“Pakti i Reformizmit”, liderët në UET para zgjedhjeve
Liderët politikë, diskutim për Paktin e Reformizmit
Populizmi është një shqetësim ndërkombëtar dhe rajonal, dhe në prag të zgjedhjeve edhe një fenomen shqiptar.
Në këtë situatë të komplikuar jashtë dhe rreth nesh, Universiteti Europian i Tiranës ka gjetur një kanal ose një damar minerali për të kontribuar në debatin publik, për t'i dhënë një davaritje një populizmi gjithfarë sojesh që qarkullon në qytet, nga fjalimet e Kryeministrit te fjalimet e kryetarit të opozitës, nga kryetari i Parlamentit te partitë nacionaliste, nga deputetët e thjeshtë deri tek ata më me përvojë. Forumet e UET, një agora e debatit e kthyer tashmë në traditë, ka nisur dje ciklin e diskutimit "Reformizmi vs Populizmi", ku i ftuari i parë ishte Gjergj Bojaxhi, themelues i "Sfida për Shqipërinë", një lëvizje politike që është kundër modelit politik të ndërtuar në këtë çerekshekulli pluralizëm.
Diskutimi mbi kundërvënien mes reformizmit dhe populizmit merr shkas që nga tetori i vitit të shkuar, ku 7 profesorë të UET- it hartuan "paktin për reformizmin", në thelb të të cilit janë 10 pika jopopuliste që i shërbejnë vazhdimit të reformave, të cilat konsiderohen jetike për zhvillimin e vendit. Cikli i diskutimit do të përfshijë 15 forume deri në zgjedhjet e qershorit, ku do të ketë një diskutim mbi ngjyrat, nuancat, rreziqet e populizmit shqiptar, por edhe oportunitetet që ai sjell. "UET e sheh këtë moment si një ' front lufte' në kuptimin pozitiv për të kontribuar në debatin publik", shprehet administratori Henri Çili. Çdo të martë, të ftuarit në këtë debat do të jenë liderë të politikës shqiptare, ata që etiketohen si populistë, apo ata që përfaqësojnë sistemin, pra reformizmin. Cikli nisi diskutimin me një personazh që është kundër modelit aktual politik, por që refuzon ta cilësojë veten si populist themeluesin e lëvizjes shoqërorepolitike "Sfida për Shqipërinë", Gjergj Bojaxhi. Duke komentuar krijimin e këtij diskursi publik nga UET "Reformizmi vs Populizmi", Bojaxhiu thotë se ky universitet është kthyer në një podium të rëndësishëm dhe shoqëria ka nevojë për këto lloj podiumesh.