E mbijetuara nga Aquila humbi të bijën në Romë
Marisol Piermarini ishte vetëm 18 muajshe, ndodhej me pushime së bashku me prindërit e saj në Arquata del Tronto. Nëna e saj, Martina Turco, ishte e mbijetuar nga tërmeti në Aquila, qyteti i saj. Pas eksperiencës së vitit 2009, ajo kishte vendosur të transferohej në Ascoli. Por kësaj radhe, në këtë qytet ku mendoi se do të gjente qetësi dhe shpëtim nga tmerri që pati kaluar, tërmeti i mori jetën e së bijës. Vetë Martina është e shtruar në spitalin rajonal “Torrette di Ancona”, ku po përballet me pasojat e rënda të qëndrimit për një kohë të gjatë nën gërmadhat e ndërtesës ku po flinte, në kohën që goditi tërmeti. Partneri i saj, Massimiliano, është i shtruar në spitalin “Mazzoni di Ascoli” për të kuruar plagët që ka marrë në disa pjesë të trupit, por nuk e rrezikon jetën. Në një dhomë tjetër gjendet trupi i vogël i pajetë i Marisol, ku afër i qëndrojnë të afërmit e tjerë, të tronditur nga humbja. Mes tyre edhe gjyshi Massimo Piermarini. Ai ishte mes të parëve që kishte mbërritur në Arquata. “Nuk donin të më linin të kaloja, se ishte e rrezikshme, por unë u thashë se nuk më interesonte aspak dhe hyra atje ku po kërkonin. Fatkeqësisht, për vogëlushen nuk mund të bëhej më asgjë”, ka rrëfyer ai mes lotësh.