e dytë në kopshtin tuaj

Living - - LIVING KOPSHTARI - NGA ELONA JAÇELLARI FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Kemi fatin të jetojmë në një vend ku dielli nuk na mungon edhe në stinën më të ftohtë të vitit. Si rrjedhojë, lulëzimi i ballkoneve, verandave dhe kopshteve nuk është një sfidë e pamundur. Megjithatë, nuk e di pse me mbarimin e verës, duket sikur shumica e kopshteve përgatiten për të filluar letargjinë. Është e vërtetë që një pjesë e ciklit të luleve, perimeve dhe zarzavateve mbarojnë ciklin e tyre të jetës me mbarimin e stinës së nxehtë, por me pak kujdes dhe kërkime, mund ta lini zgjuar edhe në dimër kopshtin, pse jo edhe ballkonin tuaj. Nëse nuk ju ka shkuar në mendje ta shfrytëzoni natyrën bujare për stinën që po vjen, është koha të përvishni mëngët. Filloni nga puna, në mënyrë që gjatë netëve të dimrit, të mos ëndërroni për pranverën dhe ditët e saj të bollëkut në kopshtin tuaj. Living ka udhëtuar në një fermë në Baldushk, aty ku të gjitha produktet e kopshtit: perime, zarzavate e më gjerë, rriten në mënyrë tërësisht natyrale. Nga kujdestari i saj, Albert Karaj, i cili është specialist në hortikulturë, kemi “vjedhur” disa këshilla për t’i ndarë me ju. Kështu, mund të rijetësoni kopshtin tuaj në vjeshtë. “Me përfundimin e verës, mbarojnë ciklin e tyre edhe një pjesë e mirë e zarzavateve, perimeve dhe luleve, por vjeshta ka pjesën e saj të lulëzimit”, tregon specialisti i hortikulturës. Ai thotë se, tani është koha ideale për të përsëritur disa mbjellje në kopsht, por edhe për të kultivuar bimë të reja, të cilat kanë vjeshtën kohën optimale të zhvillimit.

ÇFARË MUND TË MBILLNI NË VJESHTË?

Për sa u takon kushteve klimatike, specialistët e hortikulturës thonë se vjeshta ka temperatura të njëjta me pranverën dhe në këtë pikëpamje, bima e gjen veten komode në harlisjen e saj. Nëse gjatë pranverës dhe verës nuk ju kanë munguar sallatat e ndryshme, Karaj ju siguron që mund t’i keni ato edhe në vjeshtë, derisa të nisë pragu i ngricave, kur shumica e bimëve nuk iu bën dot rezistencë temperaturave nën zero. Nëse nuk keni ruajtur farë, shkoni në një farmaci bujqësore dhe blini disa të tilla. Sigurohuni që mes tyre të mos mungojë sallata jeshile, çikorja, pazia, rukola, spinaqi. Me këtë mot, deri në prag të dhjetorit kopshti juaj do të gjelbërojë prej tyre, dhe tryezës nuk do t’i mungojnë sallatat e freskëta e natyrale të rritura në kopshtit tuaj. Spinaqin, rukolën dhe sallatën jeshile, mund t’i keni 12 muajt e vitit në ngastrën tuaj bujare.

ËSHTË KOHA E KRYQOREVE

Shtator-tetori është koha ideale për të hedhur farën e lulelakrës, brokolit, lakrës së Brukselit dhe të gjitha bimëve të kësaj familjeje. Në vjeshtë ato rriten dhe zhvillohen në kushte optimale. Bujaria e vjeshtës shkon edhe më tutje. Ata që e njohin këtë fushë, e dinë mirë se tani është fiks momenti për të mbjellë hudhrën, qepën dhe preshin.

ERËZA TË FRESKËTA SI NË PRANVERË

Mbillen në pranverë, por absolutisht mund t’i keni përsëri në vjeshtë në kopshtin tuaj. Flas për erëzat e shëndetshme dhe bazike për kuzhinën tonë: borzilokun, rozmarinën, majdanozin dhe koprën. Sipas Karajt, të gjitha këto mbillen tani dhe konsumohen në dimër. Po ashtu, në vjeshtë është edhe momenti i finokut.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.