“HAPPY DIWALI”

Living - - ART CRAFT -

Festa e Divalit është një festë mitologjike, që tregon se e mira triumfon mbi të keqen. Ajo është nga festat më antike që festohet në të gjithë Indinë, pavarësisht se kujt besimi i përket: budist, jainist apo sikh, dhe ndryshon nga motivacione të ndryshme të secilit dhe në bazë të zonës. Simbolikisht festohet kthimi i dritës në origjinën e saj, domethënë, në trupin tonë, ku mungonte prej kohësh, pasi ka mundur të gjitha forcat e së keqes. Si shumë festa, edhe kjo është një legjendë, sipas së cilës: Na ishte njëherë një princ shumë i mirë, me emrin Rama, i cili ishte martuar me Sitën, një grua shumë e bukur. Na ishte edhe një mbret i tmerrshëm me emrin Ravana, që kishte 20 krahë dhe 10 kokë. Ai dëshironte që Sita të bëhej gruaja e tij, prandaj një ditë e rrëmbeu me karrocë. Gjatë rrugës për në mbretërinë e tij, Sita, e cila ishte shumë e zgjuar, këputi rruazat e saj dhe i lëshoi gjatë gjithë rrugës, që Rama të ndiqte gjurmët e saj. Rama ndoqi gjurmët e vajzës dhe së bashku me mbretin e majmunëve Hanuman, i dërguan mesazhe të gjithë majmunëve që të gjenin vajzën. Ajo u gjet e izoluar në një ishull dhe meqenëse nuk kishte urë që të shpinte aty, majmunët u bënë urë që të kalonte princi. Rama arriti ta shpëtonte vajzën dhe ta vriste Ravanën. Kur u kthyen, populli i priti me llamba me vaj, të ndezura, për të ndriçuar rrugën e tyre. Që nga ai çast, në Indi ndizen dritat për festën e Divalit, për të treguar që e mira fiton mbi të keqen. Festa zgjat tre ditë: fillon dy ditë para dhe arrin kulmin ditën e tretë. Ditën e parë, blihet ndonjë enë kuzhine, shtëpia pastrohet me themel, ndërsa fëmijët blejnë fishekzjarrë, elektrikë dhe qirinj. Krijohet një shtëpi me baltë, që ata e quajnë “Puja”, në nder të Perëndisë së bollëkut, mbrojtëses së grave të martuara. Gjithë natën festohet, kërcehet, luhet me letra dhe festa mbaron në mëngjes, kur lind dielli. Ditën e Divalit (7 nëntor), njerëzit e fillojnë me një banjë, që të pastrojnë shpirtin përpara se të lindë dielli dhe më pas vazhdojnë me masazhe me vaj aromatik. Në mbrëmje, sapo perëndon dielli, vishen me veshje tradicionale dhe mblidhen rreth “Puja”-s, të cilën e kanë zbukuruar me drita dhe qirinj. Pranë shtëpisë vendosen pjatat më të shijshme tradicionale dhe enët e reja që janë blerë. Në këtë çast nis festa. Njerëzit spërkaten me një lloj pudre, ujë të bekuar dhe pasi secili merr një grusht oriz, më i vjetri tregon historinë e Ramës dhe Ravanës dhe më pas fillon shpërndarja e ëmbëlsirave (Gulab Jamun, Barfi etj.).

RECETA E GULAB JAMUNIT

250 g qumësht pluhur 90 g miell që fryhet vetë ose një majë luge sodë për ëmbëlsira (¼ lugë e vogël) 1 majë luge sodë buke 2 lugë sheqer, jo të mbushura plot 1 lugë miell semola 150 ml qumësht i vakët

PËR T’I SKUQUR:

gjalpë i tretur ose vaj kikiriku

PËR SHURUPIN:

220 g sheqer 520 ml ujë 7 kokrra kardamom, të shtypura pak lëkura e një limoni, e prerë në rripa të hollë, vetëm pjesa e verdhë pak lëng limoni 2 lugë shurup trëndafili

PËRGATITJA:

1 . Në një tas përziejmë të gjithë përbërësit me qumështin e vakët, derisa të përftojmë një brumë që nuk ngjit. E ndajmë brumin në 33 topa të vegjël, vëmë në zjarr një tenxhere me gjalpë të tretur, siç e do tradita, ose me vaj vegjetal. I skuqim me zjarr të mesëm që të skuqen edhe brenda dhe i vendosim në një pjatë me letër thithëse për kuzhinë, për t’u hequr yndyrën e tepërt. 2 . Në një tenxhere ziejmë për pak minuta ujin me sheqerin dhe kardamomin. E heqim nga zjarri dhe e lëmë të pushojë për pak minuta. Shtojmë lëkurën e limonit, shurupin e trëndafilit dhe pak lëng limoni. Shurupi duhet të jetë i nxehtë, por jo i valuar. Zhysim në të kokrrat e Gulab Jamunit dhe i lëmë për 2-3 orë derisa të thithin shurupin.

RECETA E BARFIT

1 litër qumësht me yndyrë 200 g sheqer 150 g miell bajamesh pak pluhur kardamomi 2 lugë fëstëkë të qëruar 1 lugë e vogël gjalpë

PËRGATITJA:

Vëmë qumështin të marrë valë në zjarr të mesëm, i mbështesim sipër një lugë druri që të mos derdhet dhe, duke e përzier herë pas here, e lëmë derisa të shohim që trashet (pra, duhet të shterojë dhe të mbetet 1/3 e sasisë së tij). Shtojmë sheqerin dhe duke e përzier vazhdimisht me lugë druri e lëmë në zjarr për 10 minuta, shtojmë bajamet dhe e përziejmë akoma derisa masa e krijuar të shkëputet nga anësoret e tenxheres. E heqim tenxheren nga zjarri, e spërkatim me pluhur kardamomi dhe e përziejmë. Hedhim brumin në një pjatë të madhe të lyer me gjalpë dhe e shpërndajmë. Pasi e zbukurojmë me fëstëkët, e lëmë të ftohet plotësisht dhe vetëm tani e presim në copa.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.