Rrugë e re në njësinë nr. 10, Veliaj: Investime në çdo lagje
Një tjetër rrugë e kryeqytetit i është nënshtruar rikonstruksionit nga Bashkia e Tiranës. Bëhet fjalë për “Kajo Karafili” në njësinë nr. 10. I ndodhur atje për të përuruar rrugën e re, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, kërkoi mirëkuptimin e banorëve për rrëmujën që do të shkaktohet muajt në vijim kur investimet me financat modeste të Bashkisë do të shtohen. “Kemi nisur një sërë investimesh në Njësinë nr. 10. Në shumicën e këtyre netëve, duke filluar nga qershori deri në shtator, do të jemi duke bërë investime, kryesisht asfaltime. Arsyeja pse zgjedhim periudhën e verës është sepse nuk ka shi, sepse moti është i ngrohtë, asfalti ngjit, ndaj kërkoj bashkëpunimin e të gjithë banorëve”. Pas rrugës “Kajo Karafili” radhën e ka “Mujo Ulqinaku”, ndërsa mësohet se kanë përfunduar punimet në bllokun e pallateve te “Tregu çam” dhe te “Shallvaret”. Nga njësia nr. 10, Veliaj njoftoi edhe hapjen e “Fondit të Komuniteteve”, të lançuar ditë më parë, ndërsa u bëri thirrje administratorëve të bëjnë kërkesë në bashki. Kurse ata që s’e kanë një të tillë i ftoi ta zgjedhin, me qëllim që të përfitojnë nga projekti. “Sot është dita e parë e hapjes së aplikimeve për investimet në pallate dhe ashtu siç takuam këtu administratorin dhe i propozuam që sot të vijë me një aplikim ose për të veshur pallatin me kapotë, ose për një suva, ose për një bojë, ose për një rregullim tarrace apo çfarëdo lloj investimi, lulishtesh simpatike si kjo në sfond, Bashkia është gati të paguajë me 50%” nënvizoi Veliaj.