Armët në Rinas, mediat britanike: Mund të ishin për sulm terrorist
"Policia shqiptare parandaloi një komplot për të trafikuar tri armë ' AK- 47'. Ishin nisur drejt një adrese në Londër"
Tre automatikët kallashnikov që u bllokuan javën e kaluar në Aeroportin e Rinasit, në Tiranë, mund të përdoreshin për ndonjë sulm terrorist në Britaninë e Madhe.
Të paktën kështu shkruanin dje mediat britanike, duke iu referuar informacioneve të autoriteteve vendase, që kishin në dispozicion edhe një raport në lidhje me ngjarjen që ata e quajtën një komplot të parandaluar nga Policia shqiptare. Ndonëse dyshimi primar i autoriteteve angleze janë sulmet terroriste, nuk përjashtohet as mundësia që armët mund të ishin në adresë të personave që janë pjesë të krimit të organizuar. "Një komplot për të kontrabanduar tri pushkë ' AK- 47' në Britani, në një kuti postale është parandaluar nga autoritetet shqiptare. Policia ka dyshime se armët e sekuestruara gjatë rrugës për në një adresë në Londër do të përdoreshin në një sulm terrorist ose krim të organizuar", shkruante dje e përditshmja britanike "Daily Mail". Sipas kësaj medie, citohej se stafi i sigurimit në Aeroportin shqiptar "Nënë Tereza" gjeti armët në pjesën ku bëhej ngarkesa e pakove, para se ata ato të ishin ngarkuar për t'u futur në avion. "Armët ishin të mbështjella me peshqirë dhe celofan brenda një kutie ' DHL', që gjithashtu përmbante rroba dhe letra", citon media britanike një burim të policisë atje.
ARTIKULLI
"Daily Mail" shkruante dje se forcat e antiterrorit të Policisë shqiptare kishin rritur masat e vëzhgimit pas sulmeve terroriste në Londër dhe Barcelonë e kjo ka sjellë edhe parandalimin e një trafiku të mundshëm armësh. Nga ana tjetër, autoritetet britanike kanë marrë informacione se personi që u arrestua si një prej përgjegjësve për postimin e tri pakove me armë ishte urdhëruar vetëm 3 ditë para se të bëhej dërgesa. "Zyrtarët nuk kanë saktësuar adresën e synuar të shpërndarjes apo mbër- ritjes së armëve, por thanë se kanë njoftuar homologët e tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Sajmir Cullhaj, 32 vjeç, i cili u arrestua në Shqipëri pas konfiskimit, thuhet se ka marrë një urdhër për të lëvizur armët tri ditë para se të dërgonte paketën të premten mbrëma. Ai ka refuzuar të japë më shumë detaje se nga vijnë armët, se për çfarë do të përdoreshin ose për personat që i prisnin në Londër. Detektivët gjithashtu po gjurmojnë një person, i njohur nga inicialet N. F., nga qyteti i Durrësit, në perëndim të Tiranës. Një zëdhënës i ' DHL' nuk iu përgjigj një kërkese për të komentuar dje", shkruan e përditshmja britanike. Dyshimet e autoriteteve britanike se armët mund të përdoreshin për ndonjë sulm të mundshëm terrorist lidhen edhe me faktin se muajin e kaluar u bllokua një numër rekord pistoletash në Kanalin e La Manshit. Armë këto që u sekuestruan nga Policia britanike dhe që u dyshua se do të përdoreshin për sulme terroriste atje. "Muajin e kaluar, Policia gjeti 79 pistoleta që kishin si destinacion Britaninë e Mad- he. Pistoletat ishin të fshehura brenda blloqeve të motorit të një mjeti që u bllokua në kanalin e La Manshit. Ishte ngarkesa më e madhe e pistoletave që është konfiskuar ndonjëherë nga Policia britanike", theksohet në artikullin e "Daily Mail".