9 VAJZA QË DO T’JU FRYMËZOJNË TË BËNI KNOCK-OUT

Living - - PËRMBAJTJA - NGA: ZHAKLIN LEKATARI FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

“Taekwondo”

të bën të madhe, nëse je e vogël. Të bën të fortë, nëse je e dobët. Të bën me miq, nëse je e vetmuar.

Kur mendon për artet marciale, gjëja e parë që të shkon në mendje janë thirrjet e çuditshme, hedhjet me këmbë dhe gjuajtjet e prera me duar. Kërcime, lëvizje të shpejta dhe të vështira. Kur, më pas, për disiplinën e “taekwondo”-së të flet një vajzë e re me emrin Rea, me gërsheta të gjata dhe me buzëqeshje të ngrohtë, kupton që ka më shumë për të ditur. Kështu nisi njohja ime me “taekwondo”-në. Një ftesë nga Rea, një mike e re, për të kaluar një pasdite me të dhe vajzat e tjera të ekipit ORTEK. Po, po, vajza, sepse “taekwondo” apo artet marciale janë sporte shumë të përshtatshme edhe për vajzat. Kështu që takimi im i parë me këtë art me shumë traditë, u pasurua nga një grup vajzash me mosha të ndryshme. “Taekwondo” është një art marcial, i cili e ka origjinën në Kore, dhe ka më shumë se 5000 vite histori. Njihet si arti marcial më i vjetër në botë. Filozofia e tij përfshin paqen dhe shëndetin. Të mëson më shumë sesa thjesht të luftosh. Të mëson për shikimin, trupin dhe mendjen. Fjala “taekwondo” përbëhet nga tri pjesë: tae-këmbë, kwon-grusht dhe do-mënyrë jetese e disiplinë. Nëse bën bashkë këto tri pjesë, sheh me lehtësi konceptin e këtij arti. Megjithatë, mënyra më e mirë për ta kuptuar “taekwondo”-në është ta lexosh si “një mënyrë për të përdorur pjesët e trupit, për të ndalur luftën dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një bote më paqësore”.

SHIRITAT DHE RRIPI TREGOJNË GRADËN E AFTËSIVE NË KËTË DISIPLINË.

Për çdo rrip mësohet një grup i ri metodash vetëmbrojtjeje, gjuajtje me këmbë e me krahë, dhe, pa dyshim, një filozofi e re. Këto filozofi janë të rëndësishme, sepse hyjnë në përdorim edhe në jetën e përditshme. Filozofia e parë që mësohet është respekti, fokusi kryesor i “taekwondo”-së. Respekti për profesorin, për nxënësit, për familjen, për të gjithë ata që na rrethojnë. Filozofitë e tjera janë gjithaq të rëndësishme dhe përfshijnë: integritetin, durimin, vetëkontrollin, këmbënguljen dhe bashkëpunimin. Rripi i fundit përfshin filozofinë e udhëheqjes, sepse nxënësit duhet të kenë këtë cilësi për të ndihmuar dhe përgatitur nxënësit e tjerë në nivelet më të ulëta. Grupi i vajzave ishte i larmishëm dhe më e vogla prej tyre, që stërvitej tashmë prej një viti, quhej Alea. Ajo kishte përgatitje dhe teknika të mira. Ndërkohë 11-vjeçarja Sibora, paçka moshës së saj krenohej që ishte kampione e disa kompeticioneve, në të cilat kishte marrë pjesë. Shoqet e thërrisnin “luaneshë”, për shkak të guximit dhe përgatitjes. Sibora, e cila me një llogari të thjeshtë ka filluar stërvitjen në moshën 6-vjeçare, ushtron dhe përgatitet me vëllain e saj, Klein. Anja gjithashtu stërvitet prej pesë vitesh dhe mund të krenohet për trofe dhe medalje ari në “taekwondo”. Rea, Ina, Adela, Megi, të gjitha këto vajza flisnin me pasion dhe dashuri për disiplinën, rregullat, lëvizjet dhe teknikën e këtij sporti. “Taekwondo” është një art marcial shumë teknik dhe një ndeshje zgjat gjashtë minuta. Veshja kryesore quhet “dobok” dhe ndihmon për lirshmëri gjatë stërvitjes dhe ndeshjeve. Për të bërë dyluftime apo ndeshje vendosen mbrojtëset e këmbëve, duarve, parakrahëve, kërcinjve, kokorja dhe mbrojtësja e trupit. Një sistem automatik i instaluar në veshje cakton pikët e kryera. Vajzat më shpjegojnë se “taekwondo” karakterizohet nga uniteti: bashkimi i mendjes dhe jetës, në harmoni me lëvizjet që në gjuhën koreane quhen “poomsae” - bashkimi i përballjes me fitoren. Kur bën “taekwondo” duhet të harmonizosh mendjen dhe lëvizjet, duke e zhvilluar këtë qetësi në jetën e përditshme dhe shoqëri. “Taekwondo” është një mënyrë jetese, një filozofi: jo vetëm të luftosh armikun, por të mundohesh të sjellësh paqen, që të pakësohen armiqtë. Një disiplinë që ndihmon trupin dhe mendjen, një zhvillim harmonik dhe një përmirësim shumëdimensional jetese. Pasditja ime kaloi pa u vënë re, me tentative simulimi për lëvizje specifike dhe me një dëshirë për ta përfshirë këtë art dhe filozofi lufte dhe paqeje në jetën time.

DOJANG QUHET SHKOLLA E STËRVITJES SË “TAEKWONDO”-SË. Dyshemetë në “dojang” janë të mbushura dhe kanë ngjyrën e kuqe dhe blu, që përfaqësojnë simbolin “taegeuk” ose rrethin që ndodhet në flamurin korean. Një “dojang” zbukurohet gjithashtu me postera, flamuj, rripa dhe materiale të tjera mësimore.

SISTEMI I RRIPIT NË “TAEKWONDO” përfshin 6 ngjyra të ndryshme: e bardhë, e verdhë, e gjelbër, blu, e kuqe dhe e zezë. Sot, në botë, 70 milion njerëz nga 188 shtete, praktikojnë “taekwondo”. Katër milion prej tyre, janë rrip i zi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.