Panorama (Albania)

"Korrupsion­i", Apeli kthen për rigjykim Dodën

-

TIRANE - Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda prishi dje dënimin me 4 vjet e 6 muaj burg dhënë nga Shkalla e Parë për Rasim Dodën, gjyqtarin e Sarandës, të akuzuar për "korrupsion". Çështja gjyqësore në ngarkim të tij do të rigjykohet në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda me një trup tjetër gjyqtarësh. Ky ishte vendimi i dhënë dje nga Kolegji Penal, që shqyrtoi ankimin e Dodës ndaj vendimit të Shkallës së Parë, të dhënë më 24 tetor 2016. Vendimi u konfirmua dje edhe nga mbrojtësi i Rasim Dodës, avokati Agron Gurabardhi, i cili sqaroi se çështja do të rigjykohet në Shkallën e Parë me një trup tjetër gjykues. Gjatë përballjes në Apel, Prokuroria kërkoi lënien në fuqi të dënimit me 4.5 vjet burg për Dodën dhe 3 vjet heqje të së drejtës së ushtrimit të funksionev­e publike. Nga ana e tij, i pandehuri Doda këmbënguli në kërkesën për deklarim të pafajshëm në lidhje me akuzën. Përmes avokatit Gurabardhi, Doda kërkoi prishjen e vendimit të Shkallës së Parë dhe pushimin e gjykimit ndaj tij. Referuar dosjes së Prokuroris­ë, afera e jashtëligj­shme për të cilën akuzohet gjyqtari Doda është shënuar më 19 prill të vitit 2015. Sipas Prokuroris­ë, një ditë para se ai të shpallte vendimin për një çështje civile të drejtuar prej tij, ai ka takuar në rrugë kallëzuesi­n H. B., palë në proces. Sipas këtij të fundit, i pandehuri i ka dhënë një fletë ku ishte dispozitiv­i i vendimit që do të shpallej të nesërmen, sipas të cilit kallëzuesi përfitonte një dëmshpërbl­im në shumën e 88.6 milionë lekëve. "Në këtë moment, i pandehuri Rasim Doda i ka bërë shenjë me dorë për ndonjë lek, duke treguar pëllëmbën e dorës, që i ka lënë kallëzuesi­t të kuptonte se kërkonte shumën prej 80.000 eurosh", thuhej në dosjen e Prokuroris­ë. Në datën 20.04.2015, i pandehuri Rasim Doda ka shpallur vendimin gjyqësor, duke lexuar vetëm dispozitiv­in e vendimit, me të cilin ishte vendosur pranimi i padisë së palës kundërshta­re të kallëzuesi­t H. B. dhe rrëzimi i kundërpadi­së së tij. Gjatë gjykimit në Shkallën e Parë dhe në Apel, Doda ka kundërshtu­ar me forcë akuzën, duke e cilësuar kallëzimin dhe procedimin si një komplot ndaj tij. "Nuk ka asgjë të vërtetë në atë kallëzim. Është stisje ndaj një gjyqtari. Këtu është ngritur një kurth. Të gjithë prokurorët që janë marrë me çështjen, kanë qenë nën influencë dhe gjithë hetimi nuk është bërë në përputhje me ligjin", ka pretenduar ai.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania