Vrasja e Elton Çiços, shtyhet seanca e parë për të kërkuarin Aliaj
TIRANE – Gjykata e Tiranës e pati të pamundur dje të nisë procesin gjyqësor ndaj Jani Aliajt, i akuzuar nga prokuroria si autor i vrasjes së Elton Çiços, më 1 maj 2016, në një lokal në zonën e ish- Bllokut në kryeqytet. Pjesë e së njëjtës dosjeje janë edhe të pandehurit Renato Milloshi, Alban Trimi dhe Redian Rraja, të cilët akuzohen për “moskallëzim krimi” dhe “kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Seanca e djeshme, e para në radhë e këtij gjykimi, u shty për shkak të mosnjoftimit të Aliajt. Aktualisht, ai është i shpallur në kërkim, në zbatim të një masë sigurie “arrest në burg”, dhënë në mungesë ndaj tij. Njoftimi i tij në një adresë pranë rrugës së Kavajës kishte rezultuar i pasuksesshëm, për shkak të mosgjetjes së kësaj adrese dhe njoftimit të familjarëve të tij për nisjen e gjyqit. Nga ana tjetër, në seancë nuk ishte paraqitur asnjë nga tre të pandehurit e tjerë, të cilët kanë masa më të buta sigurie. I pandehuri Milloshi përfaqësohej me avokat mbrojtës dhe po ashtu, edhe i pandehuri Trimi. Përfaqësuesja e prokurorisë i kërkoi gjykatës që, përveç adresës në Tiranë, Aliaj të njoftohej edhe në adresën e familjes në Tepelenë. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve kryesuesja e seancës, gjyqtarja Vjollca Spahiu, vendosi caktimin e dy mbrojtësve kryesisht për të pandehurit pa avokatë dhe shtyu seancën për t’i lënë kohë policisë të realizojë njoftimin e të pandehurve për gjyqin, sipas rrugës procedurale. Seanca e radhës u caktua më 20 qershor 2017.