Panorama (Albania)

Afera 50 mijë euro, dëshmojnë gjyqtarët

-

TIRANE – Artan Broci dhe Admir Thanza, gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, dëshmuan dje në procesin gjyqësor në ngarkim të koleges së tyre të pezulluar, Majlinda Andrea, në këtë gjykatë. Ajo dyshohet të jetë përfshirë në një aferë korruptive prej 50 mijë eurosh, në këmbim të një vendimi të favorshëm ndaj disa personave, në një çështje të shqyrtuar prej saj. Gjyqtarët Broci dhe Thanza ishin përkatësis­ht anëtari tjetër dhe relatori i Kolegjit, që mori këtë vendim. Para Kolegjit Penal gjyqtarët Broci dhe Thanza thanë se për dosjen në fjalë është ndjekur procedura normale e shqyrtimit të një dosjeje në dhomën e këshillimi­t. Sipas tyre, dosja ishte regjistrua­r në vitin 2014 dhe konsideroh­ej si dosje e thjeshtë, pasi për llojin e saj ekzistonte një praktikë e konsolidua­r në Gjykatën e Lartë. Dëshmitarë­t thanë se gjyqtarja Majlinda Andrea nuk kishte shfaqur asnjë interes të veçantë në lidhje me këtë çështje. Gjyqtarët mohuan të kenë njohje me katër të pandehurit e tjerë të çështjes, mes të cilëve edhe bashkëshor­ti i gjyqtares. Më tej, këshilltar­i ligjor i relatorit Thanza, dëshmitari Adnand Bordica, tha se kishte përgatitur relacionin për këtë çështje dhe se ajo konsideroh­ej çështje e thjeshtë. Po dje Kolegji Penal dëgjoi dëshminë e Xhevahir Trokës, administra­torit të një pike këmbimi valutor. Ai tha se në korrik 2016, i ka këmbyer Petraq Dashit një sasi prej 7 milionë lekësh në 50 mijë euro. “Ai i donte kesh. Ia numërova në pikën time të pajisur me kamera dhe ia dhashë”, tha dëshmitari. Sipas Prokuroris­ë, këto para i janë dhënë më pas bashkëshor­tit të gjyqtares në një takim mes Dashit dhe Odhise Andreas në Tiranë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania