MARTESA

Living - - LIVING PERSONAZH -

Kush është ai që vendos për planet e së ardhmes në familje, ti apo Jakubi? Besoj se, në mijëvjeçarin ku jetojmë, nuk ka më vlerë kjo pyetje. Vendimet në familje janë të përbashkëta, sepse për sa kohë thua “familje” do të thotë që gjithçka ndahet mes të gjithë anëtarëve të saj. Si të thërret Jakubi? Keni ndonjë fjalë përkëdhelëse tuajën? (Qesh) Kubi gjen gjithnjë fjalë të bukura për mua, së fundmi ka nisur të më thërrasë “zog”. Kur mendoni ta shtoni familjen? Do të doje që fëmija i parë të jetë djalë apo vajzë? Çdo gjë në jetën tonë vjen spontanisht dhe pa e menduar, ashtu siç ka ardhur takimi ynë, lidhja, fejesa jonë, po ashtu dhe dasma. Edhe këtë do t’ia lëmë çastit dhe Zotit, por për momentin do të mundohemi të shijojmë dashurinë dhe jetën tonë të re si burrë dhe grua, që e kemi filluar vetëm disa kohë më parë. Sa ka ndryshuar jeta e Afërditës pas martesës? Ka ndryshuar ritmi, përshtatja me bashkëshortin apo asgjë prej këtyre? Përveç unazës në gisht dhe faktit që më duhet ta quaj bashkëshort, çdo gjë tjetër është e njëjtë. Çfarë bashkëshorteje është Afërdita? Sa kujdesesh që çdo gjë të shkojë mirë? Sa e kujdesshme je ndaj shtëpisë e bashkëshortit? Besoj se jam një bashkëshorte e mirë, por për këtë notën e jep Kubi dhe deri tani nuk ka ankesa. Më pëlqen rregulli dhe përpiqem që të kem gjithçka në kontroll kur jam në shtëpi. Sa gatuan Afërdita? Cili është ushqimi i preferuar i Jakubit? Ke mësuar të gatuash ndonjë pjatë tradicionale shqiptare? Në fakt, kohët e fundit kam shumë qejf të gatuaj dhe çdo ditë provoj të bëj diçka të re. Kam provuar të bëj edhe pjata tradicionale shqiptare, por nuk ia kam dalë t’i bëj aq të mira sa mami im. Çfarë të pëlqen nga Praga dhe çfarë nga Miçigani? Ka plot gjëra, të cilat të bëjnë ta duash një qytet/shtet. Në Pragë më pëlqen arkitektura, fakti që distancat janë të afërta, ndërsa nga Miçigan, në përgjithësi dua shumë energjinë e njerëzve. U rrita atje dhe më lidhin shumë kujtime me atë vend. A ke filluar të mësosh ndonjë fjalë çeke? Po, disa fjalë. Mes kujt po jeton tani: mes Pragës dhe Miçiganit? Pragë – Majami - Nju Jork - Miçigan Shqipëri. As unë nuk e di ku po jetoj. Sa e lidhur je me shtëpinë apo je gjithmonë në lëvizje dhe shtëpinë e ke si hotel? Jo, jam shumë e lidhur me shtëpinë. Kur ndryshoj vendndodhjen për një kohë të gjatë, nuk jam edhe aq rehat.

AFËRDITA PËR VETEN

Sa kohë i kushton vetes në ditë? Ushtrohesh në palestër apo pëlqen më shumë vrapin në natyrë? Bëj palestër pesë herë në javë, kur nuk jam e angazhuar me punë. Më pëlqen edhe kontakti me natyrën, por tani në vjeshtë dhe dimër bëhet pak e vështirë për shkak të motit. Cilat janë ritualet e tua të bukurisë? Kur zgjohesh në mëngjes dhe si vijon dita? Na trego ndonjë sekret bukurie tëndin. Nuk bëj ndonjë gjë të hatashme. Pi shumë ujë dhe nuk pi duhan. Çdo natë vendos kremrat e mia të fytyrës dhe kaq. Sa e guximshme je për të ndryshuar pamjen? Qoftë në ngjyrë apo në modele të ndryshme... Jam tradicionale në ngjyrën e flokëve, nuk më pëlqen ta ndryshoj dhe kur ndodh që të kem ndonjë ndryshim në nuancë, bëj gjithçka që të kthehem te ngjyra ime, kurse në prerje dhe modele nuk e kam problem, më pëlqen të ndryshoj. Ke bërë ndonjë ndërhyrje në trup? Mendon se duhet, atëherë kur duhet... Kam menduar se ky profil i revistës i dedikohet familjes, jetës së shëndetshme dhe jo operacioneve plastike. Çfarë preferon më shumë të veshësh, fustane apo pantallona? Ku e gjen më shumë veten Afërdita gjatë ditëve të saj? Kjo është në varësi të ditës, gjendjes, mendimit me të cilin jam zgjuar... Zakonisht, në jetën e përditshme preferon takat apo atletet? Si është pamja jote apo varet nga impenjimet që ke?

Atletet, dhe përgjithësisht, gjatë ditës jam casual, me përjashtim të mbrëmjeve kur dal me Jakubin ose shoqërinë. Sa e lidhur je me rrjetet sociale? Preferon të postosh çdo aktivitet tëndin apo je selektive në përzgjedhje? Jam e lidhur, por jo e varur, dhe sa i takon postimeve mendoj se jam shumë selektive. A ke tatuazhe në trup? Po, kam dy. A je e lidhur me të shkuarën? A të pëlqen kur kthehesh në vendin ku ke lindur e je rritur? Jam shumë nostalgjike dhe shpesh kujtoj segmente të së shkuarës.

MODELINGU DHE KËNGA

Ç’është modelingu për ty dhe sa mendon se mund ta vazhdosh këtë profesion? Modelingu ka qenë profesioni im i parë, i vërtetë, kësisoj është shumë i rëndësishëm. Nuk e di edhe për sa do ta vazhdoj, pasi edhe momentalisht nuk jam shumë e angazhuar në të, kështu që gjithçka do t’ia lëmë kohës. E mban mend shërbimin e parë fotografik? Në ç’moshë ke qenë dhe si je ndier? Sigurisht që e kujtoj: kam qenë 16 vjeç dhe atë kohë mendoja se kisha bërë një gjë shumë të madhe. Cilin mban mend si shërbimin fotografik më të vështirë në jetën tënde dhe pse? Ka shumë shërbime që do t’i konsideroja të vështira, për shkak të temperaturave të ulëta në të cilat kam punuar, për shkak se më është dashur të rrija mbi 12 orë në set, për shkak se më është dashur të vesh këpucë më të vogla etj. A je përdorur si imazh në ndonjë nga firmat e mëdha të modës? Po, kam qenë imazh për disa kompani. Si e shikon modelingun në Shqipëri apo dhe në Kosovë? A ka ndryshuar ndonjë gjë? Nuk mendoj që ka një industri modelingu në Shqipëri. Ka vajza dhe djem që pëlqejnë të bëjnë foto dhe shumë pak përpjekje për të ndërtuar diçka profesionale në këtë drejtim. Gjatë kësaj periudhe a ke filluar të mendosh ndonjë projekt për ndonjë këngë të re? A do të kemi ndonjë videoklip të ri? Jemi rrugës. Shumë shpejt besoj se do të sjell diçka të re për publikun shqiptar. Mendon se ia vlen të bashkëpunosh edhe me femra në këngë apo meshkujt janë më komodë në punë? Nuk kam paragjykime në këtë drejtim. Kam njohur djem dhe vajza shumë korrektë, ashtu si dhe të kundërtën. Ndonjë këngë në anglisht do të dëgjojmë? Në këngët e mia ka strofa në anglisht, por ato i drejtohen publikut shqiptar, ndaj mendoj që teksti në gjuhën angleze nuk do të rrinte dhe aq mirë. Çfarë lloj muzike pëlqen Afërdita? Çdolloj muzike. Modelingu apo kënga? Pse duhet t’i ndaj? Pse duhet të vihemi gjithnjë përpara një zgjedhjeje?

MARRËDHËNIA ME MEDIET

Duke qenë se je personazh publik dhe puna që bën ka lidhje edhe me televizionin, pse ke zgjedhur të mos dalësh shpesh në intervista? Sepse nuk dua të dal kot në media, kur s’kam asgjë për të thënë. Kam zgjedhur të ndaj me mediet çastet më të rëndësishme të jetës sime dhe gjithnjë kam qenë dashamirëse. Kam pritur të njëjtën gjë, jo gjithmonë më është kthyer, por, sidoqoftë, unë u jam mirënjohëse të gjithë atyre që kanë qëndruar korrekt në këtë raport dhe me ta do të bashkëpunoja në çdo kohë. Cili është lajmi më i çuditshëm që ke dëgjuar për veten? Tani nuk më çudit më asgjë, por kam lexuar shumë gënjeshtra, që më kanë bërë ndoshta edhe të marr një pozicion të distancuar me mediet. Cila është ajo pjesë e jetës tënde private, që është përfolur aq shumë, por që është kryekëput një gënjeshtër dhe nuk ke preferuar të flasësh më parë? Unë nuk merrem me gënjeshtrat.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.