Në Itali kapen 2.3 tonë drogë, Basha akuza edhe për Ruçin
“Projekti i Ramës, drogë, korrupsion dhe kriminelë
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i cilëson mashtrime deklaratat e Kryeministrit Rama për një aksion të suksesshëm në të gjithë vendin në luftën kundër kanabisit.
Qëndrimet e tij, Basha i shprehu menjëherë pas publikimit të lajmit të kapjes së sasisë prej 2.3 tonësh drogë në Itali, e cila dyshohet se është nisur nga Shqipëria. Duke huazuar shprehjen e Kryeministrit Rama, i cili deklaroi se në fund të mandatit të tij të dytë qeverisës do të kërkojë të dal me një PS +, kreu i PDsë ka theksuar se shtesa e socialistëve do të jetë droga, kriminelët dhe korrupsioni. “Ngarkesa prej 2,3 tonësh drogë e kapur sot në Itali dëshmon një të vërtetë të hidhur: trumbetat e Edi Ramës për luftë kundër drogës janë vetëm mashtrime me qëllim tulatjen e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar. Ndërkohë ai mbron dhe promovon kokat e krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Ky në fakt është projekti PS+ i shpallur prej tij: PS + drogë + kriminelë+ korrupsion”, u shpreh Basha.
AKUZAT
Edhe përgjatë denoncimit të djeshëm, Basha kujtoi se është vetë Kryeministri Rama që promovon njerëz të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës në postet më të larta shtetërore. Basha denoncoi Gramoz Ruçin dhe Fatmir Xhafajn, të propozuar nga Rama në postet e kreut të Kuvendit dhe Ministrisë së Brendshme, si persona të lidhur me trafikun e drogës në vite. Edhe një herë, Basha solli në vëmendje faktin se kreut të ri të Kuvendit i është ndalur hyrja në SHBA që nga viti 2005. “Kjo faktohet edhe nga promovimi prej tij i Gramoz Ruçit, të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, dhe Fatmir Xhafajt, të përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës”, theksoi kreu i PDsë. Basha premtoi se opozi- ta e drejtuar prej tij do të bëjë çdo përpjekje për të denoncuar drogën dhe krimin, por njëkohësisht apeloi që edhe media dhe intelektualët t’i bashkohen kësaj beteje. “Opozita do të bëjë çdo përpjekje për ta vënë atë para përgjegjësisë personale për drogën dhe krimin. Por kjo betejë kërkon edhe përpjekjet e medias, intelektualëve dhe të të gjithë qytetarëve. Të gjithë duhet të ngremë zërin dhe të ngrihemi kundër rrezikut të drogës para se të jetë vonë”, tha Basha. Presidenti Ilir Meta ka dekretuar 9 shtatorin si ditën në të cilën do të mblid- het Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. Opozita ka kundërshtuar prej disa ditësh emërimin e Ruçit dhe Xhafajt në krye të dy prej institucioneve më të rëndësishme në vend, duke kujtuar edhe lidhjet që këta të fundit kanë me regjimin komunist.