Azem Hajdari bashkon opozitën, Kryemadhi në krah të Bashës
Bashës dhe Berishës i bashkohet Kryemadhi, kreu i PD: Liria fitohet e mbahet me beteja
Opozita shqiptare u bashkua e gjitha në Tropojë, për të marrë pjesë në përurimin e shtatores së drejtuesit të Lëvizjes Studentore dhe ish- deputetit të PD, Azem Hajdari.
Kreut të PD, Lulzim Basha, ish- kryeministrit Sali Berisha, Grupit Parlamentar të PD dhe aleatëve të saj iu bashkua edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, në nderim të figurës së Azem Hajdarit. Busti prej bronzi i punuar nga skulptori Isa Baliaj bashkoi në Tropojë edhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe përfaqësues nga Kosova dhe Mali i Zi. Në fjalën e tij, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi se demokratët do t’i jenë përherë mirënjohës Azem Hajdarit për hedhjen e hapave të parë dhe më të rëndësishëm për ardhjen e demokracisë në vend. Sipas Bashës, kujtimi i Azemit vjen me mesazhin e gjallë e frymëzues se liria nuk është një dhuratë e përjetshme. “Demokratët janë dhe do të jenë përherë mirënjohës e krenarë me prijësin e tyre të orëve të para, me tribunin e tyre të pavdekshëm. Si heroi i demokracisë, Azemi i përket gjithë Shqipërisë, i përket gjithë kombit. Sa më shumë shkon koha, Azem Hajdari fiton përmasat e një figure politike të papërsëritshme, që afron, që bashkon, që frymëzon me shembullin dhe veprën e tij. Në mendjen dhe në zemrën time, në mendjet dhe zemrat e mbarë rinisë shqiptare, kujtimi i ndritur i Azem Hajdarit vjen me mesazhin e gjallë e frymëzues se liria nuk është një dhuratë e përjetshme, se liria u përket atyre që e duan dhe e çmojnë si më të shtrenjtën gjë në jetë, se liria shërbehet e duhet të shërbehet me përkushtim e sakrifica. Se liria fitohet e mbahet me beteja, duke shkuar çdo ditë në luftë për të. Se liria është mision për drejtuesit politikë”, deklaroi Basha. Vlerësim për peshën dhe kontributin e Azem Hajdarit dha edhe ish- kryeminis- tri Sali Berisha. Për liderin historik të PD, figura e Azem Hajdarit duhet të shërbejë si një frymëzim dhe apel në një kohë që vendi është mbuluar nga një vello e zezë e narkotikëve, e cila i turpëron dhe nuk i bën të ndihen krenarë shqiptarët.
“Edhe sot ai është një apel, një frymëzim, sepse pas 27 vitesh, nuk mund të mos mohojmë se një vello e zezë ka mbuluar Shqipërinë, dhe kjo vello e zezë është velloja e narkotikëve, e cila bën shqiptarët të mos marrin dot vendimet e tyre, bën votën e shqiptarëve të mos vendosë për fatin e tyre, bën emrin e tyre të mos shkëlqejë midis kombeve të tjera. Por sot ne jemi këtu, më të vendosur se kurrë, të frymëzuar nga Azem Hajdari për t’u ndarë dhe nga kjo e keqe, për t’u ndarë nga çdo e keqe që nuk meritojmë, për të ecur të sigurt drejt hapë- sirave europiane që ne meritojmë”, u shpreh Berisha. Ishkryeministri kujtoi se Shqipëria europiane ishte ëndrra e Azem Hajdarit, ndaj edhe kërkoi nga të gjithë shqiptarët që të luftojnë për ta bërë sa më të afërt këtë realitet për fëmijët e tyre. Një fjalë të shkurtër në ceremoninë e organizuar mbajti edhe djali i Azem Hajdarit, që gjithashtu mban emrin të atit, i cili falënderoi ata që kontribuuan për ndërtimin e shtatores së babait të tij dhe ftoi që figura e Azemit të jetë një frymëzim për çdo të ri shqiptar.