Panorama (Albania)

BURGOSET 6 MUAJ “Princ të dua”, Leka Zogu përndiqet nga 25- vjeçarja

Leka Zogu dhe Elia Zaharia denoncojnë 25- vjeçaren me pasaportë amerikane: “Ka një vit që na terrorizon nëpër Tiranë”. Dëshmia e plotë e vajzës

- ARMAND BAJRAMI

Një vajzë 25- vjeçare me banim në Tiranë, i ka “rënë në kokë” për Princ Lekën, në një kohë që ai kishte caktuar ditën e dasmës me aktoren Elia Zaharia.

Për shkak të ndjenjës që ushqente për të, e reja me shtetësi maqedonase dhe amerikane, Fitore Bekteshi, ka përndjekur për muaj me radhë çiftin e ri të familjes mbretërore. Ajo u është ngjitur atyre gjatë aktiviteti­t të përditshëm, duke i ndjekur në çdo organizim ku merrnin pjesë, në jetën profesiona­le apo edhe në daljet e tyre private në bare apo restorante në kryeqytet. Bekteshi ka guxuar të futet në oborrin e banesës së familjes Zogu, nuk ka kursyer deklaratat e dashurisë me zë të lartë për Lekën në ambiente publike, si dhe ka kërcënuar Elia Zaharian në sy se “do ta përcillte”. Fiksimi i 25- vjeçares dhe veprimet e kryera prej saj kanë shkaktuar ankth dhe frikë tek aktorja Zaharia, e cila, më 12 korrik 2016, e ka kallëzuar atë në Policinë e Tiranës. Pasi u hetua në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, 25-vjeçarja përfundoi si e pandehur në gjykatë për akuzën e “përndjekje­s”. Më 16 shkurt 2017, Gjykata e Tiranës mbylli gjykimin e dosjes së saj, duke e deklaruar fajtore dhe e dënoi me 6 muaj burg. Për shkak se dënimi me burgim është më i madh se dënimi i vuajtur gjykata ka konstatuar shuarjen e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” caktuar më herët ndaj saj. Gjatë hetimit e pandehura ka pranuar se ka ndjekur Leka Zogun duke thënë: “Doja ta shikoja Lekën, pasi ai për mua ishte një diell më tepër, dielli vetë”. Sipas vendimit të Gjykatës, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, e pandehura Bekteshi ka shpërfillu­r edhe masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të qenë e pranishme në ceremoninë e dasmës së çiftit mbretëror në tetor 2016. “Unë e dija që isha me masë sigurimi arrest në shtëpi, por përsëri dola nga shtëpia, pasi kisha kohë që nuk e kisha parë Lekën dhe doja ta shikoja për herë të fundit, megjithatë dashuria ime për të nuk ka mbaruar, nuk do ta shpreh më siç ia kam shprehur deri më tani, por do ta dashuroj për së largu”, ka rrëfyer Bekteshi gjatë hetimit të çështjes. Në vijim zbardhen deklarimet e plota të Princeshës Elia Zaharia dhe Princ Leka Zogut, pjesë e dosjes së Gjykatës.

DËSHMIA E ELIAS

“Jam e fejuara e Princit Leka i Dytë. Ka më shumë mbi një vit që një femër më përndjek, veprimet e së cilës më kanë krijuar gjendje ankthi dhe frike. Kjo femër, të cilën e kam identifiku­ar me emrin Fitore Fazli Bekteshi, në çdo vend që shkoj unë vjen pas meje, unë futem në lokal, ajo vjen pas meje në lokal, më shikon gjithë inat, por duke qenë se kam qenë e shoqëruar, nuk ka mundur të më afrohet. Kjo femër, kur unë ndodhem në shtëpi, vjen dhe qëndron thuajse tërë ditën në rrugën dhe rri para derës së banesës sime. Ajo natën herë pas here fillon të ulërasë me të madhe duke thënë ‘ princ unë të dua’. Shpeshherë unë nuk detyrohem të ndryshoj rrugë kur shoh këtë femër në afërsi të derës së banesës sime. Konkretish­t, më datë 10.07.2016, rreth orës 17: 00 isha së bashku me princin te lokal ‘ Tajvani’ duke ngrënë drekë. Fitorja vjen dhe ulet përballë nesh dhe kontrollon­te çdo lëvizje tonën. Herë pas here kjo femër fillonte dhe provokonte princin duke qeshur. Princi dhe unë bënim sikur nuk e kishim vëmendjen te Fitorja, por ajo vazhdonte me veprimet e saj. Në këto rrethana unë dhe princi u detyruam të ngriheshim nga restoranti dhe vajtëm në banesën tonë. Fitore Bekteshi kur na pa ne që u ngritëm, dhe ajo ngrihet nga tavolina e saj dhe na vihet nga pas. Fitorja qëndronte thuajse ngjitur me ne dhe Lekën e shikonte me një lloj dashamirës­ie, ndërsa mua më kërcënoi duke më thënë ‘ unë ty po të përcjell’. Duke qenë se në muajin tetor të këtij viti do martohemi me princin, sot, më 12.07.2016, rreth orës 14: 30 kishin ardhur media të shumta për të marrë reportazh. Gjatë filmimit që bënte një nga mediat ndërkombët­are te Pedonalja dhe Galeria e Arteve, përsëri Fitorja si çdo ditë na vihet nga pas duke na krijuar shumë shqetësim mua dhe princit, duke na prishur imazhin. Mua më shikonte me inat, ndërsa princin e provokonte. Në këto rrethana kam njoftuar organet e Policisë së Shtetit, por në momentin që erdhën policët, Fitorja iku me vrap. Përsëri Fitorja sot, më datë 12.07.2016, në orën 16: 30 vjen te rrethimi i kangjellav­e të pjesës rrethuese dhe tentonte të futej brenda rrethimit. ... Me veprimet e saj kjo shtetase më krijon gjendje ankthi dhe frike, kjo vjen dhe qëndron ulur për një kohë të gjatë para derës së banesës sime, nuk mund të dal të takoj dhe të jap reportazh para mediave, sepse mundohet të më diskredito­jë, thërret me zë të lartë në emër të princit duke i thënë se “unë të dua ty” etj. Princi më ka thënë që të bëj ankim në polici dhe të marrë rrugëzgjid­hje ky problem, sepse kemi kohë që përndiqemi nga ana e kësaj femre etj. Përfundimi­sht Fitore Bekteshi me veprimet e saj më ka krijuar një gjendje ankthi dhe pasigurie për jetën. Kjo femër bën veprime të pakontroll­uara, sepse një njeri normal nuk mund të bëjë veprime të tilla, e kam të vështirë të dal nga banesa ime dhe të shkoj në lokale apo në ndonjë vend tjetër për takim zyrtar apo për të kaluar kohën e lirë, sepse kudo e kam nga pas. Përfundimi­sht ndaj shtetases Fitore Bekteshi bëj këtë kallëzim penal, duke qenë se një herë këtë femër në muajin prill të vitit 2016 e kanë shoqëruar në komisariat të policisë dhe pas këtij rasti vinte dhe më ndiqte më rrallë nga pas, ndërsa tani në muajin qershor është bërë shumë agresive ndaj meje dhe princit. Kërkoj që kjo çështje të ndiqet në rrugë ligjore”.

DËSHMIA E PRINC LEKËS

“Prej më shumë se një viti, shtetasja Bekteshi na përndjek të dyve. Emrin e saj e kam mësuar nga policia vetëm pas arrestimit të saj. Me veprime konkrete fillimisht ka qëndruar vetëm para rezidencës sonë të banimit, e ulur te lokali ‘ Millenium’, afër gardhit rrethues të rezidencës. Pastaj ka lëvizur shpeshherë te pjesa prapa Galerisë së Arteve. Rrinte qeshte dhe tentonte të tërhiqte vëmendjen time. Fjalë nuk më ka hedhur në atë kohë. Komunikimi i saj me mua filloi gjatë dimrit të kaluar, kur filloi të më ndiqte edhe kur isha me makinë dhe ajo vinte nga pas me biçikletë. Një herë te një supermarke­t, ndërkohë që unë isha brenda, ajo bënte sikur bënte pazarin me mua. Pastaj më shikonte në rrugë më buzëqeshte. I vetmi komunikim me të kam pasur një herë dhe shoqëruesi im i ka thënë të largohej, kjo ka ndodhur te rezidenca jonë dhe në ato momente, ajo ka filluar të bërtasë duke thënë se ishte qytetare e lirë dhe ka të drejtë të ecë në rrugë dhe të mos cenohet në lirinë e saj. Bile ajo u thoshte rojeve se më donte dhe bërtiste me të madhe që ta dëgjonin njerëzit. ... Përmend dhe rastin që ka ndodhur te restorant ‘ TAIWAN’, ku unë menjëherë kam lajmëruar punonjësit aty që të kenë kujdes. Ajo atë ditë u shpreh shumë e nervozuar, sidomos nisur nga fakti që isha i shoqëruar nga Elia. Ajo edhe kur ecim rrugës unë dhe Elia, i afrohet Elias dhe i ecën paralel dhe me trupin e saj prek krahun e Elias. I them të largohet, por ajo vazhdon me të sajën. Kur jemi kthyer nga një aktivitet dhe kemi ngrënë darkë në kat të dytë te ‘ TAIWAN’, ajo është ulur po aty, nuk ka porositur asgjë, është larguar nga restoranti. Ka qenë dimër shumë ftohtë dhe jam informuar nga rojet se ka fjetur atë natë në natyrë përjashta prapa Galerisë së Arteve. Është futur disa herë brenda kompleksit tonë rezidencia­l që është i rrethuar dhe ruhet me roje dhe kamera, dyshoj se është futur nga ana e godinës që ne e kemi dhënë me qira, i është afruar edhe gardhit sa herë që dalim në oborr jemi në vëzhgimin e saj. ... Një herë isha në lulishten e oborrit të shtëpisë bashkë me vëllanë e Elias dhe e pashë këtë shtetase duke lëvizur brenda rrethimit të gardhit tonë te pjesa që ne e kishim dhënë me qira. Po atë ditë ishte pushim dhe dera normalisht duhej të ishte mbyllur. Ka qenë ditë e diel, jam afruar te gardhi dhe e pashë i thashë se çfarë po bën, por ajo nuk m’u përgjigj. I thashë të ikte se do thërrisja policinë. Ajo përsëri rrinte aty më shikonte, buzëqeshte dhe nuk lëvizte. Unë njoftova rojen dhe ajo ka ikur nga ana e shtëpisë së Libohovëve. Pasi është arrestuar dhe vendosur nën masën e sigurisë, ajo nuk është dukur më dhe nuk na ka shqetësuar deri ditën e dasmës sonë, kur ka ardhur në ceremoni dhe i ka thënë Elias në distancë se ‘ mund ta kesh fustanin e bukur, por kjo nuk të bën njeri të bukur’. Ishte në një gjendje histerike atë ditë dhe shumë e acaruar, me fytyrë të nxirë e veshur me të zeza si për në varreza. U largua prej aty vetëm me ndërhyrjen e njerëzve të sigurisë për të mos bërë skandal në sy të të ftuarve dhe medias”.

Unë e dija që isha me masë sigurimi arrest në shtëpi, por përsëri dola nga shtëpia, pasi kisha kohë që nuk e kisha parë Lekën dhe doja ta shikoja për herë të fundit, megjithatë dashuria ime për të nuk ka mbaruar, nuk do ta shpreh më siç ia kam shprehur deri më tani, por do ta dashuroj për së largu

 ??  ?? Leka Zogu dhe Elia Zaharia gjatë ceremonisë së martesës
Leka Zogu dhe Elia Zaharia gjatë ceremonisë së martesës
 ??  ?? Faksimile e vendimit të Gjykatës
Faksimile e vendimit të Gjykatës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania