I madhi i vëllezërve Tafani u arrestua për drogë e prostitucion
Sokol Tafani u arrestua në vitin 2013 si pjesë e një grupi kriminal për trafikimin e drogës dhe shfrytëzimin e prostitucionit. Hetimet ndërkombëtare për këtë grup u shtrinë edhe në Shqipëri, ku në pranga përfunduan tetë persona. Në prill të 2013- s, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftuan se në pranga kanë rënë Sokol Tafani, Festim Hoxha, Rezart Tirana, Higert Allko, Brunild Ramaj, Altin Poda dhe Bledar Shabani. Ndërsa në total u arrestuan 35 pjesëtarë të grupit kriminal. Veprimet për finalizimin e operacionit ndërkombëtar “Sotto Tracia”, u koordinuan nga EuroJust, i cili realizoi bashkëpunimin dhe koordinimin e veprimeve njëkohësisht në Shqipëri, Itali, Belgjikë, Francë, Holandë dhe Zvicër, ndërsa numri total i të arrestuarve ishte 34 veta, nga të cilët 10 në Itali, nga një në Belgjikë, Francë e Holandë dhe 3 në Zvicër. Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, grupi kishte investuar 20 milionë euro në Shqipëri. Bëhet fjalë për hotele, lokale, karburante, të ndërtuara me lekë trafiqesh që gjenden në zonën e Elbasanit, Librazhdit e deri në kufi me Maqedoninë. Iniciativën për fillimin e hetimeve në lidhje me këtë operacion ndërkombëtar e ka pasur autoriteti policor italian, ndërsa këto hetime janë zhvilluar në një hark kohor disavjeçar, duke u shtrirë në disa vende të BE- së. Organizata kriminale kryente trafikim të kokainës dhe heroinës, shfrytëzonte vajza për prostitucion, si dhe merrej me dërgimin e klandestinëve në vende të ndryshme të BE- së.