Trump kërkesë Senatit: Të mbyllet Lotaria Amerikane
Presidenti amerikan: Terroristi i Manhatanit ka hyrë në SHBA me programin e lotarisë në vitin 2010
Një njeri krejt i parëndësishëm, një 29- vjeçar nga Uzbekistani, i cili ka kryer sulmin terrorist në Manhatan, duke vrarë tetë njerëz dhe duke plagosur 11 të tjerë, nuk e ka idenë se sa shumë njerëz të botës e urrejnë për vdekje, ndërkohë që hiqet krenar se me demek arriti të godasë Amerikën.
Ai nuk e ka idenë se një pjesë e mirë e botës e urren jo vetëm për faktin se ka vrarë njerëz të pafajshëm në një qytet që është bërë frymëzim për të gjithë botën, por edhe pse një figurë aq e papër- fillshme po shfrytëzohet për të goditur emigracionin e shumëëndërruar në SHBA, për shumë njerëz në botë. Presidenti i SHBA- ve, Donald Trump, ka kërkuar “heqjen qafe” sa më shpejt të lotarisë amerikane, apo siç quhet ndryshe program i vizave të diversitetit. I njohur për frymën e tij kundër emigracionit, Trump ka gjetur një motiv më shumë për të “luftuar” ardhjen e njerëzve nga vende të tjera të botës në kërkim të ëndrrës amerikane. Trump dhe disa nga aleatët e tij të së djathtës ekstreme, pas sulmit terrorist në Manhatan, përdorën një raportim të “ABC7” se sulmuesi Sayfullo Saipov kishte shkuar në SHBA nga Uzbekistani nën programin e njohur të Departamentit Amerikan të Shtetit, “Diversity Visa Lottery”. Para se ky raportim të konfirmohej nga zyrtarët publikë, Trump ka fajësuar programin për prurjen e terroristëve dhe i ka kërkuar Kongresit që të nisë menjëherë punën për t’i dhënë fund atij. “Ne duhet ta heqim qafe sa më shpejt të jetë e mundur programin e lotarisë”, u ka thënë Trump reporterëve përpara një takimi me kabinetin e tij në mesditën e së mërkurës. Presidenti amerikan të mërkurën ka kritikuar senatorin demokrat nga Nju Jorku, Charles E. Schumer, i cili në vitin 1990 ka paraqitur projektligjin që ka ndihmuar në krijimin e programit të vizave. Vite më vonë, në 2013, demokrati i Nju Jorkut ishte mes një grupi dypalësh ligjvënësish, të cilët kërkonin që ky program të mbyllej. Por sërish ai po sulmohet nga Trump dhe konservatorë të tjerë. Departamenti i Sigurisë Kombëtare konfirmoi të mërkurën pasdite se “individi i identifikuar në sulmin terrorist të qytetit të Nju Jorkut u pranua në SHBA pas para- qitjes së një pasaporte me një vizë diversiteti emigrimi të vlefshme”. Një zëdhënës i DSK, i cili nuk e përmendi Saipov me emër, tha se i dyshuari hyri në Shtetet e Bashkuara në vitin 2010. Në intervista të ndryshme nëpër agjenci lajmesh, postime në blogje dhe mesazhe në rrjetet sociale, konservatorët fajësuan demokratin, duke thënë se ai ishte përgjegjës për lejimin e hyrjes së 29- vjeçarit në vend. Trump iu bashkua kritikave mëngjesin e së mërkurës, disa orë para se të deklaronte se do t’i kërkonte Kongresit që të përfundonte programin. Programi i diversitetit të vizave ekziston për më shumë se 20 vjet, duke ofruar një numër të kufizuar vizash për njerëz nga pjesë të ndryshme të botës që kanë relativisht pak emigrantë në Shtetet e Bashkuara. Kongresi miratoi Lotarinë e Vizave të Diversitetit, i njohur edhe si lotaria amerikane me “Green card”, si pjesë e Aktit të Emigracionit të vitit 1990, por hyri në fuqi në vitin 1995. Sipas programit, Departamenti i Shtetit ofron 50,000 viza çdo vit për emigrantë nga pjesë të botës me norma relativisht të ulëta të imigracionit gjatë pesë viteve të mëparshme. Për t’u kualifikuar, aplikantët duhet të kenë një arsim të mesëm ose dy vjet në një profesion që kërkon trajnim formal. Ata që plotësojnë kërkesat e përshtatshmërisë zgjidhen në mënyrë të rastësishme me një lotari kompjuteri. Departamenti i Shtetit u referohet atyre si “emigrantët e diversitetit”. Programi ka dalë pjesërisht në një projektligj i paraqitur në vitin 1990 nga Schumer.