Panorama (Albania)

Nipi dhe djali i Calit: Deputeti na kërcënoi dhe çoi dorën në brez

-

TIRANE - Një xhiro e nipit dhe djalit të Gjok Calit në një rrugë që kalonte pranë zonës së Lagunës së Patokut, që administro­hej nga familja Prenga, duket se ka qenë "shkëndija" e përplasjes së fortë të 4 shtatorit 2015. Nipi i Calit, Julian Cali, dhe djali i tij, Dorian Cali, të cilët mbrëmjen e ngjarjes ruanin lokalin e familjes në lagunë, thanë dje në Gjykatën e Lartë se ishin kërcënuar me jetë nga deputeti. Sipas tyre, ata ishin përballur me Prengën, pasi kishin bërë një xhiro në rrugën që kalonte përmes lagunës. "Kur u kthyem, erdhi deputeti Armando Prenga me një ' Range Rover' me fenelina policie. Zbriti nga makina bashkë me katër veta të tjerë. Na tha: ' Është zonë private, ça kërkoni këtu? Unë ju vras, ju këpus kokën. Mos t'ju shoh më këtej'. Kur na tha që ' ju vras, ju këpus kokën', e çoi dorën te pistoleta që kishte në brez", dëshmoi Julian Cali. Pas këtij momenti, dy 20- vjeçarët kanë shkuar në lokalin e tyre, ku kanë njoftuar familjarët. "Pas 20 minutash erdhi deputeti me 7- 8 veta. Unë isha vetëm, pasi Dorianin e mori i ati në telefon dhe i tha që të shkonte në shtëpi. Rrethuan lokalin. Deputeti theu derën e lokalit dhe rrëzoi karriget e tavolinat. Unë dola nga një derë e pasme. Aty pas lokalit u përballa me Armando Prengën. Me një pistoletë në dorë ai më tha: ' Ku është Gjoka se do ta vras'. Unë u hodha në ujë, në lagunë, për t'u fshehur. Armando Prenga theu gjithë lokalin. Kur ata ikën, unë lajmërova babin, Nikoll Cali, dhe Policinë", vijoi dëshmitari. Para Gjykatës dëshmitari tha se nuk kishin pasur ndonjë konflikt me Armando Prengën, duke shtuar se: "Na e ka sjellë në majë të hundës me policinë, duke na e sjellë çdo ditë". I njëjti version i historisë u rrëfye edhe nga dëshmitari Dorian Cali. "Unë me kushëririn, Julianin, nga ora 12: 00 dolëm një xhiro nga plazhi. Hasëm rojën e deputetit, që na lëshoi dritën e një elektriku në fytyrë. Na njohu. Kur i thamë që thjesht po bënim një xhiro për të parë, mirë na tha, shihni. Kur u kthyem, pamë makinën me fenelina. Na doli para Prenga me katër veta të tjerë. Na tha: ' Ça lypni ju këtu?' dhe kapi pistoletën që kishte pas. "Ju zhduk fare, na tha", rrëfeu dëshmitari. Ai tha se pasi ishte larguar në shtëpi, ishte telefonuar nga kushëriri, Julian Cali, i cili i kishte thënë se ishte rrethuar nga njerëz me armë te lokali. "Më parë ne e kemi pritur si klient dhjetëra herë Armando Prengën dhe e kemi respektuar", tha dëshmitari.

 ??  ?? Lokali i familjes Cali në Patok
Lokali i familjes Cali në Patok

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania