Trump sulmon mediat për hetimin e dhëndrit
U raportua se Kushner ka kërkuar kanal sekret komunikimi me rusët
Presidenti amerikan, Donald Trump, është kthyer në Uashington, pas turneut në Lindjen e Mesme dhe në Europë, duke e quajtur atë një sukses historik, dhe menjëherë pas kësaj u është turrur me zemërim mediave amerikane që kanë publikuar një lajm mbi kontaktet sekrete të dhëndrit të tij, Jared Kushner, me rusët. Kushner është këshilltar në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Trump tha se shumë nga publikimet e dala janë lajme të rreme. Në artikuj nëpër mediat amerikane tri ditë më parë shkruhej se dhëndri i tij kishte tentuar të krijonte një kanal sekret të komunikimit me Moskën tri herë, gjatë dhe pas fushatës elektorale, e ishte takuar fshehtas edhe me ambasadorin rus. Publikimet iu referuan burimeve të mediave nga shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës. Tani shkruhet se Kushner është nën hetim nga FBI. Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë pas një udhëtimi nëntëditor në Lindje të Mesme dhe në Europë, për t'u përballur me pyetjet rreth komunikimeve të dyshuara të dhëndrit të tij Jared Kushner dhe ambasadorit rus në Uashington. "Mendoj se shumë nga publikimet janë gënjeshtra të sajuara të bëra nga mediat e lajmeve të rreme", ka shkruar Trump në "Twitter". Kushner është i martuar me vajzën e Trump, Ivanka, dhe sipas mediave amerikane, kishte pasur kontakte me Moskën në dhjetor të vitit të kaluar, në lidhje me hapjen e një kanali sekret të komunikimit. Ndërkohë "Washington Post", "New York Times", "Reuters" dhe media të tjera kanë raportuar se Trump po shqyrton krijimin e një "dhome lufte" për t'u marrë me një numër në rritje të pyetjeve për fushatën e tij presidenciale dhe përzierjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016. Ajo mund të drejtohet nga Corey Lewan- dovski, që u shkarkua si menaxher i fushatës para rreth një viti, David Bossie, që ishte zëvendësmenaxher fushate, dhe shefi i strategëve, Stephen Bannon. Po ashtu po shqyrtohen edhe ndryshime të tjera në Shtëpinë e Bardhë.