Torta me çokollatë e filmit “CHOCOLATE”

Living - - LIVING KUZHINË -

Për mendimin tim, ky film është shumë i bukur në të gjitha drejtimet, mbi të gjitha për mesazhin që na jep, që secili nga ne mund të ndryshojë gjërat! Nëse nuk e keni parë, jua këshilloj ta shihni. Blini një kuti me çokollata, se me siguri do t’ju kapë dëshira për të ngrënë të tilla dhe shikojeni me personin e duhur, pasi është një himn i vërtetë për çokollatën dhe vetitë e saj, që të bën të ndihesh mirë me veten dhe të tjerët.

PËRBËRËSIT PËR TAVË ME DIAMETËR 24 CM:

125 g gjalpë në temperaturë ambienti 150 g sheqer 2 vezë 200 g çokollatë fondente 1 lugë e vogël lëkurë portokalli të grirë 220 g miell 2 lugë të mëdha me kakao të hidhur 1 bustinë sodë për ëmbëlsira (16 g) 250 ml qumësht

PËR KREMIN ME ÇOKOLLATË QË DO TË HEDHIM SIPËR, PASI TORTA TË PIQET:

250 g çokollatë e zezë 375 ml pana për ëmbëlsira

PËRGATITJA:

Ndezim paraprakisht furrën në temperaturën 180° C. 1 Shkrijmë në banjëmari çokollatën me dy lugë qumësht, e heqim dhe e lëmë të vaket. 2 Në robot ose me rrahësen elektrike të vezëve, rrahim sheqerin me gjalpin derisa të bëhen si krem, shtojmë vezët një nga një (pasi të jetë përzier e para, shtojmë të dytën), shtojmë çokollatën e shkrirë dhe lëkurën e portokallit të grirë. 3 Në një tas hedhim me sitë miellin, kakaon dhe sodën. I përziejmë me spatul dhe i shtojmë pjesë-pjesë me lugë, duke hedhur herë nga kjo masa dhe herë qumësht në tasin ku kemi vezët me përbërësit e tjerë. E hedhim brumin në një tavë të lyer më parë me gjalpë e kakao. E pjekim për rreth 40 minuta ose derisa kur të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh, ajo të dalë e pastër. E heqim nga tava pas 10 minutash dhe e lëmë të ftohet mbi një grilë, që të mos krijojë lagështirë nga poshtë. Ndërkohë, përgatisim kremin me çokollatë: në një tenxhere të vogël hedhim panën, e vëmë në zjarr dhe kur të marrë valë e heqim nga zjarri. Shtojmë menjëherë çokollatën, të cilën e kemi grirë në copa të mëdha. E përziejmë mirë me lugë druri derisa të kemi një krem homogjen. E lëmë të ftohet në temperaturë ambienti dhe më pas e lëmë në frigorifer sa të trashet, për ta lyer tortën si krem me të.

USHQIMI DHE FILMAT JANË NJË BINOM POTHUAJSE PERFEKT. Çdo film i frymëzuar nga ushqimi ka një ndikim të madh për të na mbajtur para televizorit, duke na ngjallur emocione, por edhe duke na zbuluar receta të reja, që mbeten në zemër bashkë me protagonistët e filmit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.