Panorama (Albania)

Rama: Rikonstruk­tim të fasadave të pallateve, dhe asfaltim të rrugëve

-

Kandidati i koalicioni­t “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Muharrem Rama, ka zhvilluar dje takime me banorët e lagjes “Gjokë Doçi”, ndër më të mëdhatë e qytetit të Peshkopisë. Gjatë takimit me militantët e Partisë Socialiste, kandidati i së majtës ka paraqitur platformën e tij elektorale, dhe ka kërkuar votën për zgjedhjet e 11 shtatorit. Muharrem Rama, gjatë fjalës së tij u ndal te disa prej planeve të tij për zhvillimin urban të territorit të Bashkisë së Peshkopisë. “Do të bëjmë rikonstruk­sionin e të gjitha fasadave të kësaj lagjeje. Do të bëjmë asfaltimin nga e para të të gjitha rrugëve të brendshme të qytetit të Peshkopisë në brendësi të lagjeve. Do të mund të vendosim ndriçimin e duhur dhe të krijojmë edhe mjediset e përshtatsh­me për fëmijët, të cilët nuk kanë ku të luajnë. Do të krijojmë mjedise pushimi edhe për moshën e tretë që, gjithashtu, nuk e gjen sot një hapësirë”, u shpreh kandidati Rama. Vëmendje të veçantë Rama tha se do t’i kushtohet edhe pastrimit të qytetit dhe përpunimit të mbetjeve. Programi elektoral i kandidatit Rama përfshin edhe zhvillimin e infrastruk­turës së qytetit ku, përveç përfundimi­t të bulevardit qendror të qytetit dhe unazës së vogël, do të mund të bëhet më pas edhe lidhja me unazën e madhe dhe rikonstruk­sioni i rrugicave të brendshme në lagje. Gjatë takimeve elektorale, Muharrem Rama është shoqëruar nga ministri i Energjetik­ës, Damian Gjiknuri dhe nga deputeti Sadri Abazi. Ky i fundit, një ditë më parë iu përgjigj ashpër akuzave të opozitës dhe ka shpjeguar pse sulmohet nga PD. “E keni parë sa shumë më shan mua Saliu tani? Ai e di se influenca ime në Dibër është shumë e madhe, ndaj më shan, që t’u mbushë mendjen dibranëve se Sadriu është burrë i keq dhe mos votoni Muharremin. Po çfarë lidhjeje ka kjo?! Unë e kam treguar me fakte dhe burrëri se para dibranëve jam burrë i mirë, por para Saliut nuk mund të jem. Kudo që kam shkuar, Saliun e kam mund, kjo është e gjitha. Do ta mund prapë Saliun e t’i them ‘ O plak, rri atje në shpi, Zenin tat nuk e mbron dot ti. Fol sa të duash për Sadriun, për Edi Ramën, për Muharrem Ramën, për Damian Gjiknurin e për Saimir Tahirin. Nuk e mbron dot Zenin. 25 vite e ke poshtëruar shqiptarin. Tani thotë është komunist Sadriu! More, kush është komunist, Saliu apo Sadriu?!”, u shpreh deputeti Sadri Abazi.

 ??  ?? Muharrem Rama gjatë fushatës
Muharrem Rama gjatë fushatës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania