“Aksidentet me vdekje do të klasifikohen vrasje rrugore”
Tahiri: Do të ashpërsohen dënimet kur ka pasoja të rënda
Aksidentet automobilistike me pasoja, plagosje të rënda apo vdekje, do të klasifikohen si vrasje dhe do të gjykohen si të tilla pas ndryshimeve që pritet të ndodhin në Kodin Penal.
Paralajmërimin për ashpërsim të dënimit për raste të tilla, e bëri dje ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi mori pjesë në homazhet që u zhvilluan në nderim të efektivit Ervin Haxhiu, që u aksidentua për vdekje mbrëmjen e së dielës në Kamzë. Sipas Tahirit, shumë shpejt do të propozojë një amendim në Kodin Penal, në mënyrë që aksidentet me pasoja në shëndetin apo jetën e njerëzve të mos quhen më “aksidente me pasojë vdekjen”, por “vrasje rrugore”. Tahiri tha se, vetëm vitin e kaluar, janë gati 800 raste kur shtetas të ndryshëm janë arrestuar për drejtim të makinës në gjendje të dehur. Ndërsa janë gati 150 të tjerë që kanë bërë aksident dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke lënë pas edhe viktima e të plagosur. Sipas ministrit të Brendshëm, ashpërsimi i Kodit Penal është i domosdoshëm, pasi në të kundërt ky vend është i destinuar t’i ketë rrugët “arenë lufte”. Me njerëz të dehur që i japin makinës të papërgjegjshëm, që nuk mendojnë as për jetën e tyre dhe as për jetën e atyre që shfrytëzojnë rrugën, dhe me gjyqtarë akoma më kriminelë që i lënë të lirë. Ndërkohë kemi zbardhur një pjesë të draftit të përgatitur nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, që në prill të këtij viti, për 4 rastet kur aksidentet do të klasifikohen si vrasje. PROPOZIMI I TAHIRIT
Pas homazheve në nderim të Ervin Haxhiut, Saimir Tahiri u shpreh para mediave se do të propozojë ndryshime në Kodin Penal, sa u përket aksidenteve me pasoja të rënda, sipas një modeli që po aplikohet në disa vende të Bashkimit Europian. “Unë shumë shpejt do propozoj një amendim në Kodin Penal, në mënyrë që aksidentet me pasoja në shëndetin apo jetën e njerëzve të mos quhen më ‘ aksidente me pasojë vdekjen’, por ‘ vrasje’. Ka disa vende në Europë që e kanë bërë këtë, duke mos i klasifikuar aksidentet si të tilla me pasoja në shëndetin apo jetën e qytetarëve, por si ‘ plagosje’ apo ‘ vrasje’”, u shpreh ministri i Brendshëm. Ndërsa duke përmendur disa statistika të vitit të kaluar, Tahiri tha se në këtë mënyrë të të bërit drejtësi, duke iu referuar aksidenteve me pasojë vdekjen, nuk mund të ecet përpara. “Nga 800 të dehur që janë arrestuar vitin e kaluar, duke i dhënë makinës në rrugët e Shqipërisë, ata që kanë bërë qoftë edhe një ditë të vetme burg janë shumë pak, për të mos thënë fare. Ndaj unë do të propozoj një amendament të Kodit Penal, në mënyrë që të gjithë ata që bëjnë një aksident rrugor me pasojë në shëndetin dhe jetën e qytetarëve të mos shkojnë para gjykatës me aksident me pasoja vdekjen ose aksident me pasoja plagosje, por të shkojnë për ‘ vrasje rrugore’, ‘ plagosje rrugore’ dhe të kenë një dënim maksimal. Përndryshe, ky vend është i destinuar t’i ketë rrugët ‘ arenë lufte’, me njerëz të dehur që i japin makinës të papërgjegjshëm, që nuk mendojnë as për jetën e tyre dhe as për jetën e atyre që shfrytëzojnë rrugën, dhe me gjyqtarë akoma me kriminelë që i lënë të lirë”, u shpreh Tahiri.