Rrahu policin dhe pronarin e lokalit, burg për të riun
Kërcënimet: Do t’ju gjej kur të dal nga burgu, s’e rruj për njeri
Një i ri është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 7 muaj burg, pasi është shpallur fajtor për kundërshtim të forcave të rendit.
Vendimi është marrë muajin që lamë pas, ndërsa ngjarja ka ndodhur më 31 maj, në një nga lokalet e Tiranës. Bëhet fjalë për të riun e identifikuar me inicialet E. R., i cili, së bashku me disa shokë, kishte tentuar të hynte në një lokal ku po festohej mbrëmja e maturës me klasat e vitit të tretë të një gjimnazi. Ai është ndeshur me administratorin e lokalit që në hyrje të tij, i cili i ka shpjeguar se nuk mund të hynte brenda, pasi mjedisi ishte i prenotuar. Megjithatë, i riu nuk është bindur dhe ka nisur të fyejë administratorin e lokalit. Ky i fundit ka lajmëruar Policinë, por shtetasi E. R. e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me shqelma dhe grushte. Ai nuk u ndal as para oficerëve të Policisë së Tiranës, ku i kundërshtoi me dhunë. Sipas dosjes së Prokurorisë së Tiranës, njërit prej tyre i theu kamerën e trupit, ndërsa dëmtoi edhe mjetin e patrullës. Edhe gjatë shoqërimit në Polici ai ka vazhduar të sulmojë uniformat blu. “Edhe po të futem në burg, do të dal dhe do të takohemi së bashku, se unë nuk e rruj për njeri të gjallë në botë. Do t’jua tregoj unë juve se kush jam!”, me këto fjalë ai ka kërcënuar oficerët e Policisë gjatë shoqërimit në Komisariat. Por megjithatë, në sallën e gjyqit, i riu E. R. u shfaq tjetër njeri. Ai shprehu pendesë të thellë dhe kërkoi mëshirë. Në përfundim, Gjykata e Tiranës vendosi ta dënojë me 7 muaj burg, nga 1 vit që kishte kërkuar Prokuroria.
NGJARJA Sipas dosjes së Prokurorisë, gjithçka ka ndodhur rreth orës 11: 00 të datës 31 maj të këtij viti, në një lokal të Tiranës, ku kishin ardhur në mënyrë të organizuar dy klasa me nxënës të vitit të tretë të një shkolle të mesme për festën e maturës. Pasi nxënësit kishin hyrë në lokal, aty janë paraqitur katër djem të tjerë, mes tyre edhe shtetasi E. R. Ata kërkuan të hynin brenda, derisa administratori i lokalit ka dalë te dera dhe ka sqaruar se nuk shërbente për klientë të tjerë, pasi ishte prenotuar deri në orën 13: 00. E. R., së bashku me shokët e tij, kanë insistuar që të hynin, por ad- ministratori nuk i ka lejuar. Në ato momente, E. R. ka fyer administratorin dhe ka tentuar të hyjë në lokal me forcë. I ndodhur në këto kushte, administratori ka thirrur për ndihmë Policinë. Në momentin që administratori po sqaronte Policinë, E. R. është afruar pranë tyre dhe e ka qëlluar dy herë me shqelma në gjoks, dhe një herë me grusht në fytyrë. Në këtë moment ka ndërhyrë Policia, por ai ka kundërshtuar sërish. Ka shtyrë me duar dhe ka qëlluar me shqelma njërin prej policëve, duke i kërcënuar. E. R. ka dëmtuar kamerën e trupit të njërit prej policëve, si edhe ka dëmtuar pasqyrën e mjetit të Policisë. Edhe gjatë shoqërimit ai ka vazhduar duke kërcënuar punonjësit e Policisë me fjalët: “Edhe po të futem në burg, do të dal dhe do të takohemi së bashku, se unë nuk e rruj për njeri të gjallë në botë. Do t’jua tregoj unë juve se kush jam”.