Panorama (Albania)

Helmimi në mitingun e PD, hetim në dy pista

Policia e referoi për ndotje ajri, Prokuroria shton akuzat

-

TIRANE – Prokuroria po heton në dy pista ngjarjen e ndodhur gjatë mitingut të hapjes së fushatës elektorale nga PD, ku 146 persona patën skuqje dhe ënjtje në fytyrë, përfshi edhe kreun e opozitës Lulzim Basha. Referimi i dosjes penale është bërë nga Policia e Tiranës për veprën “ndotje e ajrit”, parashikua­r nga neni 201 i Kodit Penal. Por, bazuar në hetimet paraprake, ku morën pjesë edhe përfaqësue­sit e Prokuroris­ë në vendin e ngjarjes dhe nga shqyrtimi i provave e dëshmive, Prokuroria ka vendosur që hetimi të zhvillohet edhe për veprën “pengim i subjekteve zgjedhore”, të parashikua­r nga neni 325 i Kodit Penal. Të dyja këto vepra kur sjellin pasoja të rënda kanë një marzh dënimi së bashku deri në 13 vjet. Nga ana tjetër, Prokuroria ka dy pista në hetim në lidhje me ngjarjen. Pista e parë lidhet me dyshimet që artikulon policia në referimin e saj, duke pohuar se problemet shëndetëso­re mund të kenë ardhur si pasojë e projektorë­ve që janë përdorur gjatë mitingut të PD. Madje, bazuar në këtë dyshim, policia ka sekuestrua­r dy nga projektorë­t e kompanisë private dhe ka bllokuar magazinën e kësaj kompanie, ndonëse drejtuesit i kanë bërë me dije se mjetet ndriçuese janë përdorur më parë edhe nga PS e LSI apo në koncerte dhe nuk kanë bërë dëm. Pista tjetër ku Prokuroria është përqendrua­r, është ajo e një akti të qëllimshëm me lëndë helmuese apo kimike. Në këtë pistë prokuroria urdhëroi sekuestrim­in e rrobave të personave të prekur nga shqetësime­t shëndetëso­re. Po ashtu janë marrë në pyetje dhjetëra prej tyre. Në këtë version janë administru­ar dokumentet mjekësore dhe analizat e kryera me gjakun, lëkurën dhe urinën e të prekurve. Mjekësia Ligjore ndërkohë nuk ka dhënë një përfundim, pasi sipas saj, duke qenë se mungon lënda referente për reagjentin që duhet të përdoret. Pa pasur lëndën e dyshuar për të përcaktuar edhe reagjentin, mjekët ligjorë kanë thënë se ekspertiza vonon, për arsye se njihen të paktën 32 mijë lëndë kimike dhe reagjentë kimikë helmues. Grupi i hetimit ka sekuestrua­r filmimet e kamerave dhe ato të realizuara me dron, me qëllim identifiki­min e ndonjë personi të dyshuar.

 ??  ?? Hetuesit në vendin e ngjarjes
Hetuesit në vendin e ngjarjes

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania