Vetingu ende pezull, duhet të zgjidhen edhe dy komisione
Procesi i vetingut për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri nuk ka nisur ende zyrtarisht. Dje u votua përbërja e trupës së gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit i përbërë nga 7 anëtarë dhe 2 zëvendësues. Ndërkohë që do të zgjidhen dhe gjyqtarët e Komisionit të vetingut dhe komisionerët publikë. Këto tri struktura kompletojnë trupën e gjyqtarëve që do të kryejnë vetingun mbi kolegët e tyre në sistemin e drejtësisë në të gjithë Shqipërinë. Anëtarët e komisioneve të tjera pritet të votohen po në mënyrë të fshehtë nga komisioni ad hoc i bërë nga 12 anëtarë. Sipas ligjit të vetingut, pasi lista e anëtarëve votohet nga komisionet, ajo dërgohet për votim në Parlament dhe votohet në bllok. Sipas nenit 11 të ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, është parashikuar mekanizmi i votimit në Parlament i listës së gjyqtarëve të vetingut. Lista fillimisht votohet me 3/ 5 e votave të Kuvendit, por nëse nuk i merr këto vota, ajo kthehet sërish për riplotësim. Herën e dytë lista mund të rrëzohet vetëm me 2/ 3 e votave, në të kundërt ajo quhet e miratuar. “Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve në bllok me 3/ 5 e votave të të gjithë anëtarëve. Në rast se Kuvendi nuk e miraton listën e kandidatëve në bllok, sipas pikës 1, të këtij neni, kryetari i Kuvendit ua kthen atë komisioneve ad hoc për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes dhe dërgimin e një liste të dytë brenda 10 ditëve. Komisionet ad hoc të përzgjedhjes zbatojnë rregullat e parashikuara në nenin 10 të këtij ligji. Kuvendi, brenda 10 ditëve nga dërgimi i listës së dytë, mund ta rrëzojë në bllok listën e kandidatëve me 2/ 3 e të gjithë anëtarëve të tij. Në rast se lista nuk rrëzohet, kandidatët e përzgjedhur konsiderohen të zgjedhur”, thuhet në ligjin e vetingut. Sipas ligjit, anëtarët e Kolegjit të Apelimit do të paguhen sa anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kurse pjesa e tjetër e vetingut do të trajtohen me rrogat e larta që do të zbatohen nga ligji për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit.