TË KTHESH PASIONIN NË PROFESION

Living - - LIVING PERSONAZH -

Mbase jo shumëkush e di që kapërcimin në këtë profesion ai e ka bërë në një moshë të madhe. Iliri ka qenë inxhinier elektrik. Për shumë vite ka punuar në riparimin e televizorëve dhe magnetofonave dhe me t’u hapur sistemi, në fillim të viteve ’90 ai ka çelur ndër të parët biznese private në Shqipëri: një laborator për riparimin e pajisjeve elektronike. “Në atë kohë filluan të vinin televizorët e parë ‘Samsung’, ndërsa magnetofonat filluan të shiteshin si domate, me furgona, sepse ishte tregu bosh, - tregon Iliri. - U hap shumë puna, por unë bëra lëvizjen time. Hapa një minimarket, pastaj një restorant, pastaj, në `94-n bëra lëvizjen tjetër, duke çelur biznesin e dyerve dhe dritareve. Me këtë biznes u orientova te kompanitë e mëdha, firma ndërtimesh. Më vonë bëra edhe vetë ndërtime.” Pas gjithë këtyre përvojave, tani regjisorit i ka mbetur trashëgim nga e shkuara e tij profesionale, hoteli “Idea”, një ndërtesë 10-katëshe. Ndërsa profesioni i ri, në të cilin kapërceu pas gati dy dekadash, i ka lënë trashëgimi tetë filma dhe një dokumentar. Ky kalim i madh, nuk ishte rastësi. Përgjatë viteve, brenda zemrës së tij shtrydhej një pasion, një ëndërr e madhe kinematografike kish nisur të brumosej qysh kur ishte fëmijë. “Universitetin e jetës, e bëra pranë filmave, Kinostudios,

Filmat i tij artistikë “Daja” dhe “Tuneli” kanë marrë vlerësime jashtëzakonisht të mira nga kineastët. Kjo, falë pasionit dhe gjithë potencialit që regjisori Ilir Harxhi ka vënë në tetë filmat e tij të realizuar deri më sot.

aty ku kalova fëmijërinë dhe pubertetin, - rrëfen regjisori i ‘Tunelit’. - Mamaja ime ka punuar në Kinostudio si ekonomiste. Shtëpinë e kishim 300-400 metra larg dhe ajo, për të më mbajtur afër, si djalë i vetëm që isha, më mbante gjithë kohën brenda Kinostudios. Në njëfarë mënyre, më sëmuri. Jam rritur me të gjithë kineastët e mëdhenj, një pjesë e të cilëve janë në qiell tani. Kam kujtime të pafundme nga koha që kam kaluar pranë grupeve të filmit. Kujtoj Filmin ‘Ngadhënjim mbi vdekjen’. Kam qenë 7 vjeç atëherë, rrija me mamin, që kontrollonte grupin e xhirimit. Kemi ndenjur afro një javë në sheshxhirim. Ndërsa te filmi ‘Kur zbardhi një ditë’, kam qenë i pranishëm gjatë gjithë xhirimeve, i di të gjitha skenat përmendësh. Atëherë kam qenë 12 vjeç. Janë sa e sa kujtime, emocione që unë i kam jetuar aty.” I ushqyer që fëmijë me prapaskenat e një filmi, Iliri nuk kishte sesi të mos ndikohej nga magjia e botës kinematografike. Dëshira e tij ishte të studionte në këtë fushë, por e vetmja rrugë për t’i hyrë këtij drejtimi ishte të konkurronte për aktor, që më pas t’i krijohej mundësia të punonte si as/regjisor, sepse nuk kishte shkollë regjie asokohe. “Në degën e aktrimit, konkurrenca ishte shumë e madhe. Një mijë konkurrentë për 22 studentë. Të gjithë aktorët e mëdhenj që punuan me mua, që nga i madhi Kadri Roshi, Prokop Mima, Robert Ndrenika, Timo Flloko, më thoshin se isha i talentuar, por kisha probleme me zërin. Sipas tyre, nuk ishte i vendosur në regjistrin e vet dhe oshilonte. Nuk fitova dot”, - rrëfen Ilir Harxhi. Por, kjo dëshirë që i mbeti e parealizuar i digjte gjithë jetën përbrenda. “Miq të mi të artit, që ma dinin pasionin, më thoshin ‘të doli më mirë’. Pavarësisht se unë eca dhe u rrita shumë në biznes, nuk më mbushte asgjë përpara kësaj. Ndodhi një ngjarje e rëndë në jetën time, që ndërrova drejtim. Para kësaj, thosha që kur të jem në moshën e tretë, do të merrem me regji. Rastësisht, në 2001shin, gjatë një kontrolli rutinë, zbuloj që një sëmundje ishte zhvilluar në heshtje, dhe unë isha projektuar për të shkuar në ‘Mbretërinë e kalciumit’. Për 3-4 ditë u zhvilluan ca ngjarje shumë të shpejta. Mora avionin, u operova. Fati deshi që të mos shkoja në ‘Mbretërinë e kalciumit’, por të bëhesha regjisor.” Sapo kaloi tronditjen më të fortë të jetës, Iliri u kthye në Shqipëri dhe vendosi të zvogëlonte biznesin. Këtu jeta e tij ndërroi tërësisht drejtim, ndërroi edhe mënyra se si nisi ta shihte “jetën e re”. “Kapërcimi i madh që unë prisja, ndodhi në një moment aq të vështirë. Po bëhesha gati të nisja një shkollë në Itali për regji filmi, kur, atë vit, në 2004–n, zbulova që ishte hapur një shkollë filmi në Shqipëri, shkolla ‘Marubi’. Isha 44 vjeç. Më morën në konkurs. Ishte një konkurs minimal për mua, sepse kisha një background tjetër, isha marrë me art dhe kisha lexuar sa nuk isha lodhur. Ndihej një plotësim i brendshëm dhe shkolla ishte e domosdoshme. Edhe pse duhet të them që shkollën e vërtetë ma bëri Kinostudio. Të gjitha ato që unë kam bërë si regjisor, i kam parë me vite, duke ndenjur pranë dekoreve, kostumeve, rekuizitës, pranë armëve etj. Shkolla e dytë ishte ‘Marubi’. Pastaj bëra masterin shkencor, dy vjet në Universitetin e Arteve për regji filmi dhe televizioni.” Me përfundimin e universitetit, Harxhi hapi shtëpinë filmike, ku morën jetë edhe filmat e tij të parë dhe nisi kështu rrugëtimi i ri profesional. “Kur nisa filmin, familja, gruaja, nëna, e dinin që unë digjesha përbrenda. Nëna ime ka 4 vite që ka ndërruar jetë, por kur pa filmin e parafundit, ‘Daja’, më tha: ‘E realizove ëndrrën’. Sepse ajo më kishte çuar në njëfarë mënyre drejt kësaj ëndrre. Ajo e dinte se unë rrija gjithë ditën në Kinostudio, duke lexuar skenarët e regjisorëve.” Shumica e kineastëve shqiptarë e dinë vështirësinë që hasin projektet e tyre, sa u takon financimeve. Njësoj do të qe edhe për Ilirin, nëse ai vetë nuk do të kishte financuar filmat e tij. “Kam bërë gjashtë filma me paratë e shtëpisë. Dhe i kam dhënë fjalën familjes që ‘Tuneli’ do të ishte i fundit, sepse atë e kam bërë 100 % me kursimet e mia. Është filmi i parë artistik i gjatë në Shqipëri, me vetëfinancim të plotë. Aty unë jam skenarist, regjisor dhe producent i filmit,” - përfundon këtë rrëfim të tijin regjisori që guxoi ta shkelte këtë profesion diku afër moshës së mesme. Pas tetë filmave të tij artistikë, projekti i tij i ardhshëm është një skenar 10-vjeçar. Ka disa kohë që fle në sirtar, por ashtu siç zgjoi nga gjumi i gjatë ëndrrën e tij fëmijërore për regjisurën, më të njëjtin pasion dhe këmbëngulje po i jep jetë edhe këtij projekti të ri.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.