“DOMATE JESHILE, TË SKUQURA”

Domate jeshile të skuqura, marrë nga filmi

Living - - LIVING KUZHINË -

Kjo recetë u bë e famshme nga një film shumë i bukur, ngjarjet e të cilit zhvillohen në vitet ’30. Ajo është historia e 4 grave dhe vë përballë dy breza. Aty trajtohet shumë bukur tema e miqësisë dhe dashurisë, si një kurë kundër problemeve që po sillte modernizimi i jetës. Autorja e librit ku bazohet filmi, në faqen e fundit ka vendosur recetën që realizohet në film dhe që është tipike për jugun e Shteteve të Bashkuara. Domatet që ato përdorin janë një varietet i veçantë, ndryshe nga ato që përdorim në Europë. Ato janë të forta dhe kanë shumë pak fara, pra, nuk kanë lidhje me domatet tona kur janë të papjekura. Gjithsesi, nuk dalin keq dhe domatet tona jeshile dhe amvisat që e kanë parë filmin, me siguri kanë dëshirë t’i provojnë, ashtu si edhe unë.

PËRBËRËSIT: 4 domate jeshile (mundësisht, me sa më pak fara) 2 vezë 80 g miell Tipi 00 80 g miell misri 10 g sheqer kripë e piper i zi, sipas nevojës vaj kikiriku për t’i skuqur

PËRGATITJA: Presim domatet për së gjeri, për të pasur feta të trasha 1 cm dhe i vendosim në një kullese për 30 minuta, që të humbin lëngun. Pas kësaj kohe: Në një tas hedhim me sitë miellin e misrit dhe miellin Tipi 00. Shtojmë sheqerin dhe i përziejmë të gjitha me lugë druri. Në një tas përziejmë vezët me pak kripë e piper. Fetat e domateve i thajmë me letër thithëse kuzhine, i zhysim te vezët e rrahura dhe më pas te përzierja e miellrave. Kështu veprojmë me çdo fetë domateje, nga 2 herë. I skuqim fetat e domateve në vaj të nxehtë dhe kur të kenë marrë ngjyrë nga të dyja anët, i vëmë në një pjatë të madhe me letër thithëse kuzhine, pa i vendosur mbi njëra-tjetrën. Për t’i shijuar krokante i shërbejmë menjëherë të nxehta, në të kundërt, mund t’i ruani në frigorifer në një enë me kapak, për një ditë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.