Rusia e Turqia bashkohen kundër ISIS
Rusia dhe Turqia të mërkurën kanë organizuar sulmet e tyre të para të përbashkëta ajrore kundër grupit xhihadist ISIS në Siri. Deklarata erdhi nga Ministria ruse e Mbrojtjes. Në operacionin e parë të përbashkët ajror morën pjesë nëntë avionë rusë dhe tetë turq. Goditja u krye në zonën rreth qytetit të AlBabit në rajonin e Alepos, sipas deklaratës së gjenerallejtënant Sergei Rudskoi, në një konferencë për mediat. Njoftimi vjen më pak se një javë pasi Rusia tha se Moska dhe Ankaraja kanë nënshkruar një marrëveshje, duke përcaktuar mekanizma për të koordinuar forcat e tyre ajrore në Siri gjatë kryerjes së sulmeve ndaj objektivave terroriste. Rudskoi tha se 36 objektiva ishin shkatërruar. Ai tha se autoritetet siriane kanë rënë dakord për operacionin që e kanë përshëndetur si shumë të efektshëm. Rusia, Turqia dhe Irani po organizojnë bisedimet e paqes në Siri, që fillojnë në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, të hënën, në një përpjekje për të forcuar një armëpushim të brishtë të ndërmjetësuar nga Moska dhe Ankaraja muajin e kaluar. Armëpushimi hyri në fuqi më 30 dhjetor dhe e ka qetësuar Sirinë, edhe pse lufta vazhdon në disa rajone. Armëpushimi përjashton ISIS-in dhe rivalin e tij Fronti al- Sham Fateh, i cili ndryshoi emrin e vet nga Al Nusra- Front pas prishjes së lidhjeve me Al Kaidën vitin e kaluar. Të dyja vendet që po bashkëpunojnë kanë mbështetur palët kundërshtare në konfliktin gati gjashtëvjeçar sirian, me Moskën pro Presidentit sirian Bashar alAssad dhe Ankaranë që mbështeste armiqtë e tij.