Panorama (Albania)

Kukësi i beson pankinën Ernest Gjokës

-

Pas eliminimit nga Liga e Europës, kundër Austrisë së Vjenës, te Kukësi kanë qenë të menjëhersh­me lëvizjet. Hasan Lika u largua nga drejtimi i skuadrës dhe u prezantua Ernest Gjoka si trajneri i ri. Në fakt, ky pozicion kishte qenë vakant që pas ikjes së Klodian Duros, vendin e të cilit e zuri momentalis­ht Lika. "Kam ardhur për titullin kampion". Kjo ka qenë deklarata e parë e trajnerit të ri Ernest Gjoka në krye të Kukësit. Ai e krahasoi klubin verilindor si Ferrari, që kërkon sa më shpejt të arrij i parë në finish. "Për mua është nder i madh emërimi si trajner i Kukësit. Jam i lumtur që i jam bashkuar këtij klubi me një projekt ambicioz. Kukësi është një realitet në futbollin shqiptar dhe lufton gjithmonë për titullin kampion. Jam këtu për këtë qëllim, që të gjithë bashkë të nxjerrim Kukësin kampion. Ky klub po bën një histori të jashtëzako­nshme dhe unë kam marrë përsipër që ta udhëheq deri në fund të sezonit për arritjen e titullit. Ky është një objektiv madhor për ne, por me punën që do të bëjmë, do të japim rezultat. Unë kam drejtuar disa skuadra dhe një ndër më cilësoret ka qenë Flamurtari, aty ku dhe fitova Kupën. Mirëpo, Kukësi tashmë është klubi më i rëndësishë­m që drejtoj si trajner. Është një trampolinë më e madhe për të arritur më shumë suksese. Kukësin do ta krahasoja me një makinë të shpejtë si Ferrari, që ka kohë që garon dhe do me patjetër që të jetë i pari në finish. Ishte bindja ime që të merrja drejtimin e kësaj skuadre dhe kam dëshirë të riskoj gjithçka për të qenë i suksesshëm", ka thënë fillimisht në daljen e parë para mediave trajneri i Kukësit. I pyetur për lëvizjet e mundshme në skuadër, ai sqaroi: "E kam ndjekur skuadrën dhe i njoh mirë lojtarët. Kemi elemente cilësore dhe besoj se na duhet të bëjmë vetëm dy- tre afrime cilësore".

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania