Trump ndërton një kullë në Moskë, projekti që gjatë fushatës
Donald Trump do të ndërtojë një kullë gjigante në Moskë. Firma imobiliare e Presidentit amerikan Donald Trump në kohën e fushatës elektorale ka konkretizuar planet për ndërtimin e një kulle të re në Moskë. Sipas "Deutsche Welle"- s, ky lajm është konfirmuar nga avokati i Trump- it. Në kohën që koncerni "Trump" kishte filluar në vjeshtën e vitit 2015 planet për një projekt gjigant në Moskë, miliarderi Trump kishte bërë të ditur se do të kandidonte për president për republikanët. Ndërkaq, gjatë fushatës elektorale 2016, projekti i kullës së Trump- it u konkretizua edhe më tej. Këtë e konfirmoi avokati i Donald Trump, Michael Cohen, në një prononcim për komisionin hetimor të Dhomës amerikane të Përfaqësuesve. Ky komision, ashtu edhe hetuesi i posaçëm, Robert Müller, po hetojnë nëse gjatë fushatës ka pasur ndikime ruse, dhe nëse ekipi i Trump- it dhe instancat ruse kanë pasur ujdi mes tyre.
Pjesëmarrja e Trump- it në ndërtimin e ri në Moskë do të binte kështu ndesh me deklaratat e presidentit, se nuk ka pasur marrëdhënie pune me Moskën. Cohen konfirmoi, se së bashku me Felix Sater, një njeri me lidhje të mira në Rusi, kanë punuar për projektin e imobilieve. Në vitin 2016, ai ka pasur dyshime për zbatueshmërinë e projektit, prandaj ai u mbyll në dosje. Për televizionin "ABC", avokati i Trump- it kishte thënë se vitin e kaluar projekti ishte në fazën e planifikimit. Mendohej një kullë si ajo e Trump- it.
Ky projekt spektakolar është raportuar fillimisht nga "Washington Post". Për këtë kishte bërë presion Satter, i cili është mburrur edhe me lidhjet e mira deri te kreu i Kremlinit, Putin. Në një email të nëntorit 2015, cituar nga gazeta "New York Times", Felix Satter ka shkruar se Trump mund të bëhet president dhe ne "mund ta kurdisim këtë". Ky email flet qartë se Trump, të paktën ka pasur lidhje me Rusinë përmes njërit nga bizneset. Satter, sipas raportimeve në media, ka thënë se ai ka rregulluar financimin përmes bankës ruse, VTB, ndaj së cilës ishin vendosur sanksione amerikane për shkak të konfliktit me Ukrainën.