Incidentet, shkon në 8 numri i të arrestuarve
Dy ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Altin Qato, gjatë prezantimit të masave për zgjedhjet e 25 qershorit, deklaroi se kishin ndodhur 14 krime elektorale, me 4 persona të arrestuar deri tani. Por pas dy incidenteve të tjera që ndodhën dje në Dibër e Tiranë, numri i të arrestuarve është dyfishuar, duke shkuar në 8. Në një deklaratë për mediat, Qato prezantoi masat që ka marrë Policia e Shtetit për zgjedhjet e datës 25 qershor, të cilat po ndiqen me kujdes pasi tashmë është faza më e rëndësishme e periudhës zgjedhore. “Punën tonë e kemi filluar me trajnimin e 7040 punonjësve të Policisë që do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas niveleve të menaxhimit policor, deri te niveli bazë i veprimit policor. Për sigurimin e 5362 qendrave të votimit, 90 KZAZ dhe 90 VNV, janë bërë përllogaritjet paraprake të punonjësve të Policisë, për automjete, pajisje, komunikim, ushqim etj.”, tha dje Qato. Nga ana tjetër kërkoi angazhim maksimal nga ana e Policisë, në zbatim të detyrës, duke mos shkelur ligjin, sipas të cilit ata nuk mund të përfshihen në fushata elektorale.