Helmimi në miting dyshohet i qëllimshëm me lëndë kimike
Sheshi para Kryeministrisë rrethohet si vendngjarje, Ushtria e Antiterrori 4 orë veprime për gjetje provash
Helmimi i dhjetëra qytetarëve gjatë mitingut të PD në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dyshohet të ketë qenë i qëllimshëm.
Ndonëse nuk është përcaktuar ende shkaku i helmimit, apo lënda e përdorur në këtë ngjarje, Policia ka dyshime të forta se bëhet fjalë për një akt të organizuar, nga një apo edhe disa persona. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të incidentit të rëndë po kryhen nga disa struktura të Policisë së Shtetit, ndërsa janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Paraprakisht dyshohet se mund të ketë qenë ndonjë lloj substance kimike e shpërndarë në ajër ajo që ka sjellë helmimin e disa prej pjesëmarrësve në miting. Fakti që shenja helmimi ka shfaqur edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sipas burimeve tregon se lënda e dyshimtë mund të jetë hedhur pranë podiumit e më pas është shpërndarë në ajër. Një mundësi është që substanca kimike mund të ketë qenë në ndonjë prej tullumbaceve të hedhura gjatë mitingut, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë hedhur nga ndonjë person që është përfshirë mes njerëzve që merrnin pjesë aty. Por derisa të dalë një ekspertizë përfundimtare nga analiza që u është bërë pacientëve dhe ekzaminimi i rrobave të tyre, nuk mund të përcaktohet një shkak i saktë apo substanca konkrete e përdorur. Prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen, edhe pse nuk bëhet ende e ditur se për çfarë vepre penale janë referuar materialet e Policisë. Megjithatë, burimet thanë se nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë akti terrorist, nisur edhe nga përfshirja e oficerëve të Antiterrorit në hetimin e ngjarjes.
VENDNGJARJA Sheshi para Kryeministrisë është rrethuar dje si vendng- jarje për rreth 4 orë. Burime nga Policia thanë se ka dyshime të forta se, gjatë mitingut të Partisë Demokratike, pasditen e së shtunës, në turmën e njerëzve është hedhur një substancë kimike. Për këtë arsye është bërë këqyrja e vendngjarjes, në një sipërfaqe të madhe, por kryesisht në zonën ku ndodhej podiumi. Oficerët e Krimeve ndaj Jetës dhe ata të Antiterrorit kanë nisur hetimet, të mbështetur edhe nga Prokuroria dhe Gar- da e Republikës. Në vendngjarje mbërritën edhe kimistët e Forcave të Armatosura, që në bashkëpunim me ekspertët kriminalistë, u përpoqën të mblidhnin prova. Por puna e punonjësve të Bashkisë gjatë natës, që kishin pastruar të gjithë bulevardin, duket se u ka prishur punë ekspertëve, pasi në vendngjarje nuk është gjetur asnjë provë e vlefshme. Në vendin e ngjarjes u pa dje edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, ndërsa mësohet se në hetim janë përfshirë edhe oficerë të SHISH. Janë sekuestruar pamjet e disa kamerave të sigurisë përreth zonës ku u zhvillua mitingu. Ndërsa ekspertët kriminalistë janë paraqitur në spitalin “Nënë Tereza”, ku kanë marrë si prova edhe disa veshje të qytetarëve që merrnin pjesë në miting dhe patën probleme shëndetësore. Pritet që gjatë ekzaminimit të rrobave të tyre, të zbulohet substanca kimike.