Ministria e Kulturës hap garën për drejtor Cirku e të Arkivit të Filmit
Ministria e Kulturës ka hapur garën për dy drejtorë. Bëhet fjalë për Arkivin e Filmit dhe Cirkun Kombëtar. Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave ( nr. 173, datë 07.03.2003) "Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit", Ministria e Kulturës shpall konkursin për pozicionin: Drejtor, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Drejtor në Cirkun Kombëtar. Mësohet se këto dy konkurse janë hapur për shkak se drejtorja e AQSHF- së, Elvira Diamanti, ka paraqitur dorëheqjen nga posti që ka mbajtur prej disa vitesh, ndërsa Cirku Kombëtar ka mbetur për disa muaj pa titullar, për shkak të një afere korruptive. Ndërko- hë, nuk ka informacion se ç'do të ndodhë me titullarët e disa institucioneve të tjera kulturore, që u ka mbaruar ose u mbaron mandati së shpejti.
Për të dyja rastet disa nga kërkesat janë të përbashkëta, si: Të jetë shtetas shqiptar; të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të përmbushë kërkesat ligjore për nivelin arsimor dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin përkatës të punës; të jetë në kushte shëndetësore që e lejon të kryejë detyrën përkatëse; të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi; ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore.
Për pozicionin e drejtorit, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, kërkohet që kandidati të ketë arsim universitar dhe kualifikime plotësuese në fushën e filmit dhe të kinemasë; të ketë aktivitet dhe përvoja ndërkombëtare në fushën e filmit dhe të kinemasë; të ketë të paktën 5 vjet përvojë në fushën e konservimit të filmit; të ketë përvoja pedagogjike në fushën e edukimit përmes kulturës. Po ashtu kandidati duhet të propozojë një platformë për Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, mbi realizimin e objektivave për mirëmbajtjen e fondit arkivor, si do të përdoret dhe si do të propagandohet ai. Ndërsa për drejtor Cirku kërkohet që: Të ketë përvojë të konsiderueshme në drejtim, menaxhim dhe krijimtari në fushën e aktiviteteve skenike; të njohë problemet aktuale dhe sfidat e cirkut me qëllim reformimin e tij përkrah modeleve më të mira bashkëkohore; Të ketë treguar përpjekje serioze në krijimin e një atmosfere alternative në arenën e cirkut shqiptar; të dëshmojë përvoja ndërkombëtare në fushat e përmendura në pikat 1 dhe 2; të ketë përvojë në konceptimin dhe ekzekutimin e projekteve afatgjata në fushat e artit dhe të kulturës; të ketë përvojë në ndërtimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me donatorë dhe grupe të tjera interesi, si dhe në ngritjen e fondeve prej burimeve të ndryshme - si të sektorit publik, ashtu edhe atë privat etj. Ashtu si edhe për AQSHF-në, kandidati duhet të propozojë një platformë me objektiva të qarta për menaxhimin dhe vizionin që ka për Cirkun Kombëtar.
Kandidatët duhet të paraqesin dokumentet brenda datës 26 për AQSHF dhe 27.09.2017 për Cirkun, pranë Zyrës së Protokollit, në Ministrinë e Kulturës.