Prapaskena, Salihi refuzoi transferimin në Australi
Skënderbeu mban Hamdi Salihin deri në fund të sezonit, pavarësisht ofertave që sulmuesi shkodran ka pasur gjatë ditëve të kaluara. "Panorama Sport" zbulon ekskluzivisht se për sulmuesin ka ardhur një superofertë nga Australia, pikërisht nga klubi Adelaide Junajtid. Mirëpo, golashënuesi shkodran ka preferuar të vijojë karrierën e tij te Skënderbeu, me të cilin ka një kontratë deri në fund të sezonit. Burime të sigurta pranë lojtarit treguan dje se, pas disa ditësh shqyrtimi të kësaj mundësie të artë për të luajtur në kontinentin e largët, atje ku do të gjente edhe ish- sulmuesin e Kombëtares, Besart Berisha, shkodrani ka refuzuar. Një nga kushtet e klubit australian ishte që Salihi të vinte me parametra zero, duke mos paguar për kartonin. Mirëpo, pas konsultimit me klubin korçar, një gjë të tillë sulmuesi e ka refuzuar, duke u treguar besnik i Skënderbeut dhe zgjedhur të vijojë kontratën. Shkak për këtë zgjedhje është bërë edhe fakti se për shërbimet e Salihit mësohet se Skënderbeu kishte dhënë një shumë të madhe paradhënie, men- dohet afro 60 mijë euro. Kësisoj, sulmuesi ka folur me presidentin Ardjan Takaj dhe kanë rënë dakord që kontrata të vazhdojë. 32vjeçari shihet si njeriu që me golat e tij do të çojë Skënderbeun drejt titullit të shtatë radhazi. "Këpuca e Artë" e sezonit të fundit është shumë larg formës që ka shfaqur kampionatin e kaluar, gjithsesi drejtuesit e klubit besojnë shumë te shkodrani. Këtë bindje e ka konfirmuar edhe vetë trajneri i ri, Ilir Daja.