Panorama (Albania)

Të përgjigjes­h me Kafkën

-

( Shënime për romanin "Profeti nga Praga" të Musa Ramadanit, fitues i çmimit "Kadare") ... Kjo është një ëndërr që do të joshte këdo... Musa Ramadani, fituesi i çmimit "Kadare" për vitin 2017, akorduar nga Instituti "Pashko" i UET, ka mundur të risjellë një fantazi që bart kërshërinë për njohje të njeriut. Një trill me një peshë të brendësish­me alegorike që bart një emër që vijon të trondisë lexuesin me parashikim­et për njeriun dhe jetën-Franz Kafka. Një trill romanor ku shkrimtari rikthehet pas 41 vitesh në këtë jetë nga bota tjetër për të riparë vetveten dhe ata me të cilët jetoi. Por si mund të jetë ritakimi me vetveten, me miqtë, me dashuritë, me personazhe­t? Po për veprën e tij si do ia bëjë vallë, kur sa qe gjallë ka kërkuar që të digjen e jo të botohen, ndërkohë që në rikthim i gjen të lexuara ngado. ... "Profeti nga Praga" i autorit nga Gjilani është një rrëfim- kurth që bart dëshirën për të njohur njeriun, për të pikturuar të përditshme­n dhe atë që ëndërrojmë.

Ka autorë që kanë parasysh lexuesin kur shkruajnë. Ka nga ata që lexuesin e projektojn­ë vetë. Musa Ramadani tenton t'i lidhë së bashku edhe lexuesit e projektuar edhe ata që janë gjithnjë aty, si vazhdues të letërsisë, duke i ftuar që të bashkudhët­ojnë në një shumësi kuptimesh. Madje, Ramadani rreshtohet herë në anën e rrëfimtari­t e herë në trenin e lexuesve, duke na sjellë një rrëfim ku autori është gjithnjë aty, duke biseduar me secilin nga ne dhe duke na kërkuar ta shoqërojmë. Sepse fjalët e shkrimtari­t janë shpesh më afër se ata me të cilët shkëmbejmë përditshmë­rinë, por jo kuptueshmë­rinë apo ëndërrimet. Dhe askush më mirë sesa emri i Franz Kafkës nuk arrin të na sjellë pikëpyetje aq të mëdha për njeriun. Musa Ramadani na fton në një lexim jo thjesht për letërsinë e Kafkës që vjen e zgjerohet çdo ditë nga leximet, por edhe për jetën e tij plot dilema për botën, dështime dashurie, rrëzime apo dhe një shëndet të dobët që e përndjek.

"Shikohen si të shiheshin për herë të parë. Të ngazëllyer cakërrojnë gotat e mëdha të birrës. Përqafohen epshurisht me gishta të përthurur e duar të puthitura. Kafka tregohet më i kursyer e më i frenuar, ndërsa Jasenka më pasionante dhe më esktravaga­nte. Ajo e vështron tjetrin gjithë admirim, duke ia pasur lakmi pamjen e tij rinuese. Ai, dukejn e saj, sidomos detajet, i vjedh me bisht të syrit, pa e shprehur habinë për ndryshimet, megjithëse është të paktën 12- 13 vjet më e re. Ajo e cyt...

-... Anci, po qe se nuk prekesh, desha të të pyes: ç'ishte ajo gjë specifike që ti gjete tek e dashura jote e parë, Felice Bauer, hë, Ok?

- Ishte një takim i rastësishë­m në shtëpinë e Brodit, një pasdite, derisa ne përgatisni­m një dorëshkrim timin për ta botuar. Duket se unë rashë në grackë, ashtu, në shikim të parë, siç thuhet... Diku në Ditarin tim pata shënuar se, po ndodhi të martohesha ndonjëherë, do ta zgjedhja një vajzë, me pjesën e sipërme të nofullës të qitur jashtë, buzët e së cilës nuk do mund të rrinin të puqura ose të mbyllura..." ( Musa Ramadani, "Profeti nga Praga", f. 105- 106, Mapo Editions 2017)

Rrëfimi i Ramadanit, i ndërtuar në kurthin përmes rindërtimi­t të jetës së Kafkës, sjell njeriun që thuajse bart gjithçka që ia vlen të dimë, për të mundurën dhe të pamundurën, të arritshmen dhe të imagjinues­hmen. Një rikthim që thërret lexuesin të shohë e rishohë vetveten përpara rikthimit, e të gjejë arsyet e jetës.

A jemi ne Jozef K.? A ngjajmë një çast me Gregor Zamzën e të shohim metamorfoz­ën tonë të pamundësis­ë? A jemi ne banorë të një kështjelle duke mos kuptuar shumëçka rreth vetes? A ndodhemi ne mes mitit dhe realitetit, ku shpesh nuk arrijmë të kuptojmë nëse kemi vendosur ne për veten tonë apo kemi qenë pjesë e diçkaje të vendosur? Portreti i Kafkës, i personazhe­ve, i miqve është një udhëtim ndaj asaj që kërkojmë kudo. Dhe fundi i romanit, ku autori kërkon të kalojë natën në dhomën e Sanatorium­it, ku Kafka numëroi orët e fundit të jetës së tij, janë një ftesë për të guxuar për të parë fundin, për t'u pajtuar me vdekjen. Një shtrat nga ku mund të ndjesh hapat e njeriut që tha aq shumë me veprën e tij dhe të mos bëhesh pjesë e refuzimit të shoqërisë së sotme ndaj vdekjes. Sepse mund të ndodhë që të jesh i vdekur, por thjesht nuk e di ende...

 ??  ?? Musa Ramadani, duke marrë çmimin “Kadare”
Musa Ramadani, duke marrë çmimin “Kadare”
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania