LEMON MERINGUE PIE

Living - - LIVING KUZHINË -

Torta që Bree përgatit shpesh në film. Receta është e gjatë, por jam munduar të shpjegoj çdo hap të saj, që të keni rezultatin e duhur, pasi është pak e komplikuar. Këshilla ime është që të përgatitni në fillim bazën dhe ndërkohë që ajo pushon në frigorifer, të përgatitni kremin me limon. Kur baza të jetë duke u pjekur, përgatitni meringuen.

1 PËRBËRËSIT PËR BAZËN (TAVA 28/30CM):

320 g miell Tipi 00 1 lugë e vogël kripë 1 lugë e vogël sheqer 220 g gjalpë i ftohtë, i prerë në kubikë 1 lugë e madhe uthull molle 5 lugë të mëdha ujë të ftohtë

PËRGATITJA:

Në robot përziejmë miellin me kripën dhe sheqerin, shtojmë gjalpin, ujin e ftohtë, uthullën dhe më pas e hedhim në një tas që ta përziejmë me dorë e ta bëjmë brumë (ose në tavolinë). Brumin e hapim me petës ose direkt në tavë, duke i dhënë formën e tavës që do të përdorim. E lëmë në frigorifer për 30 minuta. Pas kësaj kohe, e shpojmë me pirun, e mbulojmë me letër furre, i hedhim sipër fasule të thata dhe e pjekim për 20 minuta në furrën e ngrohur më parë në temperaturën 210° C. Më pas, i heqim fasulet me letrën, për ta pjekur edhe 20 minuta të tjera. Fasulet shërbejnë si peshë që ajo të mos fryhet gjatë pjekjes, por edhe nëse nuk ia vini, nuk ka problem. Ulim temperaturën e furrës në 165 °C.

2 PËRBËRËSIT PËR MBUSHJEN: KREMI ME LIMON

80 g niseshte misri 300 g sheqer 2 vezë 6 të verdha vezësh 60 g gjalpë i ftohtë nga frigoriferi 80 g lëng limoni (2-3 limona) pak kripë 600 ml ujë lëkura e grirë e 2 limonëve organikë

PËRGATITJA:

Përziejmë niseshtenë me sheqerin me 600 ml ujë dhe e vëmë në zjarr të ngadaltë, duke e përzier vazhdimisht me lugë druri. Në një tas përziejmë me pirun 2 kokrrat e vezëve me 6 të verdhat, shtojmë 3 lugë nga përzierja (të jetë e vakur) që kemi në zjarr dhe pasi t’i përziejmë me rrahëse vezësh me dorë, e hedhim në tenxhere, pa ndaluar përzierjen, derisa të marrë valë për 3-4 minuta. E heqim nga zjarri, shtojmë gjalpin, lëkurën dhe lëngun e limonit, duke i përzier me lugë druri. Hedhim kremin sipër bazës, të cilën e kemi pjekur më parë.

3 PËRBËRËSIT PËR MERINGUEN:

1 lugë e madhe niseshte misri, por jo e mbushur plot (e sheshtë) 5 të bardha vezësh 100 g sheqer një majë luge kripë ¼ lugë e vogël cremor tartaro, por ju mund ta zëvendësoni me sodë buke lëkura e grirë e një limoni organik 80 ml ujë

PËRGATITJA:

Përziejmë niseshtenë me ujin në një tenxhere të vogël, e vëmë në zjarr të ulët, duke e përzier vazhdimisht me rrahëse vezësh me dorë. Kur të marrë valë, e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet mënjanë. Në një tas përziejmë sheqerin me sodën e bukës dhe pak kripë dhe e lëmë edhe këtë mënjanë. Bëjmë marengë të bardhat e vezëve me rrahësen elektrike ose në robot. Shtojmë pjesë-pjesë përzierjen e sheqerit me sodën dhe më pas edhe përzierjen e niseshtesë me ujin (të jenë ftohur), pa ndaluar përzierjen e tyre me rrahësen elektrike. Këtë krem e shpërndajmë në tavë sipër kremit me limon. E vëmë tortën të piqet përsëri në furrë për 30/35 minuta në temperaturën 165° C, derisa meringue të marrë pak ngjyrë karameli. Kur të jetë pjekur, e lëmë të ftohet në temperaturë ambienti dhe më pas e ruajmë në frigorifer. Shërbejeni pasi të jetë ftohur në frigorifer për të paktën 3 orë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.