“Basha ia vrau të gjithë bashkëpunëtorët Saliut”
Rama: Na duhen gjithë votat e demokratëve të arsyeshëm
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi dje kreun e PD- së se ka larguar të gjithë bashkëpunëtorët e Sali Berishës nga lista e kandidatëve për deputetë. “Akoma sot s’ka bërë gati të gjithë skuadrën për t’a nxjerrë në fushë, por ajo që dimë sot është që ia vrau të gjithë bashkëpunëtorët dhe e la tek pullë si fantin spathi atje ne mes”, tha Rama në Cërrik. Ai kërkoi edhe votat e demokratëve për ta bërë më solide qeverisjen e PS- së për katër vitet e ardhshëm. Dje ai ishte në qarkun e Elbasanit, ku zhvilloi disa takime me banorë, fermerë dhe sipërmarrës. “Nuk mjaftojnë vetëm votat e njërës palë. Na duhen gjithë votat e demokratëve të arsyeshëm. Të gjithë njerëzve që dinë ta bëjnë dallimin midis nevojës për një punë të ndershme dhe votës për të punësuar Lulzim Bashën. Por, më e rëndësishme se dinjiteti i PSsë është dinjiteti i Shqipërisë”, tha Rama në takimin me banorët e Peqinit. Ai e cilësoi humbëse listën e Partisë Demokratike. “Ka pasur mes jush që kanë thënë se nuk do të bëhet Reforma në Drejtësi me pretendimin se janë të gjithë njësoj, por për ta bërë Reformën në Drejtësi duheshin edhe votat e opozitës. Ata kanë dalë nga çadra kundër Reformës së Drejtësisë dhe janë futur në çadrën e humbësve. Ju i patë kur erdhën në korrik dhe votuan. Ata nuk deshën ta votojnë vetingun, por ju i patë se si e votuan. Nuk mjaftojnë vetëm votat e njërës palë, por edhe të demokratëve që të bëjmë ndryshimin. Por, më e rëndësishme se dinjiteti i PS- së është dinjiteti i Shqipërisë”, theksoi Rama. Ai tregoi dhe dallimin mes socialistëve dhe demokratëve për të bërë shtet. “Ne u dhamë një provë të gjithë demokratëve se për ne ata janë njësoj. I jam lutur Lulit, por nuk e kam bërë për Lulin dhe Saliun, por e bëra për të gjithë ata që nuk duhet të ngeleshin në shtëpi më 25 qershor se dhe ata kanë nevojë për familje. Dora e paqes që shtrimë për Shqipërinë është një provë se ne e fillojmë nga Shqipëria ata nga shtëpia. Ne e fillojmë nga pushteti për ju, ndërsa ata nga pushteti për vete. Ata janë të vetmit për të prishur, sepse ata të ndërtojnë nuk dinë, ndërsa ne do të ndërtojmë të ardhmen”, tha Kryeministri Rama.