Spanjë, 3 shqiptarë kapen me 46 kg heroinë e kokainë
Operacioni, Europoli ndiqte rrjetin e drogës prej një viti
Policia zbuloi dje detaje të reja nga një operacion antidrogë i zhvilluar në Spanjë nga Europol, ku janë goditur një grup shqiptarësh e bullgarësh.
Gjatë operacionit të koduar “Cromanon”, policia europiane ka vënë në pranga tre shtetas shqiptarë, që dyshohet se drejtonin rrjetin e trafikut dhe një shtetas bullgar, bashkëpunëtor i tyre. Sipas informacioneve të publikuara në faqen zyrtare të Europol, dhe që u bënë të ditura dje nga Policia e Shtetit, grupi i trafikantëve merreshin me edhe me shpërndarjen e lëndëve narkotike, heroinë e kokainë, në Barcelonë dhe Tarragona të Spanjës. Policia e Shtetit tha dje se gjatë këtij operacioni janë arrestuar tre shtetas me origjinë shqiptare dhe një shtetas bullgar. Konkretisht janë vënë në pranga shtetasit me iniciale A. Q., 47 vjeç, A. D., 41 vjeç dhe E. Sh., 27 vjeç, të tre shqiptarë, si dhe P. D., 41 vjeç, shtetas bullgar. Gjatë këtij operacioni është arritur të sekuestrohet një sasi prej 46 kilogramë lëndësh narkotike, nga të cilat 38 kg heroinë e pastër, 8 kg kokainë e pastër, si dhe 50 kg përzierës. Europol informoi se është shkatërruar edhe një laborator që përdorej nga organizata kriminale për të përzier lëndën narkotike, ku u gjet edhe një armë zjarri me silenciator dhe një pajisje presimi.
OPERACIONI Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, operacioni ka filluar që në muajin dhjetor të vitit 2015 dhe është finalizuar më 10 gusht të këtij viti. Komunikata e pub- likuar nga Europol dy ditë më parë në faqen zyrtare jep detaje të zhvillimit të këtij operacioni. Europol thekson se është finalizuar operacioni “Cramanon” në Spanjë, gjatë të cilit u arrit të shpërbëhej një rrjet kriminal i përfshirë në një tregti ndërkombëtare droge. “Operacioni u organizua nga Roja Civile Spanjolle në bashkëpunim të ngushtë me policinë shqiptare dhe u mbështet nga Europol. Në këtë operacion u shpërbë një rrjet kriminal i përbërë nga shtetas shqiptarë dhe bullgarë, të cilët merreshin me shpërndarje heroine në Barcelonë dhe Tarragona”, thuhet në njoftimin e publikuar nga policia europiane. Gjithashtu sqarohet se gjatë këtij aksioni që u zhvillua më 10 gusht, u krye arrestimi i 7 anëtarëve të kësaj organizate kriminale. U konfiskuan një sasi e konsiderueshme parash dhe 10 mjete të shtrenjta, pajisje të ndryshme elektronike dhe shumë dokumente. Gjatë operacionit u krye kontrolli i disa banesave në Barcelonë, Gava, Rubi dhe Castelldefels. Castelldefels u raportua si rezidenca e të dyshuarit kryesor, i cili ishte dhe drejtuesi i grupit kriminal, një shtetas shqiptar mjaft i njohur për policinë spanjolle.