Artisti britanik parodi në Tiranë për pasunarët e rinj me 6 tapiceri
Grayson Perry, skaner shoqërisë britanike në 6 tapiceri. Kuratori Rubens Shima: Kuçedra klasore nuk ka vdekur
Grayson Perry do t’i kishte pëlqyer shumë ca thënie shqiptare për zengjinët e rinj.
Me klas lind, nuk bëhesh. Kjo ide e përshkon gjithë veprën e tij, ekspozuar në Tiranë, në Galerinë Kombëtare të Arteve: një seri prej 6 tapicerish, plot ngjyra, ku përshkruhet jeta e një njeriu nga lindja në vdekje. Një jetë- luftë për të ndryshuar rangun klasor, por që në fund rezulton të jetë tërësisht e kotë: paratë nuk mund të blejnë gjithçka. Dhe siç do ta quante i urti Solomon “kotësi e kotësive”, Perry e titullon këtë cikël “Kotësia e dallimeve të vogla”. Kështu titullohet edhe ekspozita, që hapet sot në mbrëmje në GKA, mundësuar nga The British Council Albania, nën kurimin e Rubens Shimës, i cili rikthehet pas një mungese 4- vjeçare në institucionin që ka drejtuar për shumë vite me radhë. Për drejtorin e GKA, Artan Shabani, i cili po bëhet gati t’ia lëshojë karrigen pasardhësit, që pritet të shpallet shumë shpejt, është pa dyshim një mbyllje me “nder” e mandatit. Drejtori i ardhshëm do të gjejë të ngritura të paktën dy ekspozita të një niveli shumë të lartë: atë të Rosemarie Trockel e të Grayson Perry, por sidomos këtë të fundit, ardhja e të cilit përbën ngjarje në jetën kulturore shqiptare. “Jam shumë i nderuar që finalizuam këtë projekt dhe falënderoj British Council që zgjodhi Galerinë Kombëtare për këtë bashkëpunim, duke bërë të mundur të sjellim së bashku artistin Grayson Perry në Shqipëri. Ekspozita është risi jo vetëm për Galerinë Kombëtare, por për të gjithë skenën e artit shqiptar. Siç e dini, vjen në Tiranë pasi është hapur në Londër, Turqi, Ukrainë dhe Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Shabani. Ndërsa drejtoresha e British Council Albania, Aida Bërxholi, e vlerësoi karakterin human të kësaj ekspozite. Një vepër që eksploron natyrën njerëzore dhe si e tillë i vjen shumë pranë publikut. “Puna e Grayson Perry është rreth njerëzve, qenies njerëzore. Nuk ka gjë më interesante sesa të studiohet, të debatohet mbi natyrën njerëzore. Ky është parimi që e bën interesante ekspozitën për publikun”. Sigurisht që shpjegimi i veprës së Perryt i takoi kuratorit të ekspozitës për Shqipërinë, Rubens Shimës, i cili, pas një prezantimi të thukët mbi konceptin e ekspozitës, domethënies, mënyrës së realizimit, ironinë dhe sarkazmin deri në tronditje që autori përdor, ofroi edhe një “shëtitje” mes tapicerive të Perryt, skicave, videove dhe materialeve të tjera që e bëjnë më të plotë procesin krijues.
Skaneri i shoqërisë britanike
Kur hyn në sallën ku janë ekspozuar veprat e Grayson Perryt, gjëja e parë që të bie në sy janë ngjyrat e forta, si kontrastet e jetës, që autori përdor në tapiceritë e tij të përmasave të mëdha dhe pastaj hyn në brendinë e tyre. Çdonjëra ofron një tregim. Është rrugëtimi i jetës së Tim Rakewell, i lindur në një familje “klasë punëtore” e që synon të kapë majat e shoqërisë. Siç shpjegon Shima, Perry është nxitur në punën e tij nga vepra e një tjetër artisti të shek XVIII, William Hogarth dhe më konkretisht nga seria “A Rake’s Progress”. Një histori të ngjashme si ajo e djalit plëngprishës Perry e vendos në kohërat moderne, me një personazh që ai e quan Tim ( ose Çim, po të qe në Shqipërinë e zengjinëve të rinj). Nga tablotë e vogla të Hogarthit, Perry kalon në një teknikë, që simbolizon prestigjin e shtresës së lartë aristokratike. Një teknikë që shekuj më parë kërkonte 20 vjet kohë deri në përfundimin e një punimi të atyre përmasave, ndërsa sot, përmes teknologjisë, vetëm 5 orë. Por gjithsesi, e rëndë dhe prestigjioze. “Ai donte që veprat e tij t’i bënte të pavdekshme, meqenëse tapiceria në origjinën e saj të hershme është mbajtur si një lloj media që regjistronte ngjarje historike”, tha kuratori.
Skenat e jetës së Timit nisin me lindjen, për të vijuar me një martesë “oportuniste” me një vajzë nga “derë e mirë”, pasurimi, dilemat e të qenurit i pasur, deri te vdekja në një garë shpejtësie me një “Ferrari”, ndërsa pranë i gjendet gruaja e re bionde, sepse helbete, të bëhesh i pasur, e do edhe një grua të re bionde se ajo e para, tanimë është plakur. Sigurisht askujt nuk do t’i interesonte jeta e Tim Rakewell, nëse nuk do të simbolizonte shoqërinë britanike. “Kotësia e dallimeve të vogla” është një parodi, që rrëfen për dallimet klasore, përpjekjet për t’i shuar ato, por pa mundur. Ai ngre pyetjen se cilat janë ato “dallime të vogla” klasore, ndaj edhe i mbush “tablotë” e veta me një mori detajesh e simbolikash. Ai është një vëzhgues i hollë i jetës së përditshme të shtresave të ulëta, ato të mesme dhe të larta e çdo kënd i tablove të Perryt duhet parë me kujdes. Aty asgjë nuk është e rastësishme; aty fshihet përkatësia. Për ta bërë më të plotë parodinë e tij, autori huazon motive nga piktura e periudhës së Rilindjes, si dëbimi nga Edeni, apo vdekja e Krishtit, por tanimë nuk kemi më as personazhe biblikë e asaj engjëj, por ca vdekatarë me buzëqeshje djallëzore e veshje “trendy”. “Kuçedra klasore është akoma gjallë”, thotë Shima. Dhe jeta e personazhit, e më së shumti fundi i tij e tregojnë më së miri këtë. Tek e fundit është e vështirë të hysh në “tufën” e drerit aristokratik anglez, që vazhdon të jetë i gjallë pavarësisht kafshimeve të taksave apo protestave për barazi sociale.
(“Kotësia e Dallimeve të Vogla” është bashkëpronësi e The British Council Collection, Arts Collection, Southbank Centre, Londër).