Panorama (Albania)

Sulmi ndaj Ramës, dënohen studentët

-

TIRANE - Gjykata e Tiranës dënoi dje me nga 60 orë punë në interes të publikut të tetë studentët e Shkencave Sociale të vënë nën akuzë pas një sulmi me vezë ndaj Kryeminist­rit Edi Rama. Studentët e proceduar pas ngjarjes së 2 nëntorit 2015, në oborrin e këtij fakulteti, u fajësuan respektivi­sht për akuzat e "goditjes për shkak të detyrës" dhe "kundërshti­m të punonjësit të policisë". Sipas vendimit të shpallur nga gjyqtari Arben Micko, të pandehurit Dardan Konjufca, Vitore Çipi, Liri Kuçi, Valton Marku, Durim Jashari, Bora Mema, Anita Lushi dhe Klodiana Hoxha u dënuan me nga 2 muaj heqje lirie. Përfundimi­sht, Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimi­t të dënimit me burg dhe detyrimin e tyre për të kryer nga 60 orë punë të papaguar në interes të publikut. Ky detyrim duhet të shlyhet brenda një harku kohor prej gjashtë muajsh dhe gjatë kësaj kohe studentët duhet të mbajnë kontakte me Shërbimin e Provës. Vendimi i Gjykatës u prit me buzëqeshje nga disa prej të pandehurve të pranishëm, si edhe nga shokë të tyre në publikun e sallës. Jashtë sallës së gjyqit, ata ironizuan vendimin e Gjykatës për punë në interes të publikut, duke thënë se kishin disa vjet që po punonin në interes të tij. "Gjithë procesi, që nga procedimi ynë dhe gjykimi, është një hakmarrje politike", tha jashtë sallës së gjyqit e pandehura Bora Mema. Ajo u shpreh se e vetmja pendesë për veprimin e bërë ishte fakti se nuk kishte qëlluar në shenjë. Vendimi i shpallur dje nga Gjykata ishte i njëjtë me kërkesën e bërë nga ana e Prokuroris­ë në pretencën e saj. Sipas Prokuroris­ë, nga provat e shqyrtuara në gjykim rezultoi e provuar se studentët e pandehur kishin konsumuar akuzat e "goditjes për shkak të detyrës" dhe "kundërshti­mit të punonjësit të policisë dhe të rendit publik". Të pandehurit e kësaj dosjeje janë pjesë e një lëvizjeje studentore, të cilët ishin kundër ligjit për reformën në arsimin e lartë. Gjatë një vizite të Kryeminist­rit Rama në ambientet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në nëntor të vitit 2015, disa studentë shpërthyen në thirrje kundër ligjit për arsimin e lartë. Disa prej tyre tentuan të qëllojnë me vezë në drejtim të kryeminist­rit, pa mundur të finalizojn­ë këtë veprim.

 ??  ?? Studentët dje në Gjykatë
Studentët dje në Gjykatë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania