Mediat gjermane: Prokurori shqiptar rrezikon jetën, viktimë e korrupsionit
"Arben Jorgaqi ka hetuar në rrjetet e mafies së ndërtimit. Ai humbi edhe vendin e punës dhe tani ka frikë për jetën"
Një ish- oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Vlorës është bërë objekt i shtypit gjerman, duke e cilësuar si një viktimë të korrupsionit që po rrezikon jetën.
Ai është Arben Jorgaqi, të cilin gazetarët e quajnë prokuror, për shkak të një keqkuptimi apo mosnjohjeje të termit "oficer i Policisë Gjyqësore". Gazeta gjermane, "Tageszeitung", botoi të martën një shkrim për Jorgaqin, me titullin "viktimë e korrupsionit". Të njëjtit shkrim i referohet edhe "Deutsche Welle", që raporton për një përplasje të Arben Jorgaqit me Prokurorinë e Vlorës. "Lufta me autoritetet përfundoi me lirimin e tij nga detyra dhe më vonë me heqjen e mandatit. As protestat në Tiranë nuk sollën gjë. Prokurori i padëshiruar u largua para reformës në drejtësi nga detyra", shkruan gazeta gjermane. Gazeta "Tageszeitung" u kushtoi vëmendje dje problemeve me të cilat përballen prokurorët shqiptarë, kur hetojnë rrjetet e rrezikshme. "Arben Jorgaqi është një prokuror nga Vlora, i cili ka hetuar në rrjetet e mafies së ndërtimit. Ai humbi edhe vendin e punës dhe tani ka frikë për jetën. Prokurori nga fundi i të 30ve është një tip modern, i interesuar për artin, që në vështrim të parë nuk duket sikur përshtatet me profesionin e tij. Por ai është prokuror që e merr seriozisht profesionin dhe luftën e propaganduar nga qeveria kundër korrupsionit. Arben Jorgaqi ka imazhin e një prokurori të pakorruptuar, por në majin e këtij viti erdhi kthesa. Jorgaqi u pushua nga puna. Me sa duket, ai u ishte afruar shumë disa njerëzve të fuqishëm", shkruan gazeta.
KËRCËNIMET
Në vazhdim të artikullit, "Tageszeitung" nënvizon se prokurori shqiptar ia doli, madje edhe si hetues, në fshehtësi të zbulojë se kriminelët e veshur me petkun honorifik të biznesmenit kishin manipuluar dosje dhe përkatësinë e truallit, në luftën për të siguruar copat më të majme të bregdetit shqiptar. "Prokuroria, megjithatë, mblodhi prova dhe bëri goditjen e parë. Në maj të këtij viti, ai kërkoi arrestimin e disa personave të rrjetit në fjalë. Por, për habinë e tij, policia nuk reagoi. Në vend të kësaj, ai mori një qortim. Më vonë ai u zhvendos në Përmet", citohet në shkrim. Më tej, gazeta gjermane raporton mbi përplasjen e prokurorit shqiptar Arben Jorgaqi me Prokurorinë e Vlorës dhe kërcënimet që ai ka marrë pasi ka refuzuar një shumë të konsiderueshme parash. "Por historia e Arben Jorgaqit nuk përfundon me kaq. Ai ka marrë kërcënime pas refuzimit të 300 mijë eurove si kompensim. Arbeni u fsheh në Tiranë dhe ndërroi rregullisht vendbanimin. Ai ka frikë për jetën. Shpresa e vetme është që Gjykata e Apelit në Tiranë të vendosë në favor të tij. Por, për shkak të lidhjeve të politikanëve të nivelit të lartë me rrjetin e mafies së ndërtimit, ai është skeptik", shkruan media gjermane.