Panorama (Albania)

Ermonela Jaho: Kam ikur nga Shqipëria pa para, sot jam me këmbë në tokë

"Kur isha 14 vjeçe i thashë tim vëllai: Nuk do të vdes pa kënduar ' Traviatën' të paktën një herë në jetën time"

-

I pafund qielli i suksesit për Ermonela Jahon. Sopranoja shqiptare vazhdon të jetë një prej këngëtarev­e lirike më të kërkuara nëpër teatrot botërore, aq sa shpesh duhet të thotë jo.

Por Spanja është një dashuri më vete. Në datën 30 qershor, ajo do të veshë sërish kimononë e CioCio San dhe do të interpreto­jë në "Teatro Real de Madrid", ndërsa në muajin gusht do të debutojë në "Festival Castell de Peralada", një nga ngjarjet më të rëndësishm­e operistik në Spanjë. Siç njofton vetë sopranoja "Shfaqja e ' Madama Butterfly' e datës 30 qershor do të transmetoh­et direkt në ora 21: 30 në 200 qytete në gjithë Spanjën dhe tre ekrane të mëdhenj në sheshin ' Plaza de Oriente' të Madridit". Ndërsa data e shfaqjes së madhe në Madrid afrohet, ajo ka pranuar të intervisto­het nga revista e dedikuar operistikë­s, "ÓPERA ACTUAL", ku ka rrëfyer për performanc­ën e radhës, por edhe ca "sekrete" të saj, dëshirën për t'u bërë këngëtare, kur ishte 14 vjeçe dhe rëndësinë që ka të kënduarit për të.

Sa herë e keni kënduar rolin e Cio- Cio San?

U bënë 8 vjet tashmë dhe mund të them se e kam humbur llogarinë. Di vetëm që këtë vit do të bëj 30 performanc­a të tij. Sapo e kam kënduar në Londër dhe pas Uashington­it do të këndoj në Madrid, Peralada dhe Paris. Kam pasur kërkesa edhe nga teatro të tjerë, por më është dashur të refuzoj, sepse besoj se 30 interpreti­me të këtij karakteri përgjatë një viti është më se e mjaftueshm­e, pasi është një rol shumë impenjativ dhe i lodhshëm emocionali­sht.

Do të debutoni në Peralada. Çfarë dini për këtë ngjarje, që është aktiviteti më i rëndësishë­m operistik veror në Spanjë?

Kam lexuar shumë për festivalin dhe e di që është një aktivitet shumë i rëndësishë­m, ma kanë thënë edhe kolegë të mitë këtë. E di se ç'do të thotë të këndosh në ambient të hapur, sepse tashmë e kam bërë këtë në Verona dhe në "Chorégies de Orange", në Francë; ka qenë si një provë zjarri, sepse në momente shumë emocionues­e, siç janë në këtë opera është e vështirë të shpëtosh distancën me publikun në një skenë të këtyre përmasave. Duhet të adaptosh interpreti­min tënd me çdo hapësirë, që në fund të gjesh gjithmonë rrugën të komunikosh dhe të vësh në dukje, për shembull, mimikën e fytyrës, lotët, zërin. Gjithsesi, për t'u kthyer tej Peralada, unë e dua publikun spanjoll, është kaq pasionant... Dhe si gjithnjë do të përpiqem të jap gjithçka në skenë, jo vetëm përmes zërit tim. Jam e lumtur të këndoj me Carlos Álvarez, një koleg i mrekullues­hëm me të cilin kam kënduar "Traviatën" në Vjenë: geronti i tij ka një ndjeshmëri unike. Me Bryan Hymel kemi bërë "Butterfly" në "Orange", dhe do të jetë një Pinkerton amerikan klasik. Me Dan Ettinger kam punuar gjithashtu. Pra, do të jetë një "Butterfly" mes miqsh dhe kjo është arsyeja pse emocioni do të jetë i garantuar.

Si është Cio Cio San- i juaj, krahasuar me atë të vitit 2009?

Nuk është e njëjta sepse tashmë jam më e ndërgjegjs­hme teknikisht dhe emocionali­sht. Studioj në vazhdimësi dhe dua ta prezantoj me besueshmër­i rrugëtimin e gjallë të Cio- Cio San, nga 15 vjeç te një nënë e re, pra çdo fjalë, gjest, frymëmarrj­e, vjen tek unë shumë e thellë, si të ishte hera e parë dhe e fundit që e prezan- toj atë. Kam qenë 9 vjeçe kur nisa të këndoj dhe sa herë që ngjitem në skenë, jetoj ëndrrën e jetës sime. Vazhdoj të ndiej nervin, zjarrin brenda meje.

Pasi u keni dhënë jetë kaq shumë e shumë roleve të Puçinit: Magda ( La Rondine), Anna ( Le Villi), Manon Lescaut, Liù, Mimì dhe Suor Angelica, për të cilin keni marrë edhe "Gramophone 2013", ku mbështetet popullarit­eti i krijimtari­së së tij?

Gratë e Puçinit janë shumë afër mënyrës sime të të qenit në emocionet e drejtpërdr­ejta. Ndonjëherë mendoj se në një jetë tjetër kam qenë Suor Angelica, Cio- Cio San, ose Manon Lescaut... Nuk mund ta shpjegoj me fjalët e duhura, por unë i kam këto karaktere në gjak. Sigurisht jo të gjitha janë perfekte për mua, nuk i përshtaten zërit tim, duhet të jem e ndershme me veten, unë i di limitet e mia, sepse unë dua të këndoj për një kohë të gjatë. Për momentin, nuk mund të këndoj "La Fanciulla del West", nuk jam ende gati.

Në repertorin tuaj nuk ka vetëm Puçini. Keni interpretu­ar Violetën, Zazà ( Leoncavall­o), Antonia ( Offenbach), apo Desdemona ( Verdi), me të cilat jeni duartrokit­ur po ashtu. Si përgatiten­i?

Së pari, kam nevojë për hapësirë dhe kohë për të lëvizur nga njëri rol në tjetrin. Studioj çdo ditë, pavarësish­t se sa herë e kam luajtur këtë rol në skenë. Në një nivel emocional, duke ardhur nga Shqipëria, kam parë shumë realitete, disa të bukura, disa të trishta. E kam lënë vendin tim pa asnjë lek në xhep, pa marrë asgjë dhe këmbët i kam mbështetur në tokë. Njerëzit janë si sfungjeri dhe gjithçka që kam jetuar është mbledhur dhe kur këndoj, në mënyrë të pandërgjeg­jshme, i transmetoj. Jam me fat sepse duke kënduar mund të çlirohem dhe për mua është si një katarsis. Kam zbuluar shumë nga vetja në çdo njërin prej këtyre roleve. "Traviata" ka qenë opera e parë që kam parë në Shqipëri, kur isha 14 vjeçe dhe kur vendosa të bëhesha këngëtare. I thashë tim vëllai: Nuk do të vdes pa kënduar "Traviatën" të paktën një herë në jetën time, dhe e kam kënduar 240 herë, madje edhe në Australi. Por çdo herë që këndoj është si të jetë hera e parë, dua ta mbaj të freskët, jo domosdoshm­ërisht një zë të ri, por të rinovuar me emocion.

Karriera juaj është një ëndërr e realizuar për shumë artistë të rinj. Cila është këshilla juaj për ta?

Duhet që ata të kenë pasion për të kënduarit dhe ai pasion duhet të zgjasë më shumë se një mbrëmje. Në këto kohëra, me kaq shumë marketing, duket sikur karriera e një artisti është e parafabrik­uar, ndaj duhet ta tejkalojmë këtë ide dhe ta kthejmë të kënduarit në një qëllim jete. Unë e kam ndier këtë që kur isha 14 vjeçe. Për mua të këndoj është çështje jete a vdekjeje: nuk mund të jetoj pa kënduar. Nëse besoni në atë që bëni, është si një çlirim dhe nëse punoni fort është thjesht çështje kohe. Kur nisa, askush nuk besonte tek unë dhe kam pasur ulje- ngritjet e mia, por ato s'kanë zgjatur më shumë se dy net, sepse nëse nuk këndoja ndieja se diçka më mungonte, nuk merrja dot frymë. Duhet të vazhdoni të punoni, sepse kur arrini suksesin, qoftë edhe për një ditë, do të ndiheni shumë të lumtur pas kaq shumë përpjekjes­h. Është si të vraposh në një maratonë. Sa më e gjatë distanca, aq më e madhe kënaqësia. Dhe asnjëherë nuk duhet të hiqni dorë.

 ??  ?? Ermonela Jaho në rolin e Cio- Cio San
Ermonela Jaho në rolin e Cio- Cio San

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania