Universiteti Politeknik, shtohen kuotat për 2017- 2018
Rritje me 5- 20%, më pak studentë tek Inxhinieria e Ndërtimit
Universiteti Politeknik do të presë vitin e ardhshëm akademik rreth 400 studentë më shumë se një vit më parë, vetëm në nivelin bachelor.
Të konfirmuara nga senati akademik i Tiranës, gazeta boton kuotat për çdo program studimi. Në total, do të jenë 2049 kuota në të gjitha fakultetet, të cilat kanë shtuar me 520% më shumë kuota në krahasim me një vit më parë. Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit i është përgjigjur trendit të kërkesave të tregut për të tillë profesionistë, duke e çuar numrin e kuotave nga 100 në 126 për tri degët që ofron. Ndonëse ka bashkuar dy degë në një, Fakulteti i Gjeologji- Minierave gjithashtu ofron më shumë kuota bashkë më atë të Inxhinierisë Mekanike dhe Elektrike, të cilat mbeten në listën e degëve të kërkuara nga maturantët. Ndryshe nga ç'pritej, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit kanë pësuar ulje. Më konkretisht, dega e Inxhinierisë së Ndërtimit, e cila nga 150 studentë që ka, vitin e ardhshëm akademik do të pranojë 144, ndërsa Inxhinieria Hidroteknike dhe ajo e Mjedisit do të ketë 64 studentë, nga 80 të pranuar një vit më parë. Risia e këtij viti është dega Arkitekturë në Interier dhe Dizajn, që do të hapet për herë të parë këtë vit me 31 kuota pranimi.
KRITERET E REJA Ata që aplikojnë për të fituar një program studimi në Universitetin Politeknik, duhet së pari të zotërojnë notën mesatare të gjimnazit 6. Sakaq, 70% të pikëve, aplikantët i marrin nga nota mesatare e shkollës së mesme dhe 30% nga lëndët formuese: Matematikë, Fizikë dhe Kimi. Për çdo profil shkolle, UPT ka vlerësuar me një koeficient që varion nga 1- 1.4. Nëse i referohemi listës me koeficientet, për degën Arkitekturë, gjimnazi ka koeficient maksimal, 1.4, një gjimnaz gjuhësor e ka 1.2, ndërsa shkollat artistike vetëm 1. Për të fituar sa më shumë pikë, kandidatët duhet të verifikojnë koeficientet me të cilat vlerësohet profili i shkollës së mesme përpara se të plotësojnë formularin e pranimeve.