Living - - PËRMBAJTJA - NGA SANTANA ÇOMORA FOTOGRAFIA: EDVINA META

Këtë herë, në rubrikën “IG Man” përzgjodhëm stilistin e ri nga Kosova, Etnik Shala, i cili ashtu siç ka dhe emrin, ka arritur që në koleksionet e tij të ndërthurë bukur rrafshin e folklorit me modernen. I ndodhur para pak kohësh në një aktivitet të zhvilluar në Shkodrën e Marubit dhe Idromenos, ai solli një koleksion veshjesh të titulluar “Etnovibe”, ku binin në sy fotografitë e Marubit, të skicuara në fustane, xhaketa dhe këmisha, duke gërshetuar të shkuarën me të sotmen. Ashtu si etnografia shqiptare, edhe moda dhe stili janë një gjuhë universale dhe arrijnë të sjellin një vizion ndryshe, duke e dalluar Etnikun jo vetëm për veshjet e disenjuara, por edhe për stilin e tij. Etniku ka qenë i lidhur me modën që në fëmijëri, edhe atëherë kur ende nuk e kuptonte si koncept. Që herët, familja e tij kishte vënë re një prirje të veçantë tek ai, jo më shumë drejt modës, sesa drejt së bukurës dhe artit në përgjithësi. Ai kujton që në klasë të katërt, në një aktivitet shkollor kishte përdorur çarçafët e shtëpisë për të krijuar një perde për një shfaqje teatrale. Askush nuk e kishte besuar që e kishte bërë vetë. Lidhja e tij me të bukurën i ka rrënjët të thella, që në embrion: “Nëna ime nuk e

pëlqente qëndisjen, por gjatë kohës që ishte shtatzënë me mua, i lindi një dëshirë e madhe për t’u marrë me qëndisma. Madje nisi një kurs rrobaqepësie dhe bleu edhe makinë qepëse. Por, ky pasion zgjati vetëm nëntë muaj, sepse më pas nuk e pati më këtë dëshirë. Edhe sot e kësaj dite, ajo nuk i jep dot shpjegim kësaj gjëje, se si i erdhi dhe iu zhduk ky pasion.” Ai nuk ka studiuar asnjëherë modë. Vetëm pasioni dhe dëshira për të mësuar e kanë çuar këtu ku është tani. “Më pëlqen të jem ai shembulli që falë punës dhe pasionit tejkalon vlerat e çdo diplome. Ky është një bekim që më ka ardhur nga Zoti, dhe që mundohem ta ushqej me dashuri çdo ditë.” Krijimet e tij të para morën jetë pikërisht kur ai ishte vetëm 17 vjeç, duke fituar dhe vendin e parë në një konkurs për stilistin më të mirë shqiptar, në vitin 2012. Etniku frymëzohet nga çdo gjë. 25-vjeçari përpiqet që pjesën e lumturisë dhe të plotësimit të vetes, ta transmetojë në koleksionet e tij. Djaloshi kosovar nuk është se ka ndonjë arsye të veçantë që e lidh me të kaluarën; ai thjesht e do vendin e tij, ndien dhimbje dhe krenari për të shkuarën e pasur me një etnografi që tregon për vlera hyjnore, duke e bërë pjesë të koleksioneve të veta. Një nga punimet më të bukura të tij ka qenë koleksioni kushtuar këngëtares së njohur Nexhmije Pagarusha, për 85-vjetorin e saj të lindjes. Ky koleksion ishte një dhuratë shumë e çmuar për artisten e madhe, e cila, sipas Etnikut, së bashku me këngëtaren Vaçe Zela janë të papërsëritshme, jo vetëm për talentin e tyre, por edhe për sakrificat e kohës, duke ditur se sa i vështirë ka qenë arti i asaj kohe. Ndërkohë, në punët e tij mund të përmendim dhe koleksionet e tjera, si: “Geisha”, “Pupla dhe perla”, “Simfonia e luleve”, “Muzë” etj. Sot, ai dallon për një stil avangardë, të pastër dhe të vështirë në realizim. Stilisti kosovar mendon se arti është emocion, prandaj mundohet që veshjet që skicon, të kenë një lloj magnetizimi. Stili vintazh është më pranë tij, sepse çdo trend i ditëve të sotme e ka bazën tek e shkuara. “Ne mundohemi t’i shtojmë ngjyrat, detajet dhe emocionet e kohës së sotme, për ta freskuar e për ta quajtur trend, por bazat mbeten tek e shkuara”, – thotë ai.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.