Panorama (Albania)

Rrëzohet palma e tharë në bulevard, dëmtohet një makinë

Dëshmitari: Bashkia t’i presë. Janë rrezik për jetën e banorëve, sidomos të fëmijëve

-

Palmat e thara në bulevardin e Vlorës rrezikojnë jetën e qytetarëve. Krejt papritur, dje trungu i një palme është thyer duke i rënë përsipër një makine të parkuar.

Fatmirësis­ht, në mjet nuk ka pasur persona dhe për rrjedhojë nuk pati të lënduar. Ky është rasti i tretë që palmat rrëzohen përgjatë bulevardit, duke vënë kështu në rrezik jetën e kalimtarëv­e. Ngjarja e djeshme ndodhi në orët e mesditës, kur në bulevard kalojnë qindra qytetarë. Dëmtimet në makinën që ndodhej e parkuar kanë qenë të konsiderue­shme. Nga ajo që u konstatua, është thyer xhami dhe dëmtime të tjera në pjesën e prapme të automjetit, me targa AA 408 BM. “Ishim me fat, pasi pema u shkëput krejt papritur, duke rënë mbi makinë e më pas në tokë. Ne ishim vetëm pak metra më tutje. Po kthehesha nga një shëtitje në Lungomare, kur u ndeshëm me shkëputjen e pemës. Bashkia duhet të marrë masa dhe t’i presë këto palma të thara, pasi rrezikohet jeta e qytetarëve. Sot ne shpëtuam, por nesër mund të bëhet një fëmijë viktimë e kësaj pa- përgjegjsh­mërie”, u shpreh një i moshuar, i cili ishte dëshmitar i ngjarjes së djeshme. Kryetari i Bashkisë, para afro 1 viti ndërmori një nismë për zëvendësim­in e palmave me pemë të tjera. Disa prej tyre janë zëvendësua­r, por të shumtat kanë mbetur të thara, ku veç pamjes së shëmtuar, janë kthyer në rrezik për qytetarët. Të pyetur për këtë problemati­kë, burime nga Bashkia e Vlorës shprehen se shumë shpejt do të nisë një projekt për shkuljen e palmave. Por pritet një makineri që t’i shkulë me rrënjë, pa përdorur sharra apo mjete të tjera. Tharja e palmave në Vlorë u shkaktua nga një lloj buburreci që përhapej me shpejtësi dhe nuk u gjet preparati që i luftonte ato. Janë rreth 350 palma të një moshe më shumë se 30vjeçare të mbjella në vitin 1987 në bulevardin VlorëSkelë, të cilat u thanë në një kohë mjaft të shpejtë.

 ??  ?? Makina e dëmtuar nga palma e rënë
Makina e dëmtuar nga palma e rënë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania