TRANZICIONI I BUKURISË SË THONJVE

NGA PËRZIERJA E DYLIENTIT ME LLAK, TE MANIKYRËT E VËRTETË

Living - - PËRMBAJTJA - NGA: ELONA JAÇELLARI FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Personalisht, thonjtë pa manikyr më duken si një trup pa rroba. Janë zgjatimi më elegant i dorës dhe te një vajzë a grua, gishtat e kuruar shtojnë ndjeshëm dozat e feminitetit. Sigurisht që nuk i perceptoja aspak të tillë kur isha fëmijë, atëherë kur lindi dashuria ime për manikyrin. Si për çdo vajzë të ardhur në jetë në vitet ’80, edhe për mua ky produkt kozmetik ngjallte një kërshëri të rrallë. As mamaja ime dhe asnjë nga gratë e fisit nuk kishin një të tillë. Përveç një livandoje, një pudre, një lapsi të zi dhe një të kuqi buzësh, në sirtarin femëror të sime mëje, nuk gjeje gjë tjetër. Nuk di nga frymëzohesha për lyerjen e thonjve kur isha vajzë e vogël, se atëherë televizori nuk mund të na ofronte modele të tilla, por mbaj që në klasën e parë, i hiqja majën rezervës së kuqe të stilolapsit dhe me bojën e saj lyeja thonjtë. Pak më e rritur, kam pasur fatin edhe të krijoja manikyr të vërtetë, se të blije një produkt të tillë ishte e pamundur. Mbaj mend që i lutesha shpesh tim eti të më merrte pak llak industrial dhe dylient te shoku i tij këpucar. M’i sillte në shishka të vogla penicilinash dhe dy përbërësit, i bashkoja në një shishkë. Pasi i kisha përzierë, me breshëri lutjesh, mezi e bindja mamin të më jepte pak nga i kuqi i saj i buzëve. E shkrija buzëkuqin në shishkën me material industrial, dhe kisha në duar kështu, manikyrin tim origjinal. Ndërsa për furçë lyerjeje, përdorja një kunj shkrepëseje të shtypur pak me dhëmbë te bishti, që të krijoheshin disa fije dhe lumturia në fund të procesit nuk kishte të sosur. Do të isha e privilegjuara e vajzave të lagjes dhe e kritikuara e mësueseve në shkollë, që më tërhiqnin vërejtje për sjellje të pahijshme vajzërore. U deshën të kapërcenin vitet ’90 që nëpër tregjet e lira dhe kinkaleritë e vogla të

gjeje manikyr. Edhe ato vite s’ishin të bollshme, por unë kurseja çdo gjë nga dhurimet e të rriturve dhe çdo kursim imi, shkonte për manikyr. Atëherë kur një palë thonj të lyer ende nuk përbënin normën, unë guxoja të eksperimentoja me ta. Krijoja modele e vizatime të llojllojshme. I ndaja në dy gjysma dhe çdonjëra nga gjysmat lyhej me ngjyra që krijonin kontraste të forta. Kjo, më së shumti për thonjtë e këmbës, se për ato të duarve, eksperimenti avanconte më tej. Aq të forta ishin këto eksperimente, sa një ditë, gjatë orës së mësimit, profesori i kimisë ndali shpjegimin dhe u afrua tërë kureshtje për të studiuar një send të vogël argjendi, që tundej nga maja e thoit të gishtit të unazës, në dorën time të djathtë. Ishte kureshtja që iu ngjallja të gjithëve, në fakt, sidomos vajzave të gjimnazit, të cilat ma kopjuan shumë shpejt stilin dhe metodën për të varur aksesor në thonj. Unë përdorja një gjilpërë të nxehtë për të shpuar pjesën e thoit të zgjatur. Në vrimën e vogël fusja një rreth argjendi që ia merrja ndonjë varëseje të këputur dhe brenda saj varja ose një kryq argjendi, ose delfin. Kuptohet që kjo marrëzi zgjati derisa isha adoleshente. Megjithatë, përtej kësaj faze, nuk hoqa kurrë dorë nga kujdesi për thonjtë dhe duart. S’mund të ndodhte në asnjë rast, që gishtat e mi të rrinin pa u lyer dhe me vitet, fitova edhe betejën me babin për t’i mbajtur thonjtë të gjatë. E kam dashur shumë këtë pjesë dhe gjithmonë i kam dhënë dhe vazhdoj t’i jap rëndësi kujdesit të duarve dhe thonjve. Janë ato detajet e vogla që sipas mendimit tim, tregojnë shumë për kujdesin e një gruaje ndaj vetes. Ndaj më duket e paperceptueshme që në sirtarin e produkteve kozmetike të një vajze a zonje, të mos gjesh solucion për pastrimin e thonjve, një manikyr, apo minimalisht një shkëlqyes thonjsh. Në mungesë të kohës për trajtime më të gjata, kaq mjafton për ta treguar një dorë femre estetikisht mirë. Personalisht kam një duzinë manikyrësh dhe aksesorë thonjsh në shtëpi dhe nuk kam shkuar asnjëherë tek estetistja për të bërë thonjtë. Më pëlqen të luaj me disenjot dhe detajet që provokojnë feminitetin përmes duarve dhe ndihem mirë kur vajzat e zyrës ma besojnë hera-herës kujdesin për thonjtë e tyre. Besoj që ky është një pasion, i cili do të vdesë me mua dhe para se të shkoj , po ju lë disa këshilla se si të kujdeseni vetë për thonjtë dhe duart tuaja në shtëpi.

LIVING BUKURI

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.