HOROSKOPI NËNTOR 2018

NËNTOR-2018

Living - - PËRMBAJTJA -

Dashi

Muaji nëntor do të shënojë pikënisjen e një periudhe rimëkëmbjeje, që do të japë fryte brenda pak muajsh. Të hedhësh pas shpine të shkuarën nuk është e lehtë, ndaj nuk mund t’ju them se do të ngjiteni në majë nga sot-nesër, por do të filloni të merrni lajme të mira. Mërkuri dhe Jupiteri do të jenë në pozicion të favorshëm dhe do t’ju dhurojnë mundësi të shkëlqyera në datat 19 dhe 28 nëntor. Ndjenjat marrin sërish një rol protagonist, por emocionet më të bukura janë ato që përjetohen përmes dialogut. Një person që do ta njihni gjatë këtij muaji mund t’ju stimulojë fantazinë dhe ju do ta pëlqeni më tepër prej zgjuarsisë, sesa prej aspektit fizik. Nëse keni kaluar ndonjë krizë apo ndarje, ka ardhur koha të largoni mendimet pesimiste dhe të hidheni sërish në sulm. Të rinjtë dhe beqarët mund të përjetojnë ndonjë aventurë të këndshme, pa qenë nevoja të mendojnë për martesë apo bashkëjetesë. Në aspektin fizik, shqetësimet do të jenë më të vogla, edhe pse do t’ju duhet të zgjidhni disa probleme estetike. Marsi do të ketë ndikim negativ, ndërsa Jupiteri dhe Dielli do t’ju japin forcë. Shmangini aktivitetet e lodhshme, por mos hiqni dorë nga sporti, pasi ai ju çliron nga energjitë negative aq të dëmshme për organizmin.

Demi

Do t’ia nisni nga e para, këtë herë me mjaft stil. Projektet që ishin bllokuar gjatë muajve të fundit, apo ndryshimet drastike që sollën si pasojë trazira të mëdha, tanimë do t’i menaxhoni më mirë. Disa probleme organizative duhet t’i zgjidhni me qetësi. Nëse keni ndryshuar vend pune rishtas, do të filloni të merrni kënaqësi profesionale. Gjendja financiare ende nuk ju lejon të rrezikoni shumë, sepse Mërkuri ka pasur ndikim negativ deri tani, por prej datës 8 situata do të ndryshojë. Edhe dashuria do të zgjohet në muajin nëntor, pavarësisht nga vështirësitë dhe mëdyshjet që keni hasur në tetor. Prej muajsh keni qenë në ndikimin negativ të planetëve në sferën e ndjenjave, ndaj, nëse marrëdhënia juaj ka qenë në krizë apo e brishtë, tashmë është mbyllur përfundimisht. Marrëdhëniet në çift do të jenë edhe më të konsoliduara pas datës 22, kur dielli nuk do të ndikojë më negativisht. Kini kujdes me raportet e së shkuarës: vetëm pasiguria mund t’ju stepë në këtë periudhë nismash pozitive. Planetët ju ndihmojnë të përballoni me qetësi raportet problematike familjare. Po ashtu, edhe çiftet që duan të lindin një fëmijë, i pret një 2019 plot surpriza të bukura.

Binjakët

Nëntori është muaji i së vërtetës. Të gjitha marrëdhëniet profesionale që nuk kanë ecuri të mirë, mund të ndërpriten dhe dikush mund të hidhet në kundërsulm. Disa prej jush mund të ndërmarrin masa ligjore ndaj kompanisë në të cilën punonin. Kontratat e punës, telefonatat që prisni apo komunikimi, do të hasin vonesa. Mbase e keni tepruar disi me shpenzimet. Kujdes, nëse u vini gjithmonë ju në ndihmë të tjerëve, këtë herë duhet t’i bëni mirë llogaritë, sidomos për sa i përket pasurive të patundshme. Bëni kujdes edhe në dashuri! Historitë e reja janë interesante, por nuk shkojnë më tej. Dikush prej jush mund të ketë nisur ndonjë raport me një person që s’është i lirë për momentin. Çiftet jetëgjata mund të kenë debate për çështje ligjore apo financiare. Nëse jeni ndarë nga bashkëshorti/ ja, kini shumë kujdes, pasi mund të dalin në skenë probleme që lidhen me fëmijët apo me pronat. Një rol të rëndësishëm për të lindurit në shenjën tuaj do të luajë miqësia. Ngrohtësia e miqve do të jetë një pikë referimi në këtë periudhë të vështirë. Aftësia për të bashkëvepruar me të tjerët, do t’ju vijë në ndihmë që të kapërceni ndjesitë negative. Kini kujdes në aspektin fizik, pasi mund të ndeshni shqetësime të shumta. Mund të ndiheni të pafuqishëm, pasi të lindurit në shenjën tuaj nuk i bëjnë fort ballë lodhjes dhe mundimit të skajshëm. Do të ndiheni të drobitur, sidomos rreth datës 17. Në fund të muajit, mundohuni t’i bëni punët me qetësi, sepse nguti shtyn në gabime.

Gaforrja

Nismat e reja do të kenë mbështetjen e planetëve. Prej datës 15, Marsi do të nisë ndikimin e tij pozitiv. Nëse keni pakënaqësi në punë apo çështje të mbetura pezull, mund të gjeni zgjidhje me leverdi në ndonjë qytet tjetër. Historitë e dashurisë duken mjaft bindëse në këtë periudhë, por nëse jeni ndarë rishtas, do të mendoheni mirë para se të nisni diçka të re. Fundjava mes 17-18 nëntorit do të jetë tejet interesante për çiftet që kanë kapërcyer sprovat. Ata mund të hedhin hapa të mëtejshëm si krijimi i familjes, ngjizja e një fëmije apo ndërrimi i shtëpisë. Ju pëlqen që dikush ju vjen rrotull, por ngurroni. Dashurisë i duhet dhënë një mundësi e dytë, vetëm kështu do të hidhni pas shpine brengat e së kaluarës. Madje, mund të ndodhë edhe ndonjë ribashkim me personin e zemrës, pa qenë nevoja për ndërmjetës të paftuar. Kujdes me nervozizmin rreth datës 19. Marrëdhëniet e reja jetojini ditë pas dite. Saturni shkakton mjaft stres e për pasojë, edhe lodhje fizike. Megjithatë, do të keni mundësinë të argëtoheni e të largoheni nga vështirësitë e së shkuarës. Marsi dhe Hëna kanë ndikim pozitiv, sidomos më datë 17, kur do të ndiheni shumë mirë me veten. Disa shqetësime stinore, si ftohjet apo të tjera duhen kuruar me kujdes, për të shmangur përkeqësimet.

Luani

Planetët sjellin lajme të mira këtë muaj, Jupiteri nuk është më në kundërshti me shenjën tuaj. Keni pritur gjatë, por tashmë po filloni të vilni frytet e para. Ndikimi pozitiv i Jupiterit dhe Uranit deri në fund të muajit do të mundësojë diçka të rëndësishme, apo zgjidhje drastike për një problem, që ju mundon prej kohësh. Si fillim, duhet të zgjidhni çështjet ekonomike apo ligjore të lëna pezull, që të arrini rezultatet e synuara. Çiftet që kanë mbërritur së bashku në fund të vitit 2018 janë vërtet të forta, pasi muaji tetor i vuri në provë të gjitha marrëdhëniet. Tanimë situata do të ndryshojë edhe në aspektin sentimental. Do të planifikoni ngjarje të rëndësishme si lindja e një fëmije, ndërrimi i shtëpisë, martesa apo bashkëjetesa. Takimet e reja paraqiten mjaft të volitshme. Në nëntor mund të bini në dashuri dhe të hidhni pas shpine gjendjen problematike që keni përjetuar së fundmi. Jupiteri ka ndikim pozitiv edhe nëse keni ndonjë konflikt të hapur me ish-partnerin/ en, duke ju dhënë mundësi t’i përgjigjeni me të njëjtën monedhë. Përmirësimi është i ndjeshëm edhe në aspektin fizik, shqetësimet do t’i kaloni thuajse përfundimisht ose terapitë apo mjekimet do të japin rezultate më të mira. Aktiviteti fizik këshillohet më së shumti, në mënyrë që rimëkëmbja të jetë sa më e shpejtë. Pritet një shërim i shpejtë edhe për ata që kanë qenë të sëmurë, sidomos për të lindurit në fund të korrikut.

Virgjëresha

Së fundmi jeni gjithmonë në qendër të vëmendjes, duke shkaktuar kështu xhelozi e zili tek ata që ju rrethojnë. Gurin nuk do ta hidhni ju, por dikush mund të tentojë t’ju vërë shkopinj nën rrota. Disa ditë, si datat 9 dhe 10 nëntor, paraqiten mjaft konfliktuale dhe kërkojnë durim të skalitur. Bëni kujdes gjatë fundjavave të nëntorit dhe kurseni para, sidomos nëse keni detyrime familjare. Marrëdhëniet në çift do të shfaqen siç janë në të vërtetë gjatë nëntorit. Nëse raporti është i konsoliduar, nuk do të keni probleme. Nëse keni pasur mëdyshje, tanimë do të dalin në sipërfaqe. Raporti me fëmijët do të jetë i tensionuar për arsye të natyrave të ndryshme. Kujdes me konfliktet që mund të lindin në shtëpi në mes të muajit. Do të ndiheni në trysni më shumë se zakonisht dhe disa marrëdhënie dashurore do të vihen në provë të fortë. Nëse raporti ju duket mbytës, do të shqyrtoni mundësinë për t’i dhënë fund. Nëntori sjell një gjendje fizike dhe mendore disi më të rënduar, por nuk keni pse të shqetësoheni. Bëni kujdes me shëndetin dhe shmangni sforcimet e panevojshme fizike, në mënyrë që të mbroni pjesët më delikate të trupit. Stresi shkakton lodhje të madhe, po ashtu edhe shqetësime psikike për disa prej jush. Merrini shtruar të gjitha!

Peshorja

Pozicionimi i favorshëm i planetëve ju fton ta shihni të ardhmen me optimizëm. Jupiteri do të ndikojë pozitivisht prej datës 8. Do të keni mundësi të kapërceni vështirësitë që i keni ndeshur që në fillim të vitit. Horizonte të reja paraqiten në sferën profesionale, mbase jashtë shtetit ose në ndonjë tjetër qytet. Raportet e bashkëpunimit do të marrin një hov pozitiv dhe do të jeni sërish në qendër të vëmendjes, pas një periudhe në hije. Ditët kur priten debate dhe sqarime janë të hënat më datë 12 dhe 19 nëntor, ndërkohë që përgjigje pozitive mund të merrni në harkun kohor 22-30 nëntor. Dashuritë e reja janë të rëndësishme dhe nëntori sjell befasi. Nëse një vit më parë keni qenë vetëm, tani keni dikë në krah. Keni kaluar një periudhë të gjatë mosbesimi, por situata po përmirësohet. Ndonjëherë, të lindurit në shenjën e Peshores, u bëjnë bisht përballjeve, por kjo gjë i përkeqëson raportet, ndaj duhet të sqaroheni me të tjerët. Nëntori është një muaj shprese në plot kuptimin e fjalës. Më në fund, do të gjejnë zgjidhje shqetësimet fizike që keni ndier deri tani. Venusi në shenjë ndihmon në ripërtëritjen psikofizike. Cervikali është pika juaj e dobët. Mos e stërmundoni veten, sidomos në harkun kohor 19-26 nëntor.

Akrepi

Nëntori është muaji i të lindurve në shenjën tuaj, jo vetëm sepse Dielli nis të ndikojë në shenjë, por edhe sepse bëni një bilanc të gjithçkaje që ka ndodhur në jetën tuaj. Ka një lajm të mirë: Marsi nuk do të ketë më ndikim negativ dhe prej datës 15 do të nisë një periudhë më e qetë. Disa probleme familjare kanë gjetur njëfarë zgjidhjeje dhe do të shkoni në punë pak më të qetë. Fundjava mes datave 17-18 nëntor do të jetë e shënuar për disa prej jush. Prej datës 26, ju presin telefonata dhe lajme të mira në sferën profesionale. Marrëdhëniet në çift që do të nisin pas mesit të muajit, do të kenë ecuri interesante. Të dielën, më datë 25, mund të merrni ose të bëni propozime dashurie, që do të rezultojnë të suksesshme. Është një periudhë mjaft e favorshme për çiftet që kanë në plan të shtojnë familjen apo të zyrtarizojnë lidhjen e tyre. Keni nisur një kapitull të ri të jetës dhe Jupiteri ju garanton se do të shkruhet me germa të arta. E keni vetë në dorë të shmangni rreziqet dhe të shfrytëzoni mundësitë e shumta. Takimet e reja janë të frytshme. Në nëntor, do të ndiheni të fortë fizikisht. Shmangni udhëtimet e gjata apo lodhjen fizike gjatë dyjavëshit të parë të muajit. Dyjavëshi i dytë i nëntorit paraqitet plot energji. Do të ripërtëriheni fizikisht dhe do të kapërceni shqetësimet që kanë të bëjnë me qarkullimin e gjakut.

Shigjetari

Jupiteri do të hyjë në shenjën tuaj më 8 nëntor, por kjo nuk do të thotë se të gjitha problemet do të zhduken si me magji. Megjithatë, do të hidhni disa hapa të rëndësishëm. Situata është në përmirësim të ndjeshëm në aspektin profesional, si në rastet kur jeni punësuar diku, ashtu edhe në rastet kur punoni më vete. Edhe studentët i presin lajme të mira, sidomos ata që janë në prag të diplomimit. Prej datës 22, Dielli në shenjë do të forcojë rolin tuaj në ambientin ku punoni e jetoni. Çiftet e konsoliduara nuk i druhen asgjëje. Do të rizgjohet dëshira për të eksperimentuar gjëra të reja dhe për të ndenjur sa më tepër bashkë. Do të keni raste të shumta për të biseduar shtruar për të ardhmen, pasi fryma konfliktuale po zbehet dita-ditës. Marrëdhëniet e nisura rishtas duhen jetuar me mirëbesim. Nëse keni plane për bashkëjetesë, për të zgjeruar familjen, apo për të ndërruar shtëpi, mund t’ju paraqiten mundësi të arta. Do të komunikoni më tepër me të tjerët dhe do të përballeni me ta, për shkak të ndikimit të Saturnit. Takimet e reja do të jenë interesante. Ndiheni të tensionuar, për shkak se nguteni të zgjidhni çdo problem. Në këtë periudhë, mund të kapërceni disa shqetësime fizike që i keni hasur së fundmi. Një kurë e rekomanduar nga mjeku do të jetë vendimtare për të shtuar energjinë e forcën fizike. Shmangini ndjesitë e pakëndshme: për fat të mirë, ju këtë gjë arrini ta bëni në mënyrë të shkëlqyer. Programoni diçka të këndshme!

Bricjapi

Ky muaj premton rezultate të mira. Nëse mendoni se keni aftësitë e duhura për një vend pune, mos ngurroni ta kërkoni atë. Nëse synoni përmirësime në sferën profesionale, mos qëndroni në një vend, por shpërndajini “CV”-të gjithandej. Këto ditë mund të ndodhin ndryshime në kompaninë ku punoni apo që e keni në pronësi, ose në lidhje me një akt shitblerjeje. Nëse merreni me tregti, mund të shisni aktivitetin e të shpërnguleni diku gjetkë. Jupiteri kalon në shenjë tjetër në mes të muajit, megjithatë, ndikimi i tij vazhdon ende. Rreth datës 21, janë disa ditë të shkëlqyera, kur një nismë e lënë pezull në të shkuarën mund të konkretizohet. Dashuria paraqitet plot ndodhi. Nëse po përjetoni ndonjë periudhë të vështirë, fajin e keni ju vetë, që nuk keni ditur të përqafoni qasjen e duhur karshi dashurisë. Historitë e së shkuarës, që i sillni herë pas here në kujtesë, ju bëhen pengesë për të nisur marrëdhënie të reja. Nëse jeni në çift, planetët ju vijnë në ndihmë që ta konkretizoni raportin apo të ndërmerrni hapa më të rëndësishëm. Mbase do të ishte interesante të hapnit një aktivitet të përbashkët me partnerin/en. Ditët me fat janë ato pas datës 15 dhe kulmojnë me datë 21. Në aspektin psikofizik, keni një përmirësim të ndjeshëm që prej majit të këtij viti. E vetmja ditë disi e tensionuar paraqitet data 5. Reumatizmat do t’i mbani në kontroll dhe mjekimet e nisura këto ditë do të kenë ecuri pozitive.

Ujori

Venusi dhe Marsi janë në pozicion të favorshëm për të lindurit në shenjën tuaj, por më i rëndësishëm do të jetë ndikimi i Jupiterit, prej datës 8. Nuk po them se do të zhduken të gjitha vështirësitë me një të rënë të lapsit, por do të hidhni hapa të rëndësishëm drejt zgjidhjes së problemeve. Veprimet me paratë duhet t’i merrni shtruar. Me ortakë e bashkëpunëtorë do të keni ende debate, por këtë herë do të arrini një kompromis. Më në fund, do t’i merrni ju vetë në dorë frerët e fatit. Për pasojë, edhe karakteri juaj do të jetë më i qetë se në të shkuarën. Ditët e këtij muaji nuk janë aspak të ndërlikuara, madje, nxisin të futen në lojë edhe zemrat vetmitare. Është një person interesant, që ia vlen ta njihni. Ditë për t’u mbajtur shënim janë ato mes datave 14-15 dhe 23-24 nëntor. Nëse arsyet nuk kanë qenë të forta, mund t’i riktheheni një historie të ndërprerë në të shkuarën. Megjithatë, të lindurve në shenjën e Ujorit u pëlqen ta shohin në sy personin e dëshiruar. Raportet me të tjerët do të kenë përmirësim të ndjeshëm. Rikthime pasioni? Vetëm nëse ia vlen barra qiranë! Forma fizike do të jetë në përmirësim të dukshëm. Të gjitha mjekimet apo kurat do të kenë ecuri të mirë. Kini pak kujdes në datat 17-18 dhe 21-22, sepse fluksi i punëve të ditës do t’ju shkaktojë lodhje të madhe.

Peshqit

Marsi do të hyjë në shenjë më datë 15 dhe do të shtojë dozën e nervozizmit, po ashtu edhe padurimin për të marrë rezultate pozitive. Uroj të keni nënshkruar një kontratë pune disavjeçare. Në të kundërt, do t’ju shtohen disa shqetësime dhe pasiguri. Rezultatet në sferën profesionale nuk janë fort të kënaqshme, por as katastrofike. Megjithatë, kur ndiheni të lodhur, ju prireni ta shihni gotën gjysmë plot, ndaj janë disa data të caktuara, kur do të ndiheni të tensionuar pa arsye, si për shembull datat 9, 10, 16, 21 dhe 25 nëntor. Çështjet ekonomike dhe profesionale kanë kaluar në plan të parë, ndaj nëntori nuk është muaji i dashurive të zjarrta, por as i ndarjeve. Megjithatë, nëse ndonjëri prej jush është përfshirë në dy histori paralele, do të ndihet i nervozuar. Fundjavat e nëntorit karakterizohen nga një vetmi shpirtërore, edhe nëse keni në krah partnerin. Veproni me maturi, mos merrni hak duke tradhtuar apo debatuar me çdo kusht. Herë pas here, do t’ju lindë dëshira për t’ia mbathur, por nuk është kaq e lehtë të vihet në zbatim. Në aspektin psikofizik, ankthi rrezikon t’ju lërë pa gjumë, sidomos gjatë fundjavave. Mbase merrni përsipër shumë përgjegjësi që ju tensionojnë, dhe më pas nuk ndiheni mirë. Kujdes në datat 9 dhe 16, pasi do të ndieni doza të larta nervozizmi. Marsi në shenjë ju bën agresivë dhe të gatshëm për t’u konfliktuar me të tjerët.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.