Markat tregtare dhe rëndësia e regjistrimit
Regjistrimi i markës tregtare garanton sigurinë juridike dhe përforcon ndjeshëm pozitat e mbajtësit të të drejtës ( pronarit të markës) në rast të konflikteve ligjore të mundshme. Në Republikën e Shqipërisë, afati kohor i regjistrimit të markës tregtare është 10 vjet, duke filluar nga data e depozitimit të aplikimit për regjistrim marke, por ky afat mund të ripërtërihet në mënyrë të pakufizuar për periudha dhjetëvjeçare
... e domosdoshme që një markë tregtare të regjistrohet dhe cilat do të ishin avantazhet e saj në një rast të tillë?
Në bazë të ligjit nr. 9947, datë 07.07.2008, “Për pronësinë industriale” ( i ndryshuar) – ligji që rregullon sistemin e dhënies dhe mbrojtjes së të drejtave të pronësisë industriale, me markë tregtare do të kuptojmë çdo shenjë që është e aftë të dallojë mallrat ose shërbimet e një personi fizik apo juridik nga ato të një personi fizik apo juridik tjetër. Pra, e thënë më thjeshtë, funksioni kryesor i markës tregtare si objekt i pronësisë industriale është një funksion identifikues, tregues apo tregtar i origjinës së mallrave ose shërbimeve që ajo përfaqëson.
Po cilat janë shenjat që mund të përbëjnë një markë tregtare? Së pari, ritheksojmë që një shenjë duhet të jetë e aftë të dallojë mallrat ose shërbimet e një personi fizik/ personi juridik nga mallrat ose shërbimet e një personi fizik/ personi juridik tjetër në mënyrë që të regjistrohet si markë. Në vijim për sa më sipër, shenjat që mund të përbëjnë një markë tregtare përfshijnë në veçanti: fjalët, kombinimet e fjalëve ( duke përfshirë emrat personalë), dizenjimet/ vizatimet apo shenjat figurative, shkronjat, numrat, format tridimensionale, format e mallrave ose të paketimeve të tyre, ngjyrat ( duke përfshirë kombinimet e ngjyrave), tingujt, si dhe çdo kombinim të tyre. Natyrisht, që një shenjë të regjistrohet si markë tregtare duhet të plotësojë jo vetëm kushtin e aftësisë dalluese, por ajo gjithashtu duhet të jetë e aftë për t’u paraqitur grafikisht. Në këtë kuptim, çdo shenjë duhet të jetë e aftë që të përfaqësohet në regjistër për të mundësuar autoritetet kompetente dhe publikun përkatës që të përcaktojnë qartë dhe saktë objektin e mbrojtjes së markës tregtare. Nga ana tjetër, në lidhje me aftësinë dalluese të shenjës që kërkon të regjistrohet si markë tregtare, sjellim në vëmendje faktin që kjo aftësi dalluese duhet të vlerësohet dhe të lidhet në mënyrë të ngushtë me mallrat ose shërbimet përkatëse që do të jenë objekt i mbrojtjes së markës tregtare.
Përpara se të trajtojmë rëndësinë që mbart regjistrimi i markës tregtare, duhet të theksojmë këtu faktin që kuadri ligjor rregullues për procedurat e regjistrimit dhe mbrojtjes së markave tregtare është pothuajse i njëjtë si në Republikën e Shqipërisë, ashtu edhe në shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Europian. Në këtë kontekst, vendi ynë jo vetëm ka ratifikuar konventat ndërkombëtare më të rëndësishme në fushën e pronësisë industriale dhe ka nënshkruar marrëveshjet ndërkombëtare themelore në këtë fushë ( në mënyrë të veçantë për markat tregtare), por edhe legjislacioni shqiptar ( ligji specifik nr. 9947, datë 07.07.2008 “Për Pronësinë Industriale”) është hartuar dhe së fundmi ndryshuar duke realizuar një përafrim të plotë me Direktivën ( BE) 2015/ 2436 të Parlamentit dhe Këshillit të Europës mbi përafrimin e legjislacionit të shteteve anëtare në lidhje me markat tregtare.
Në periudhën e industrializimit të shoqërisë, zhvillimit me hapa galopantë të shkencës e teknologjisë së informacionit dhe krijimit të tregut të përbashkët global, regjistrimi i markës tregtare mbart një rëndësi të veçantë. Pothuajse çdo biznes apo shoqëri zotëron një markë tregtare duke gëzuar njëkohësisht të drejtat që rrjedhin prej saj. Marka tregtare përfaqëson elementin kryesor që shërben për identifikimin e biznesit apo shoqërisë në radhën e konsumatorëve apo publikut përkatës. Është pikërisht kjo markë tregtare që bën të mundur diferencimin e produkteve ose shërbimeve të një biznesi/ shoqërie nga ato të një biznesi/ shoqërie tjetër, duke përfaqësuar në këtë mënyrë një prej aseteve më të vlefshëm që një biznes/ shoqëri mund të zotërojë. Nisur nga ky këndvështrim, çdo person fizik apo juridik që prodhon mallra ose ofron shërbime të caktuara ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbi të drejtat e tij të pronësisë industriale dhe regjistrimin e markës së tij. Në këtë kontekst, shoqëri apo subjekte tregtare të veçanta shpeshherë nënvlerësojnë ose nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur regjistrimit të objekteve të pronësisë industriale duke mos regjistruar si markë tregtare shenjat dalluese që ato përdorin gjatë veprimtarisë së tyre tregtare. Kjo pakujdesi dhe papërgjegjshmëri e tyre çon shumë herë në shkelje të të drejtave të tyre nga palë të treta dhe më pas në konflikte gjyqë- sore të vazhdueshme e afatgjatë. Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale dhe zhvillimi i çështjeve gjyqësore në lidhje me to sjell në mënyrë të paevitueshme kosto monetare dhe në kohë për çdo person fizik apo juridik. Për më tepër, dëmtimi i reputacionit të shoqërisë dhe konfuzioni që mund të krijohet në radhët e konsumatorëve përbën një rrezik konkret e serioz në rast se nuk ndërmerren masa ligjore të shpejta, të efektshme e të menjëhershme në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë industriale. Në këto rrethana, çdo person fizik ose juridik që prodhon mallra apo ofron shërbime të caktuara në treg duhet të regjistrojë markën e tij ( shenjën dalluese që ai përdor gjatë veprimtarisë së tij) për të gëzuar një mbrojtje sa më të plotë dhe rigoroze të të drejtave të pronësisë industriale.
Mbrojtja e të drejtave të pronësisë industriale nuk përbën vetëm një çështje të të drejtave vetjake, por përbën mbi të gjitha një faktor dhe element ndikues të rëndësishëm mbi aspektin ekonomik të një vendi duke nxitur punën e aftësitë krijuese të çdo individi dhe duke garantuar zbatimin e rregullave të konkurrencës së ndershme. Mbrojtja dhe regjistrimi i objekteve të pronësisë industriale, në mënyrë të veçantë mbrojtja dhe regjistrimi i markave tregtare, ofron dhe siguron mundësi ligjore për të përdorur, licencuar, shfrytëzuar, shitur apo blerë këto objekte. Regjistrimi i markës tregtare është një element thelbësor për çdo biznes, shoqëri tregtare apo person fizik tjetër. Për të treguar rëndësinë që mbart regjistrimi i markave tregtare në një treg dhe ekonomi të përbashkët, siç është tregu i Bashkimit Europian, ku ne synojmë të jemi pjesë përbërëse, mjafton të përmendim faktin që pranë Zyrës së Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Europian regjistrohen çdo vit rreth 135000 marka tregtare ( duke përjashtuar këtu regjistrimet e markave tregtare kombëtare që realizohen në mënyrë të veçantë pranë Zyrave të Pronësisë Industriale të shteteve anëtare të BE- së). Gjithsesi, duhet thënë që një ndërgjegjësim dhe interes në rritje vërehet edhe në tregun shqiptar, ku vetëm gjatë vitit 2016 janë depozituar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale më shumë se 1000 aplikime për regjistrim markash tregtare.
Marka tregtare si një e drejtë pronësore sigurohet duke u regjistruar pranë institucioneve përkatëse kombëtare ose ndërkombëtare të pronësisë industriale. Në vendin tonë, institucioni përgjegjës për regjistrimin e markave tregtare dhe objekteve të tjera të pronësisë industriale është Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale. Në nivel ndërkombëtar, markat tregtare mund të regjistrohen pranë Zyrës Botërore të Pronësisë Intelektuale ( duke përcaktuar listën e shteteve që do të përfshijë regjistrimi ndërkombëtar) ose pranë Zyrës së Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Europian ( duke kufizuar mbrojtjen e markës tregtare brenda territorit të Bashkimit Europian). Regjistrimi ndërkombëtar i markës tregtare nuk e pengon pronarin e saj që të regjistrojë markën edhe në nivel kombëtar. Çdo ditë, secili prej nesh ndeshet me marka tregtare të shumëllojshme gjatë një shëtitjeje në rrugë, duke bërë shopping, në rrjete sociale, internet apo TV. Markat tregtare përfaqësojnë një mjet të domosdoshëm për t’u mbrojtur në botën e sotme të biznesit. Po pse është e rëndësishme që një markë tregtare të regjistrohet? Çfarë të drejtash përfiton pronari i markës tregtare në rast se ai e regjistron atë pranë institucionit kompetent?
Pikë së pari, marka tregtare është pjesë e pronësisë intelektuale që shërben për të identifikuar origjinën tregtare të mallrave ose shërbimeve në rrethin e konsumatorëve. Regjistrimi i markës tregtare nuk është i detyrueshëm për shoqëritë, bizneset apo çdo person fizik dhe/ ose juridik tjetër, por një markë tregtare e regjistruar përbën një garanci dhe mjet ligjor më të fortë kundrejt konkurrencës së pandershme apo shkeljeve ligjore të tjera të të drejtave të pronësisë industriale. E vetmja rrugë dhe mënyrë që një markë tregtare të kthehet në një aset me vlerë konsiston në regjistrimin e saj. Në nivel kombëtar apo ndërkombëtar, mbrojtja e markës tregtare mund të përfitohet vetëm nëpërmjet regjistrimit, duke depozituar një aplikim për regjistrim marke tregtare pranë Zyrave të Pronësisë Industriale dhe duke paguar tarifën zyrtare në lidhje me këtë aplikim.
Regjistrimi i markës tregtare krijon mundësinë e sigurimit të të drejtave pronësore dhe ekskluzive mbi të, kufizon rastet e konkurrencës së pandershme apo shkeljeve të të drejtave vetjake të pronësisë industriale, si dhe përbën një garanci ligjore të mëtejshme për shfrytëzimin e markës tregtare. Duke gëzuar të drejtën ekskluzive të përdorimit të markës, pronari i një marke tregtare të regjistruar përfiton njëkohësisht një seri të drejtash të tjera në funksion të mbrojtjes së pronësisë industriale. Konkretisht, pronari i një marke tregtare të regjistruar gëzon të drejtën të ndalojë çdo person të tretë që të përdorë në mënyrë të paautorizuar gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare:
- një shenjë të njëjtë me markën për mallra dhe/ ose shërbime të njëjta me ato për të cilat është regjistruar marka [ neni 156 ( 2)(a) i Ligjit nr. 9947, datë 07.07.2008 “Për Pronësinë Industriale” ( i ndryshuar)];
- një shenjë të njëjtë ose të ngjashme me markën për mallra dhe/ ose shërbime të njëjta ose të ngjashme me ato për të cilat është regjistruar marka që mund të shkaktojë konfuzion te publiku ( duke përfshirë këtu edhe mundësinë e bashkëlidhjes së shenjës me markën tregtare); [ neni 156 ( 2)(b) i Ligjit nr. 9947, datë 07.07.2008 “Për Pronësinë Industriale” ( i ndryshuar)];
- një shenjë të njëjtë ose të ngjashme me markën për mallra dhe/ ose shërbime, edhe kur këto nuk janë as të njëjta e as të ngjashme me ato për të cilat është regjistruar marka, në rast se marka e regjistruar ka reputacion në Republikën e Shqipërisë dhe nga përdorimi i shenjës, pa shkak të arsyeshëm, realizohet një përfitim i padrejtë ose dëmtohet natyra dalluese apo emri i mirë i markës.[ neni 156 ( 2)(c) i Ligjit nr. 9947, datë 07.07.2008 “Për Pronësinë Industriale” ( i ndryshuar)];
Pra, siç mund të konstatojmë nga sa më sipër, legjislacioni në fuqi i jep të drejtë pronarit të një marke tregtare të regjistruar që të ndalojë përdorimin jo vetëm të një shenje tjetër të njëjtë me të, por edhe të çdo shenje tjetër të ngjashme ( jo identike) për mallra apo shërbime të njëjta ose të ngjashme me ato që mbulon marka tregtare e regjistruar. Nga ana tjetër, një mbrojtje e veçantë parashikohet dhe sigurohet për markat tregtare me reputacion në Republikën e Shqipërisë. Në këtë kontekst, pronari i një marke tregtare të regjistruar që gëzon një reputacion dhe shkallë njohjeje të lartë në Republikën e Shqipërisë, ka të drejtë të ndalojë përdorimin e një shenje që është e njëjtë ose e ngjashme me markën e tij, pavarësisht faktit që kjo shenjë nuk mbulon mallra dhe/ ose shërbime të njëjta ose të ngjashme me ato të markës tregtare të regjistruar. Në mënyrë që pronari i markës tregtare të regjistruar të gëzojë një mbrojtje ligjore të tillë duhet që domosdoshmërisht të plotësohen në të njëjtën kohë dy kushte:
1) marka tregtare e regjistruar të gëzojë një reputacion në Republikën e Shqipërisë ( reputacioni i markës tregtare duhet provuar në çdo rast përpara gjykatës duke paraqitur prov atë tilla si: anketime, sondazhe, etj.);
2) përdorimi i shenjës së njëjtë apo të ngjashme me markën tregtare të regjistruar, pa shkak të arsyeshëm, duhet të sjellë një përfitim të padrejtë ose të dëmtojë natyrën dalluese apo emrin e mirë të markës së regjistruar.
Në vijim për sa më sipër, ligji nr. 9947, datë 07.07.2008 “Për pronësinë industriale” ( i ndryshuar) i garanton një mbrojtje ligjore të gjerë dhe rigoroze pronarit të një marke tregtare të regjistruar duke ndaluar gjithashtu:
- vendosjen e shenjës te mallrat ose ambalazhet e tyre;
- hedhjen e mallrave në treg, ofrimin e tyre për shitje, duke përdorur këtë shenjë, ose krijimin dhe mbajtjen e rezervave për këto qëllime; - ofrimin e shërbimeve duke përdorur këtë shenjë; - importimin ose eksportimin e mallrave duke përdorur këtë shenjë; dhe
- përdorimin e shenjës në veprimtarinë tregtare, reklamime ose publicitete.
Çdo përdorim, kufizim, imitim ose bashkëshoqërim i paautorizuar i markës tregtare të regjistruar përbën shkelje të të drejtave të pronësisë industriale të pronarit të markës, i cili në këtë rast gëzon të drejtën për të ngritur padi në gjykatë për shkelje të të drejtave.
Theksojmë këtu që të gjitha të drejtat e mësipërme që i njihen pronarit të një marke tregtare të regjistruar, i njihen në të njëjtën mënyrë edhe pronarit të një marke tregtare të mirënjohur në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht faktit nëse kjo markë është apo jo e regjistruar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale. Në përputhje edhe me rekomandimet e Zyrës Botërore të Pronësisë Intelektuale, autoritet kompetente duhet të konsiderojnë dhe të vlerësojnë një seri faktorësh në funksion të përcaktimit të faktit nëse një markë është apo jo e mirënjohur, duke përfshirë këtu: shkallën e njohurive ose njohjes së markës në sektorin e publikut përkatës, kohëzgjatjen dhe zonën gjeografike të përdorimit të markës, kohëzgjatjen dhe zonën gjeografike të çdo promovimi të markës ( përfshirë reklamimin, publicitetin dhe paraqitjen në ekspozita apo panaire), vlerën e vetë markës, etj. Shembuj të markave të mirënjohura në Shqipëri dhe në botë janë të shumta. Në këtë kuadër, përmendim marka të tilla si: Coca- Cola, Nike, Adidas, Pepsi, Versace, Armani, Swatch, Apple, Samsung, etj.
Regjistrimi i markës tregtare ofron një seri mundësish të tjera në dobi të pronarit të saj. Kështu, një markë tregtare e regjistruar mund të licencohet ( në mënyrë ekskluzive ose joekskluzive) për disa ose për të gjithë mallrat apo shërbimet që ajo mbulon. Në këtë rast, kontrata e licencës e nënshkruar nga licencuesi- pronar i markës tregtare dhe i licencuari, duhet të regjistrohet pranë Zyrës së Pronësisë Industriale ( në Republikën e Shqipërisë: Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale) në mënyrë që ajo të këtë efekte ligjore. Gjithashtu, një markë tregtare e regjistruar mund të sigurohet ose të jetë objekt mbi të cilin mund të vendoset pengu. Në mënyrë analoge si në rastin e kontratës së licencës, edhe kontrata e vendosjes së pengut mbi një markë tregtare duhet detyrimisht të regjistrohet pranë Zyrës së Pronësisë Industriale ( në Republikën e Shqipërisë: Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale), në mënyrë që të krijojë pasoja juridike. Po ashtu, marka tregtare e regjistruar mund të jetë objekt i veprimeve përmbarimore, duke regjistruar në regjistrin përkatës të markave çdo veprim përmbarimor që ndërmerret ndaj një marke me kërkesë të njërës prej palëve në kontratë.
Së fundmi, mund të themi që çdo shoqëri, person apo biznes që përdor një shenjë gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare, duhet të ndërmarrë hapat ligjorë të nevojshëm për regjistrimin e saj. Regjistrimi i markës tregtare garanton sigurinë juridike dhe përforcon ndjeshëm pozitat e mbajtësit të të drejtës ( pronarit të markës) në rast të konflikteve ligjore të mundshme. Në Republikën e Shqipërisë, afati kohor i regjistrimit të markës tregtare është 10 vjet, duke filluar nga data e depozitimit të aplikimit për regjistrim marke, por ky afat mund të ripërtërihet në mënyrë të pakufizuar për periudha dhjetëvjeçare.