Investimi në kulturë, Veliaj: 10 mijë libra për bibliotekat
"Rikthimi i vëmendjes së të rinjve te leximi, sfidë për ne"
Në kohën kur teknologjia ka pushtuar botën e të rinjve, Bashkia e Tiranës është e vendosur të kthejë vëmendjen e tyre te leximi.
Për këtë qëllim ka nisur rikonstruksionin e bibliotekave në çdo lagje e shkollë. Për kryebashkiakun Erion Veliaj, kjo është e vetmja garanci për të ardhmen e qytetit. "Sot sfida më e madhe që kanë të rinjtë dhe nxënësit e këtij qyteti është presioni konstant që vjen nga teknologjia. Nuk themi që të jetojmë pa smartphone- t, por nuk mund të jetojmë dot pa libra, kështu që na duhet të gjejmë një balancë. Sa më pak kazino dhe baste, sa më shumë shkolla dhe biblioteka, aq më e ardhme e ndritur e pret qytetin tonë", nënvizoi kryetari në ditën e parë të punimeve për rikonstruksionin e plotë të bibliotekës nr. 4 në Njësinë 9, në të cilën nuk ishte vënë dorë prej vitesh. Përveç saj, Veliaj bëri me dije se brenda këtij viti do të rikonstruktohen edhe dy biblioteka të tjera, ndërsa siguroi se do të pasurohen edhe me një fond të madh librash. "Kjo është një punë në infrastrukturë, por është edhe një punë në kulturë. Përveç rinovimit të bibliotekave, së shpejti do të kemi edhe një të tretë, kemi krijuar edhe një fond prej 10 mijë tituj librash, të cilët do të furnizojnë bibliotekat e lagjeve dhe shkollave". Një tjetër lajm pozitiv vjen për nxënësit e studentët që vijnë nga rrethet dhe jetojnë në konvikte. Bashkia ka përgatitur për ata që vijnë për herë të parë në Tiranë një sërë lehtësirash, të cilat do të jenë pjesë e një pakete orientimi, me qëllim që ardhja e tyre të mos jetë shumë sfiduese.