Torasa i jep lamtumirën Partizanit: Do të flas me drejtuesit e skuadrës
Partizani pritet që t'i nënshtrohet rinovimit, proces i cili ndodh çdo mbyllje sezoni. Baza e ekipit do të mbetet e paprekur, por hyrje- daljet janë të paevitueshme. Partizani i sezonit të ri është thënë se do të ndërtohet sipas shijeve dhe udhëzimeve të Luçiano Moxhit. Ish- drejtori i Juventusit do të jetë personi që do të vendosë për merkaton e skuadrës. Ai ka premtuar se do të sjellë lojtarë cilësorë për Partizanin. Formatimi i sulmit të skuadrës së sezonit të ri shikohet si ekskluzivitet i këshilltarit të presidentit Demi, Luçiano Moxhi. Në këto rrethana, pjesa dërrmuese e sulmuesve të skuadrës aktuale nuk e ka të sigurt të ardhmen, ndaj largimet janë të pashmangshme. Methju Bonifejs i prin listës së largimeve. Sulmuesi nigerian erdhi në janar te "demat", por nuk bindi për asnjë moment me paraqitjen e tij. Gjurmët e Bonifejs pritet t'i ndjekë edhe Agustin Torasa, i cili mësohet se nuk ka lënë ndonjë përshtypje të madhe te këshilltari i ri i presidentit Demi. Argjentinasi iu bashkua të kuqve në janar të 2016- s dhe pas një sezoni e gjysmë, duket se ka ardhur momenti të "divorcohet" me Partizanin. Këtë gjë thuajse e ka zyrtarizuar edhe vetë 28- vjeçari pas ndeshjes së fundit në Korçë. Në një prononcim të shkurtër për "Panorama Sport", Torasa ka pohuar se me shumë mundësi karrierën do ta vijojë në Argjentinë. Gjithsesi, më parë lojtari pritet që të bisedojë me drejtuesit e klubit, për të parë se cilat janë planet e tyre e më pas do të vendosë me saktësi për të ardhmen. "Nuk mund të flas me saktësi për të ardhmen time. Gjithsesi, gjatë këtyre 2- 3 ditëve do të flas me drejtuesit e klubit për të diskutuar planet që kanë. Por mendoj se do të kthehem në Argjentinë dhe karrierën do ta vijoj në vendlindje", u shpreh Agustin Torasa për "Panorama Sport", pas barazimit 2- 2 në Korçë. Në javët e fundit, 28- vjeçari nuk i ka pritur mirë zëvendësimet, gjë të cilën e demonstroi edhe në ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut. Prej disa muajsh, Torasa ka tërhequr edhe familjen e tij, duke jetuar në kryeqytet, por aventura te Partizani mendohet se u mbyll të shtunën në Korçë.